Programet me pagesë - Bum vjedhjeje në internet | Evropa | DW | 22.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Programet me pagesë - Bum vjedhjeje në internet

Jo pak vetë ndjekin ilegalisht programe me pagesë - filma, ndeshje, serialë. Ofertat për këto vjedhje janë të shumta. As aksioni i fundit policor, në Europë, edhe atë Juglindore nuk ka për ta ndryshuar shumë gjendjen.

Shifrat nuk janë të vogla: Më shumë se 200 servera ilegalë janë hequr këtë javë nga rrjeti në Europë, servera që kanë ofruar ilegalisht programet e Pay-TV. Kompjuterat e konfiskuar ishin në përdorim në Gjermani, Francë e Holandë. Hetime u zhvilluan edhe në Greqi e Bullgari. Sipas vlerësimeve, dëmi kap shifrën e afër 6.5 milionë euro. Nga Autoriteti Europian i Drejtësisë, Eurojust thuhet, se ky akvititet kriminal i organizuar është zgjeruar ndjeshëm.

Ajo që nuk thonë autoritetet është se serverat e çaktivizuar, 200 syresh, janë vetëm një pjesë shumë e vogël e skenës së vjedhjes së programeve në internet. Ka shumë ofrues ilegalë të „streaming". Ekspertët e dinë, se të veprosh kundër këtij fenomeni nuk është e lehtë. Kjo lidhet edhe me teknikën, me të cilën shpërndahen sot përmbajtjet televizive që duhen marrë vetëm pas pagesës, shumë e lehtë për t'u shtënë në dorë nga hakerat. „Shumica e hakerave përdorin një sinjal televiziv normal", thotë Nico Jurran, redaktor i specializuar i revistës kompjuterike „c't". Aktualisht përdoren dy metoda.

Hakerim apo shpërndarje?

Shpesh hakerat blejnë si të tjerët një abonim të televizionit me pagesë. Ata e marrin sinjalin e këtij programi, të cilin duan ta ofrojnë ilegalisht dhe e memorizojnë sinjalin televiziv, duke hequr prej aty kodimin. Më pas ky program mund të shpërndahet ilegalisht. Mundësia e dytë është e ashtuquajtura „shpërndarja e kartës". „Në këtë rast një kartë „chip" e blerë futet në një „receiver" të veçantë", thotë Jurran. Të dhënat e kartës më pas mund të shpërndahen, kështu që përdorues të tjerë kanë mundësi të marrin përmbajtjet e Pay TV. Pra ofruesi i programeve me pagesë shet një abonim të zakonshëm, por ky përdoret pastaj nga dhjetëra, në mos qindra vetë të tjerë, edhe këtu ofruesit e programeve me pagesë humbasin shumë para.

Nico Jurran c't (Heise Mediengruppe)

Nico Jurran

Spektatorët e programeve ilegale streaming kanë një preferencë të madhe: futbollin, sidomos Bundesligën. Gjë që nuk të habit, nëse mund të shikosh listën e ofruesve legalë. Sepse kush do të shohë të gjitha ndeshjet e klubit të tij të preferuar, duhet të paguajë 20 ose 30 euro në muaj. Pra streaming ilegal është në këtë rast joshës, sidomos kur në internet ke një sërë ofertash për këtë. Ndeshjet e Bundesligës, që ka disa kohë që po ofrohen edhe në Kinë nga televizionet atje, janë shumë të lehta për t'u çkoduar edhe nga hakerat kinezë.

Ofruesit e Pay-TV mund ta kufizojnë vetëm përkohësisht kodin

Sipas Nico Jurran aksioni aktual në të gjithë Europën kundër përmbajtjeve ilegale në internet nuk ka për të sjellë ndonjë ndryshim të madh. „Ajo që kemi parë është një nga shumë aksione të tilla. Por as këto aksione nuk kanë ndryshuar gjë." Kjo edhe pse ofruesit e Pay TV i kanë përforcuar masat e sigurisë. Ende para disa vjetësh, ishte shumë  e thjeshtë të gjeje kodin, kjo ka ndryshuar. Ofruesit e Pay-TV dërgojnë rregullisht informacione të reja të koduara tek kartat, të cilat detyrimisht ndërrojnë të dhënat.

Por edhe kjo mund të bëhet vetëm deri në një pikë të caktuar. „Televizionet nuk mund të shkojnë shumë larg, sepse ate e dinë që në fund njerëzit, që duan ta marrin sinjalin ilegalisht, duhet ta marrin atë pa defekt. „Në plan afatagjatë ata do të veprojnë kështu, që unë duhet të kem gjithmonë një mundësi të dytë verifikimi përmes internetit", thotë Jurran.

Receiveri dërgon sinjal në shtëpi

Në praktikë kjo do të thotë, që receiveri i ofruesit të programeve me pagesë duhet të jetë i lidhur me internet e duhet të dërgojë një sinjal të rregullt tek ofruesi i Pay TV. Vetëm kështu mund të sigurohet, që nuk janë të manipuluara as karta dhe as receiveri. Për hakerat do të bëhej më e vështirë. Por nëse me këtë teknikë do të ndalej plotësisht vjedhja e programeve me pagesë nuk dihet. Kontrolli i kësaj jave tregoi: në këtë biznes ilegal lëvizin shumë para. 150 konto të PayPal u bllokuan. E kur dihet, se si rregull veprohet vetëm kundër ofruesve të përmbajtjeve ilegale e jo kundër konsumatorëve të tyre, mund të mendohet, se vjedhja e mëtejshme e programeve me pagesë do të vazhdojë: Si gjithmonë: Ku ka një kërkesë, ka edhe një ofertë. Për shumë vetë nuk ka rëndësi, nëse kjo është legale apo ilegale.