1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Unë megjithatë jam një kriminel lufte"

Samir Huseinoviq / Esat Ahmeti31 Gusht 2013

Disa mijëra njerëz kanë pritur mbrëmë (30.08.2013) kthimin në vend të të dënuarit të Tribunalit të Hagës, Momçillo Krajshnik. Viktimat e gjenocidit janë të shqetësuara për mesazhet e tubimit në Pale.

https://p.dw.com/p/19ZSG
Fotografi: klix.ba

I dënuari i Hagës Momçillo Krajishnik me avion nga Londra përmes Bukureshtit arriti në Beograd, prej nga me helikopter përmes Banjallukës mbërriri në Pale ku u prit nga anëtarët e familjes dhe miqtë, si dhe një numër i madh i njerëzve të cilët kishin ardhur nga pjesë të ndryshme të Republikës Srpska.

Pritja e Krajishnikut në Pale u organizua nga Partia Demokratike Serbe (SDS). Krajishnik ka qenë një prej themeluesve të saj.

Pamje nga pritja e Krajishnikut në Pale
Pamje nga pritja e Krajishnikut në PaleFotografi: klix.ba

Shumë prej pjesëmarrsve në tubim me vete kishin sjellë flamurin e Republikës së Serbisë dhe Partisë Demokratike Serbe (SDS). Po ashtu ata mbanin në duar pankarta ku shkruhej: "Krajishnik - bir i popullit serb", "Ndal terrorit të Hagës", "Radojiçiq, të erdhi zëvendësimi". Ndërkaq në hyrje të Pale-s ishte shkruar: "Mirë se vini President."

Me tingujt e "Marshit mbi Drinë" masa e tubuar ka përshendetur Krajishnikun të cilin në Pale kishin dalur për ta pritur edhe lideri i SDS-it Mladen Bosiq, prjësi i luftës në Trebinje Bozhidar Vuçureviq dhe kryebashkiaku i Sokocës, Milovan Cicko Bjelica.

Krajishnik paralajmëroi rishikimin e rastit

Krajishnik u tha gazetarëve: "Unë nuk e di pse është organizuar kjo pritje, unë megjithatë ende jam një kriminel lufte". Ai ka shtuar se vetëm me procesin e rishikimit të rastit do të provohet se kjo nuk është e vërtetë. Po ashtu ai njoftoi se këtë vit apo në fillim të vitit të ardhshëm, do të paraqesë një ankesë në gjykatën e apelit për rishikimit të vendimit tëTribunalit me të cilin ai është dënuar për krime lufte në Bosnje.

"Gjithçka që po ndodh sot, më duket sikur një ëndërr, sikur kam ardhur nga një botë tjetër", tha Krajishnik. I pyetur nga gazetarët se me çka do të vazhdojë të mirret në të ardhmen ai tha se do të mirret me "punën e tij private".

Pamje nga pritja e Krajishnikut në Pale
Pamje nga pritja e Krajishnikut në PaleFotografi: klix.ba

Në fjalimin e mbajtur në sheshin e Pale-s, Krajishnik tha se vetëm kërkimi i faljes nuk shpie drejt pajtimit midis kombeve: "Në vend se të kërkojmë ndjesë, ne të gjithë duhet të falim ata që na kanë bërë keq dhe të lusim ata të cilëve ne u kemi bërë keq, të na falin neve. Vetëm atëherë populli serb do të jetë popull i vërtetë", theksoi ai.

Patriotizëm nuk është të urresh tjetrin, tha Krajishnik në fjalimin e tij dhe u bëri thirrje të rinjve për pajtim e dashuri, dhe jo urrejtje dhe hakmarrje. "Kështu Republika Srpska do të mbijetojë", theksoi ai.

Fjalimi i Krajishnik-ut u pasua nga thirrjet: "Momo, Momo!" dhe "Momo serb", si dhe këngë çetnike.

Viktimat e krimit të shqetësuara

Viktimat e krimeve të kryera në emër të popullit serb dhe Republikës Srpska nuk e kuptojnë madhërimin që u bëhet kriminelëve të luftës dhe as mirëpritjen e ish-zyrtarit të lartë të Partisë Demokratike Serbe (SDS), Krajishnik në Pale.

Pamje nga pritja e Krajishnikut në Pale
Pamje nga pritja e Krajishnikut në PaleFotografi: klix.ba

"Republika Srpska nuk është krijuar as me marrëveshje, as me me zgjidhje politike. Ajo është ndërtuar mbi gjakun e dhjetëra mijëra viktimave të pafajshme, duke përfshirë edhe 1.600 fëmijë të vrarë në Sarajevë", tha presidenti i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve të vrarë në Sarajevë, Fikret Grabovica.

Ndërsa kryetarja e shoqatës "Nënat e Srebrenicës" Hatixha Mehmedoviq vlerëson se e gjithë shoqëria duhet të jetë e shqetësuar nga mesazhi i dërguar nga tubimi në Pale ku ndodhi madhërimi i kriminelëve të luftës. "Mesazhet e tilla inkurajojnë krime të reja të luftës, një genocid të ri", tha Hatixha Mehmedoviq.