1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse gratë jetojnë më gjatë se burrat?

6 Shkurt 2023

Mesatarisht, meshkujt jetojnë disa vite më pak se femrat. Nuk dihet pse. A e shkurton jetën kromozomi Y "mashkull"?

https://p.dw.com/p/4N7Vv
Stresi faktor i shkurtimit
Stresi faktor i shkurtimit Fotografi: bonn-sequenz/Imago

Sipas zyrës gjermane të statistikave, jetëgjatësia për burrat dhe gratë është rritur në mënyrë konstante gjatë dekadave të fundit, por një ndryshim mbetet - burrat ende vdesin mesatarisht rreth pesë vjet më herët se gratë. Dukuria është e ngjashme në të gjithë botën. Një arsye e mundshme për këtë mund të jetë kromozomi Y.

Të ashtuquajturat kromozome X dhe kromozomet Y janë pjesë e informacionit gjenetik në qelizat e trupit tonë. Gratë zakonisht kanë dy kromozome X në qelizat e tyre, ndërsa burrat kanë një X dhe një Y. Kromozomi "mashkull" është dukshëm më i vogël dhe siguron zhvillimin e karakteristikave seksuale mashkullore në embrion.

Megjithatë, me plakjen, gjatë ndarjes së qelizave, kromozomet individuale Y mund të zhduken. Kjo ka kohë që dihet në qarqet profesionale. Ky mutacion nuk është krejtësisht i padëmshëm, shpjegon kardiologu Andreas Zeier, i cili hulumton këtë temë në Spitalin e Universitetit në Frankfurt: "Në dy-tre vitet e fundit janë bërë studime që kanë treguar se humbja e këtij kromozomi shkakton sëmundje kardiovaskulare, Alzheimer, sëmundje të ndryshme, diabetin etj. Edhe sëmundja klasike e degjenerimit makular të lidhur me moshën, pra një humbje e lehtë e shikimit, shkaktohet prej humbjes. Dhe pas kësaj, lind pyetja: si është e mundur kjo?

Stresi edhe në shtrat
Stresi edhe në shtratFotografi: Thomas Trutschel/photothek/picture alliance

Qelizat e gjakut janë veçanërisht të prekura

Humbja e kromozomit Y ndodh kryesisht në qelizat e formimit të gjakut, të cilat prodhojnë miliarda qeliza gjaku në palcën e eshtrave çdo ditë, shpjegon Zeier. Nëse një qelizë e tillë burimore e gjakut humbet kromozomin e saj Y, jo të gjithë pasardhësit e saj do ta kenë atë dhe shpesh qeliza të tilla prodhojnë edhe më shumë qeliza të reja gjaku se të tjerat.

Harmonia e zgjat jetën
Harmonia e zgjat jetënFotografi: Svyatoslav Lypynskyy/Zoonar/picture alliance

Sipas shkencëtarëve gjermanë, rreth 40 për qind e meshkujve mbi 70 vjeç janë të prekur nga ky mutacion, ndërsa është prekur edhe rreth pesë për qind e 45-vjeçarëve. Megjithatë, jo të gjitha qelizat burimore të gjakut humbasin kromozomin Y – në vend të kësaj, krijohet një i ashtuquajtur mozaik qelizash me forma të ndryshme informacioni gjenetik.

Problemet me zemër

Ekipi hulumtues i udhëhequr nga ky kardiolog tani dëshiron të zbulojë se cilat ndryshime në këto qeliza janë rezultat i mungesës së kromozomit Y. Sepse ndezja ose fikja e gjeneve mund të shkaktojë procese patologjike në trup. Shkencëtarët ekzaminojnë rregullisht mostrat e gjakut nga pacientët e moshuar meshkuj me probleme të zemrës dhe kërkojnë qeliza pa një kromozom Y.

Është treguar se qelizat e gjakut pa një kromozom Y janë dukshëm më të shpeshta tek meshkujt me sëmundje të zemrës sesa tek meshkujt e shëndetshëm.

Ndryshimet e organeve

Në eksperimentet e kafshëve, një grup kërkimor në SHBA tashmë ka arritur të demonstrojë rolin e rëndësishëm të kromozomit Y për shëndetin. Qelizat e gjakut pa të tek kafshët shkaktuan procese inflamatore - jo vetëm në zemër, por edhe në mushkëri dhe veshka.

Rezultati është: indi shndërrohet në të ashtuquajturën fibrozë, ind që trashet dhe ngurtësohet si një plagë. Plagët e tilla e bëjnë zemrën më të ngurtë dhe më pak të aftë për të pompuar, thotë Zeier. Ende nuk është sqaruar përfundimisht nëse ky zbulim vlen edhe për njerëzit.

Jeta e përbashkët
Jeta e përbashkëtFotografi: Paul Zinken/dpa-Zentralbild/picture alliance

Por qelizat nga pacientët në Spitalin Universitar në Frankfurt prodhuan gjithashtu më shumë substanca që shkaktojnë inflamacion: "Prandaj ne besojmë se rezultatet e hulumtimit të miut mund të aplikohen edhe te njerëzit".

Akoma pa terapi

Nuk ka terapi për pasojat e mungesës së kromozomit Y. Gjithashtu nuk dihet nëse humbja e kromozomit Y mund të parandalohet.

Por ka disa zakone të jetesës që nxisin zhdukjen e saj. Prandaj, kardiologu Zeier u rekomandon meshkujve që të jenë fizikisht aktivë, të mos pinë duhan dhe të shmangin stresin. Ekipi i ekspertëve të Frankfurtit shpreson të zbulojë pasoja të mëtejshme të mungesës së kromozomit Y në trup dhe të jetë në gjendje të zhvillojë terapi kundër problemeve shëndetësore që lidhen me të.

 

 

bc (ard)