Presidenti Obama arriti të fitojë terren
17 Tetor 2012Lehtësimin kolektiv të përkrahësve të Obamës vërtet mund ta dëgjoje, kur presidenti dha qysh prej fillimit një paraqitje krejt tjetër nga ajo në debatin e parë. Në ndryshim nga paraqitja pasive, gati e përgjumur dy javë më parë, ai duket i angazhuar dhe i vëmendshëm. Ai u kundërpërgjigj me argumentet e Romney-t dhe iu kthye vazhdimisht çështjeve të tij qendrore: forcimit të klasës së mesme dhe garantimit të shanseve të barabarta. Kundërshtarin e tij e akuzoi se përfaqëson vetëm interesat e të pasurve. "Guvernatori Romney thotë se ka një plan pesëpikësh", deklaroi presidenti në Universitetin Hofstra në qytetin Hempstead të shtetit të Nju-Jorkut dhe vijoi: "Guvernatori Romney nuk ka plan pesëpikësh, ai ka një plan njëpikësh dhe ky plan duhet të garantojë, që njerëzit në drejtim të ndjekin rregullat e tyre të lojës.»
Republikani Mitt Romney nuk doli keq, arriti të bindë në pika të veçanta, mirëpo humbi në vlerësimin e përgjithshëm (në ndryshim nga debati i parë). Në një sondazh të parë të stacionit televiziv CNN në radhët e zgjedhësve të regjistruar, të cilët e kishin ndjekur debatin, 46 për qind thanë, se presidenti Obama e fitoi debatin, 39 për qind u shprehën në favor të Romneyt. Dhe 73 për qind deklaruan se presidenti kishte dalë më mirë se ç'pritej. Për Obamën ky ishte një sukses i rëndësishëm, sepse pas duelit të parë ai pati humbur terren. Sondazhet e opinionit qenë zhvendosur në shkallë kombëtare në drejtim të Romneyt (edhe në të ashtuquajturat 'battleground states', shtetet federale amerikane, për të cilat bëhet garë veçanërisht e fortë).
Në fokus gratë
Madje, për shembull në Floridë dhe në Karolinën e Veriut, ish-guvernatori i Massachusetts-it e pati kapërcyer Obamën në disa sondazhe. Romney arriti të mbledhë pikë edhe në radhët e shikuesve të debateve në CNN. Ata i dhanë atij nota më të mira sesa Obamës në temat e ekonomisë, të reformës shëndetësore dhe të politikës së buxhetit. Megjithatë, nëse ka fituar edhe një herë në pëlqyeshmëri te shikueset femra guvernatori si në debatin e parë, kjo mbetet të shihet. Te përdoruesit e Twitter-it një vërejtje e Romneyt hasi menjëherë kritikë: Në kuadër të debatit rreth ligjeve për armët ai bëri të mirëqenë përfundimin se arsyeja, që fëmijët dhe të rinjtë janë të gatshëm për dhunë, ka të bëjë me nënat, që i rrisin vetëm fëmijët. Në vend të ligjeve të reja për armët, tha Romney, vendi ka nevojë për një politikë, e cila forcon partneritetin tradicional. Obama kërkoi rivendosjen e ndalimit të armëve automatike, i cili kishte përfunduar për shkak të rezistencës së republikanëve.
Debati i tretë dhe i fundit zhvillohet më 22 tetor në Floridë. Atje do të flitet vetëm për politikën e jashtme.