Prokurori Clint Williamson në Kosovë
21 Korrik 2014Në Kosovë po qëndron Clint Williamson, prokuror special i Task Forcës, që po heton pretendimet në raportin e senatorit zviceran Dick Marti. Williamson qëndron në Prishtinë për të diskutuar me autoritetet në lidhje me hetimet, që ai ka zhvilluar gjatë dy viteve të shkuara. Këshilli i Evropës në dhjetor të vitit 2010 kishte miratuar raportin e Senatorit Dick Marti, i cili supozonte se gjatë luftës së fundit në Kosovë, pjesëtarë të UCK-së mund të kishin trafikuar organe të serbëve të zënë rob nga ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ky rast i supozuar njihet si rasti i “shtëpisë së verdhë”. Vizita e prokurorit Williamson me 21.07. në Kosovë po ndodh vetëm pak ditë, para se ai të prezantojë rezultatin e hetimeve të tij në fund të këtij muaji.
Prokurori Williamson pati vizituar Kosovën edhe në mars të këtij viti në kohën, kur po merrej vendimi final për themelimin e Gjykatës Speciale për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë për periudhën 1998-1999.
Prokurori amerikan Clint Williamson i shoqëruar nga shefi i misionit EULEX, gjermani Bernd Borchardt, takoi presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja në një komunikatë për media pas takimit tha se “institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me SITF në periudhën në vijim për të forcuar rendin dhe ligjin dhe për të përmbushur obligimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore”.
“Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale dhe që në momentin e konsolidimit institucionet e sapozgjedhura do të zbatojnë marrëveshjen e ratifikuar duke bërë ndryshimet e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese për të akomoduar krijimin e gjykatës së re”, tha presidentja Jahjaga.
Presidentja tha se “ajo është është e përcaktuar që qasja e Kosovës ndaj drejtësisë të jetë gjithëpërfshirëse dhe se hetimet, që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës nuk janë përpjekje për të gjykuar betejën tonë kolektive për liri, por mënyrë për të hetuar krimet e supozuara individuale”.
Kosova, sipas presidentes Jahjaga, është e përcaktuar që të ballafaqohet me këto akuza në një proces kredibil dhe do të përmbushë obligimet e saj me përgjegjësi dhe dinjitet, në mënyrë që të përmbyllë këtë kapitull, që do të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.