1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ponte: Haradinaj është liruar sepse kanë munguar dëshmitë

Mirjana Kühne-Veljkoviq29 Nëntor 2012

Prokuroria nuk ka mundur të paraqesë dëshmitë e duhura për dënimin e Haradinajt, pohon ish - kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për krime në hapsirën e ish-Jugosllavisë, Carla del Ponte.

https://p.dw.com/p/16sex
Fotografi: Reuters

DW: Zonja del Ponte, ju keni qenë kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, kur u ngrit aktakuza kundër Ramush Haradinajt, i cili u lirua si i pafajshëm. Në Kosovë dhe në Serbi nuk është befasuar askush me vendimin e Tribunalit për lirimin e Haradinajt. Po Ju a u befasuat?

Carla del Ponte: Jo, nuk jam aspak e befasuar. Haradinaj është shpallur i pafajshëm edhe në procesin e parë, ndërsa ky ishte tani procesi i dytë. Unë i kam ndjekur të gjitha hetimet kundër tij dhe në bazë të tyre kam përpiluar aktakuzën. Aktakuza është konfirmuar nga një gjykatës i Tribunalit por gjatë procesit ka qenë shumë e vështirë nxjerrja e dëshmive. Disa dëshmitarë nuk janë paraqitur në proces, ndërsa të tjerët kanë ndryshuar deklaratat e tyre. Ky ka qenë problemi kryesor, ndaj Haradinaj është shpallur i pafajshëm. Gjykata e apelit më pas ka vendosur që procesi të përsëritet. Por edhe në procesin e dytë problemi ka mbetur i njëjti: nuk janë paraqitur dëshmitë e nevojshme për dënimin e Haradinajt.

DW: Si e shpjegoni zhdukjen e disa dëshmitarëve e madje edhe vrasjen e tyre?

Carla del Ponte: Unë nuk kam njohuri për rezultatet e hetimeve, që janë bërë në Kosovë lidhur me këto raste, sepse nuk jam më në Hagë. Por fakt është që dëshmitë nuk kanë mundur të paraqiten në Hagë.

DW: Vendimet e fundit kanë shkaktuar në Serbi reagime të shumta negative. Si mund t'u shpjegohet tani serbëve se në Tribunalin e Hagës zotëron drejtësia, sepse atje janë dënuar kryesisht vetëm serbët. Në Serbi nuk i beson më askush këtij Tribunali?

Carla del Ponte: Kjo është e vërtetë dhe unë kam mirëkuptim për Serbinë. Por Serbisë duhet t'i shpjegohen në veçanti të dhënat për rastin Haradinaj - se si erdhi deri te ky vendim. Duhet kuptuar se jo gjithmonë para gjykatave mund të prezantohen dëshmitë e duhura dhe kjo ka si pasojë lirimin e personit të akuzuar. Ajo që mua më shqetëson është vendimi lidhur me procesin e Gotovinës. Ky vendim ishte për mua një befasi shumë e madhe, ndaj Serbia natyrisht që ka pasur të drejtë kur ka reaguar aq ashpër siç ka reaguar. Edhe unë kam qenë e shokuar. Në instancën e parë Gotovina është dënuar dhe dëshmitë ekzistojnë. Kjo natyrisht që nuk është e mirë për drejtësinë ndërkombëtare.

DW: Rasim Ljajiq ka deklaruar se Serbia do ta ulë nivelin e bashkëpunimit me Tribunalin në një nivel teknik. Çfarë do të thotë kjo?

Carla del Ponte: Nuk do të thotë shumë, sepse tani kanë mbetur të përfundojnë edhe proceset e fundit. Kjo nënkupton dërgimin e dëshmitarëve në Hagë, ndërkohë që dëshmitë janë janë depozituar atje prej vitesh. Besoj se ulja e nivelit të bashkëpunimit në një nivel teknik nuk ka asnjë domethënie. Bashkëpunimi teknik do të mjaftojë për vazhdimin e këtyre proceseve.

DW: Pas vendimeve të fundit, raportet mes Serbisë dhe Kroacisë janë acaruar, ndërkohë që disa politikanë në Beograd tani kërkojnë ndërprerjen e dialogut me Prishtinën. Duket se këto vendime po i influencojnë edhe raportet mes shteteve në Ballkan?

Carla del Ponte: Unë nuk mund të deklarohem lidhur me këto gjëra, sepse këto janë çështje politike. Prokuroria e ka kryer punën e vet dhe këtë punë e ka kryer siç duhet. Ndërkohë që përgjegjësinë për vendimet i ka gjykata. Unë mendoj se prokuroria e ka kryer mirë punën e vet.

DW: Deri kur do të vazhdojë punën Tribunali i Hagës?

Carla del Ponte: Atje tani po zhvillohen proceset e fundit dhe besoj se Tribunali do të mbyllet në vitin 2014.