Polonia shpreson për forcimin e krahut lindor të NATO-s | Evropa | DW | 30.08.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Polonia shpreson për forcimin e krahut lindor të NATO-s

Në vend të Donald Trump do të marrë pjesë, Mike Pence në ceremoninë e përkujtimit të 80-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore ne Poloni. Megjithë zhgënjimin, Varshava shpreson tek forcimi i krahut lindor të NATO-s.

US-Präsident Trump begrüßt den polnischen Präsidenten Duda im Weißen Haus in Washington (Reuters/L. Millis)

Presidenti i Polonisë, Duda i gatshëm për t'i plotësuar dëshirat presidentit amerikan, Donald Trump. Këtu gjatë vizitës së tij në Uashington, në qershor 2019

Me javë të tëra qeveria në Varshavë ishte e pushtuar nga krenaria. 80 vjet pas sulmit të Hitlerit kundër Polonisë, qeveria polake do ta përkujtonte këtë ditë më 1 shtator në Varshavë, në një ceremoni ku do të merrte pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Tani presidenti amerikan pas anulimit të udhëtimit në Danimarkë, anulon edhe udhëtimin në Poloni, për shkak të uraganit të rrezikshëm "Dorian" që ka marrë drejtimin për në Florida. Në vend të Trump do të vijë zëvendëspresidenti, Mike Pence në Varshavë, i cili do të qëndrojë krahas politikanëve të tjerë të nivelit të lartë, Angela Merkel e Frank-Walter Steinmeier që më 1 shtator do të përkujtojnë viktimat polake.

Anulimi i vizitës nga Donald Trump është një goditje për qeverinë polake të PiS. "Prania e Trump, duke pasur parasysh prezantimin e historisë polake, do të ishte për ne shumë e rëndësishme", tha Wojciech Kolarski, sekretar shteti në kancelarinë e presidentit polak, Andrzej Duda. Ai kujtoi interesin e mediave botërore, që i kushtuan vëmendje të madhe, vizitës së presidentit Trump në Poloni, e me këtë do të kishin njohur historinë e dhimbshme të Polonisë, vendit të parë viktimë të Luftës së Dytë Botërore. Po edhe nëse Trump mungon, konstelacioni i të ftuarve mbetet i njëjti, dhe qeveria e PiS, tregon me këtë, se aleatët e saj politikë i shikon plotësisht në Perëndim. Rusia as nuk është ftuar.

 Në një gjatësi vale me Uashigtonin 

Por edhe mes partnerëve perëndimorë ka dallime të qarta në marrëdhënie. Ndërsa marrëdhëniet gjermano-polake janë turbulluar nga pretendimi i Polonisë për dëmshpërblime për dëmet e Luftës së Dytë Botërore, midis Varshavës dhe Uashingtonit vihet re një ngjashmëri e madhe, si për shembull, te qëndrimi refuzues ndaj imigrantëve ose te kritika për gazsjellësin gjermano-rus të Detit Baltik. Konservatorët nacionalistë polakë mund të jenë të sigurt, se grindja me Brukselin për reformën e gjyqësorit në Poloni një ditë do të bëhet një çështje e ndjeshme në bisedimet me Uashingtonin. Dhe gjëja më e rëndësishme: siguria e  Polonisë, pa dyshim, garantohet nga Amerika, jo nga Evropa.

"Është e natyrshme që ne po kërkojmë partnerë, të cilët mund ta zbatojnë forcën e tyre ushtarake në kohë reale, pra, t'i përmbushin detyrimet e tyre, sipas nenit 5 të marrëveshjes së NATO-s", thotë Beata Górka-Winter nga qendra hulumtuese e financuar nga shteti, PISM, me seli në Varshavë, në një intervistë me Deutsche Welle-n. Sipas politologes, parimi i solidaritetit mes vendeve të NATO-s, siç parashikohet në këtë nen është një gënjeshtër, "kur nuk ekzistojnë mjetet e duhura ushtarake". Me potencialin ushtarak të tyre, SHBA është vendi i vetëm që mund të mbështesë Poloninë në rast rreziku. Partnerët evropianë të NATO-s, nga ana tjetër, e kanë dëshmuar disa herë paaftësinë e tyre për të vepruar. Kjo u vu re edhe te dështimi i idesë së një ushtrie evropiane.

US-Truppen in Deutschland (picture-alliance/dpa/N. Armer)

Trupa amerikane të stacionuara në Bavari


Çmimi i sigurisë

Kërcënimin më të madh Polonia e sheh te  fqinji në lindje të saj,  Rusia. Që nga shpërthimi i konfliktit të Ukrainës, Polonia ka investuar miliarda euro në modernizimin e ushtrisë. Kjo i jep dashurisë së Polonisë për Amerikën edhe një dimension të veçantë financiar.

Në vitin 2018, Varshava nënshkroi marrëveshjen më të madhe në historinë e saj për armatim. Ajo bleu dy sisteme mbrojtëse me raketa tokë-ajër, të tipit "Patriot" për 4,75 miliardë dollarësh në total. Në shkurt të vitit 2019 porositi edhe 20 sisteme të lëvizshme të tipit "Himars" për rrëzim raketash, me vlerë prej 365 milionë euro. Ajo duket se ka në plan të blejë edhe 32 aeroplanë luftarakë të tipit  "F35", që mund të përdoren për shumë qëllime.


Polonia dëshiron një "Fort Trump"

Donald Trump e çmon nxënësin shembullor të NATO-s, Poloninë, ku shpenzimet ushtarake zënë dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) duke u bërë kështu një nga aleatët e paktë që përmbush kërkesat e NATO-s. Deri në vitin 2030, shpenzimet ushtarake të Polonisë pritet të rriten deri në 2,5 për qind të PBB-së.

Polonia po përpiqet të tërheqë me para edhe sa më shumë trupa amerikane në vend. Aktualisht në Poloni janë stacionuar mbi 4500 ushtarë amerikanë, në kuadër të modelit të NATO-s me rotacion. Pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, trupat amerikane u vendosën jo vetëm në Poloni, por edhe në tre vendet baltike anëtare të NATO-s.

Projekti "Fort Trump", i quajtur kështu nga Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, në Poloni ka një vlerë deri në dy miliardë dollarë. Qeveria e Varshavës do të dëshironte që amerikanët të stacionohen aty përgjithmonë, sepse mekanizmi aktual i stacionimit të trupave me rotacion, nuk është i kënaqshëm për Poloninë.

Donald Trump do të stacionojë në Poloni edhe  1000 ushtarë  shtesë, të cilët do të vijnë nga Gjermania, ku për momentin janë vendosur rreth 35 000 ushtarë amerikanë. Në llogarinë e saj në twitter,  ambasadorja amerikane në Poloni, Georgette Mosbacher, e argumenton këtë hap me fjalët: "Polonia përmbush detyrimin e saj duke paguar një kontribut prej dy përqind të PBB-së, ndërsa Gjermania nuk e bën këtë. Ne do t'i mirëpresim trupat amerikane që vijnë nga Gjermania në Poloni. "

Projekti i diskutueshëm

Kritikët e shohin te ky stacionim një shkelje të Aktit Themelor mes NATO-s dhe Rusisë, nënshkruar në vitin 1997, i cili ndalon vendosjen e përhershme të trupave të NATO-s afër kufijve rusë. Por ekspertja Górka-Winter e sheh si të nevojshme këtë lloj përforcimi të krahut lindor, edhe nëse Rusia nuk e pëlqen atë.
"Nuk ka gjë më të keqe se pasiviteti në marrëdhëniet me Rusinë: Që tani ndodh që Rusia shkel hapësirën ajrore ose ujore të vendeve të tjera. Nëse vazhdojmë të rrimë të qetë, këto shkelje do të shtohen", thotë politologia Górka-Winter. Qëndrimi pasiv i Polonisë mund të provokonte për shembull sulme kibernetike nga ana e Rusisë, thotë ajo.

USA Washington | Andrzej Duda, Präsident Polen & Donald Trump & Mike Pompeo (picture-alliance/Newscom)

Deri në vitin 2030 Polonia do t'i rrisë shpenzimet e armatimit deri në 2,5 % të prodhimit të brendshëm bruto. Donald Trump dhe sekretari i shtetit për punë të jashtme, Mike Pompeo, gjatë një takimi me presidentin polak, Duda, në Uashington. (Qershor 2019)


 

Një pykë në BE

Sipas politologut, Piotr Buras, metoda amerikane për t'i kushtuar vëmendje të madhe atyre vendeve që kanë një marrëdhënie të vështirë me Brukselin, mund të jetë një strategji për përçarjen e BE-së. Kreu i degës së Këshillit Evropian të Marrëdhënieve me Jashtë (ECFR) në Varshavë gjithashtu kritikon "vrapin e Polonisë pas  mirazhit amerikan", që e vë në rrezik bashkëpunimin brenda Evropës.

"Në kushte normale, Polonia mund të ndihmojë në formimin e Evropës, por problemi është se ne po shohim se ajo po shkon në një drejtim tjetër," thotë Buras. Ai jep si shembull konferencën shumë të diskutuar mbi Iranin, që organizoi Polonia në emër të Shteteve të Bashkuara në Varshavë, në shkurt 2019. Kjo konferencë asokohe u bojkotua nga shumë politikanë evropianë. Qysh në vitin 2003, Polonia, me mbështetjen e operacioneve amerikane në Irak, ka shkaktuar një përçarje brenda anëtarëve evropianë të NATO-s.
 

Përvjetor i mbarsur me politikë

Për shkak të pjesëmarrjes së nivelit të lartë, dita e përkujtimit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore në Varshavë, edhe pse Donald Trump nuk do të marrë pjesë, ka për të pasur thekse politike. Varshava dëshiron të flasë kësaj here konkretisht me Amerikën për stacionimin e trupave shtesë amerikane në Poloni. Polonia pret edhe një shtysë për kontratat e mëtejshme të furnizimit me gaz nga Amerika. Këto dy komponente, ushtarët dhe gazi amerikan, kanë përparësi për Varshavën dhe synojnë të forcojnë pozitën e saj ndaj Moskës.