Problemet e pazgjidhura të Spanjës | Ekonomia | DW | 23.08.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ekonomia

Problemet e pazgjidhura të Spanjës

Pas vitesh recesioni Spanja, ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës, mundi së fundi të shënojë shifra pozitive rritjeje. Por problemet e vendit nuk mund të quhen kurrsesi të përfunduara.

Kur Angela Merkel para dy vjetësh vizitoi Spanjën frontet ishin të qarta. Nga njëra anë një vend i cili kishte humbur një të gjashtën e fuqisë së tij ekonomike dhe ku një në katër vetë ishte pa punë. Nga ana tjetër kancelarja gjermane e cila kërkonte përpjekje edhe më të mëdha kursimi dhe reformash. Për mediet dhe për pjesën më të madhe të spanjollëve Merkel ishte "e keqja", kujton Jürgen Donges. Profesori në pension në Universitetin e Kölnit ishte atëherë në Spanjë ku kalon shumë kohë. Këtu ka lindur, prej këtej vjen gruaja e tij. Vazhdimisht ai ka bërë publikime për ekonominë spanjolle, është anëtar i Akademisë Mbretërore për Ekonomi dhe Financa në Spanjë.

Armiqësia e hapur me të cilën u prit Merkel e pati shokuar, thotë Donges për DW. Jo vetëm sepse tradicionalisht "raporti mes Spanjës dhe Gjermanisë ka qenë në të vërtetë i mirë", siç thotë ai. Por para së gjithash pasi spanjollët sipas mendimit të tij e fajësojnë pa të drejtë kancelaren. "Kjo fobi ndaj Merkelit dhe Gjermanisë është vetëm për faj të faktit që shumë spanjollëve iu desh të mësonin të përshtateshin pasi për 10 deri 15 vjet kishin jetuar mbi mundësitë e tyre. Ata kërkonin një fajtor dhe e gjetën jashtë shtetit."

Me vetëbesim apo mendjemëdhenj?

Qysh atëherë kanë ndodhur shumë gjëra. Qeveria e Spanjës ka shkurtuar shpenzimet, shumë punonjës të sektorit publik janë pushuar dhe është reformuar tregu i punës megjithë kundërshtimin e sindikatave. Kursi i tkurrjes të ekonomisë një herë për një herë ka ndalur, mes prillit dhe qershorit Produkti i Brendshëm Brendshëm Bruto i Spanjës u rrit me 0,6 për qind ndërkohë që në eurozonë ka stanjacion dhe madje në Gjermani pati rënie.

Arsye e mjaftueshme për qeverinë e Spanjës për ta pritur me vetëbesim këtë herë kancelaren gjermane. Ekonomisti Donges, i cili aktualisht ndodhet sërish në Madrid, konstaton tashmë një "lloj mendjemadhësie". "Kjo shihet edhe në medie: tani papritur Spanja është lokomotiva e madhe e eurozonës dhe të tjerët i kanë keq punët. Ka edhe një lloj kënaqësie për këtë: edhe vetë gjermanët kanë problemet e tyre."

Qeveria spanjolle përpiqet të krijojë atmosferë pozitive para zgjedhjeve në prag, thotë Donges. Megjithatë nuk ka asnjë arsye për të kursyer tani më pak dhe për më pak reforma. Tregu i punës duhet të liberalizohet edhe më tej dhe të rritet produktiviteti, ndryshe Spanja nuk ka asnjë shans në konkurrencën ndërkombëtare. "I them të gjtihëve me të cilët kam të bëj: ruani kursin, kjo është shumë e rëndësishme."

50 vjet papunësi e lartë?

"Spanja është vendi që i ka shkurtuar më shumë pagat vitet e kaluara", thotë nga ana tjetër Heiner Flassbeck. Edhe ai është makroekonomist dhe deri në 2012 kryeekonomist i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Tregti Botërore dhe Zhvillim (UNCTAD). "Ndërkohë niveli i pagave është 15-20 për qind më i ulët se më parë. Në këtë nivel natyrisht nuk ka më kërkesë të brendshme normale."

Por pa fuqi blerëse ekonomia spanjolle nuk mund të ringjallet, thotë Flassbeck. Njoftimet më të reja për suksese për rritjen ekonomike spanjolle dhe përmirësimin e lehtë në tregun e punës nuk kanë pra asnjë kuptim. "Nëse vazhdohet me këtë ritëm do të duhen rreth 50 vjet derisa Spanja të ketë përsëri një papunësi normale."

Edhe rekomandimet e ekonomistëve liberalë si Donges, të cilët kërkojnë shpëtimin tek eksporti, për Flassbeck nuk janë bindëse. "Të gjitha vendet e kësaj bote duan të eksportojnë. Kjo është një luftë për pjesë tregu ku disa zhvlerësojnë monedhat e tyre kombëtare dhe të tjerë ulin pagat." Që në vitet 1930 është parë se kjo lloj gare nuk funksionon, thotë Flassbeck.

Të shtohen borxhet?

Ekonomistë të majtë si Flassbeck apo nobelisti për ekonominë amerikani Paul Krugman rekomandojnë që të forcohet kërkesa për t'i dhënë hov përsëri ekonomisë: me paga më të larta apo programe investimesh të qeverisë, në rast nevoje të financuara me borxhe. Kjo është sidoqoftë më mirë se sa t'i merret fryma me kursime një ekonomie të dobët me papunësi të lartë.

Megjithatë borxhet e Spanjës që deri në krizën financiare kanë qenë gjithnjë të ulëta, kanë arritur tashmë gati 100 për qind të Produktit Kombëtar Bruto vjetor për shkak të shpëtimit të bankave. "Dikush duhet të bëjë borxhe. Gjithnjë është fjala për pyetjen kush i bën borxhet dhe jo nëse bëhen borxhet", thotë Flassbeck. Në fund të fundit për çdo person që kursen është një person që merr borxh. Kur sipërmarrjet marrin borxhe për të investuar dhe buxhetet familjare përpiqen të kursejnë për shkak të krizës, duhet të ndërhyjë shteti. "Për këtë arsye nuk mund të thuhet: shteti ka tashmë 100 për qind borxh dhe nuk mund të bëjë më borxhe."

Ekonomistët liberalë si Jürgen Donges e konsiderojnë absurde thirrjen për më shumë borxhe pasi sipas tyre kjo dëmton aftësinë konkurruese. Flassbeck e sheh rrezikun e madh përkundrazi në një tjetër aspekt: nëse politika ekonomike në Evropë nuk ndryshon, demokracia është në rrezik. "Demokracia nuk mund të rëndohet pa kufi", thotë Flassbeck. "Kur njerëzit janë të dëshpëruar ata zgjedhin dikur parti të çmendura. Dhe atëherë Evropa shpërbëhet."

Në zgjedhjet evropiane në maj partitë e mëdha popullore spanjolle pësuan humbje të forta. Për herë të parë në histori ato morën më pak se gjysmën e votave. Në 9 nëntor mbahen zgjedhje të tjera, ndoshta edhe më të rëndësishme. Atëherë qeveria e Katalonjës, rajonit më të fortë ekonomik të Spanjës, do të ftojë qytetarët e saj të votojnë nëse Katalonja duhet të shkëputet nga Spanja dhe të bëhet e pavarur.

  • Data 23.08.2014
  • Autor Andreas Becker / exh
  • Opinioni Juaj: Na shkruani!
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/1CzXl
  • Data 23.08.2014
  • Autor Andreas Becker / exh
  • Feedback
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/1CzXl