1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika e SHBA 2020 – Çfarë do të jetë e rëndësishme

Michael Knigge
23 Dhjetor 2019

Presidenti i SHBA dëshiron që para zgjedhjeve të arrijë suksese në politikën e jashtme. Por jo vetëm marrëdhëniet me rivalët, Kina e Rusia, janë të vështira. Impeachment do ta prokupojë atë edhe më 2020.

https://p.dw.com/p/3VEeI
US-Präsident Donald Trump
Fotografi: Getty Images/AFP/B. Smialowski

Në politikën e jashtme viti 2020 pritet të jetë një vit i ngjeshur për SHBA. Trump dëshiron t'i arrijë sukseset para zgjedhjeve, për të fituar votuesit e pavendosur. Këtu po sjellim një vështrim të disa prej partnerëve (dhe kundërshtarëve), të cilët do të përcaktojnë politikën e jashtme të Uashingtonit në vitin 2020.

Rusia: Frika nga manipulimi i mundshëm i zgjedhjeve

Që Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA 2016 - është përmendur në mënyrë të përsëritur në seancat e fajësimit të presidentit – ashtu si edhe konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja temat do ta preokupojnë qeverinë në vitin e ardhshëm. "Shqetësimi që ndërhyrja ruse në zgjedhjet e vitit 2016 nuk do të mbetet një çështje e izoluar, është i madh në qeveri dhe në Kongres", analizon Mark Simakovsky, ekspert për Rusinë në institutin Atlantic Council, në një intervistë për DW.”Edhe pse në Moskë do të rezervohen, nëqoftëse Trump i ka shanset e mira. Ai është kandidati i tyre i preferuar.”

Kjo është reciproke: Trump e vlerëson Presidentin Putin, por kohët e fundit ai është i rezervuar, se marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës janë politizuar nga procesi i impeachment, thotë Simakovsky. "Ai nuk e sheh Rusinë si kërcënim dhe nuk është i një mendimi me këshilltarët e tij të sigurisë për këtë çështje", thotë eksperti për Rusinë. Një temë tjetër do të jenë sanksionet që u vendosën ndër të tjera për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në konfliktin e Ukrainës. Kongresi dëshiron t'i ashpërsojë ato, Trumpi do t'i lehtësojë. Simakovsky: "Të lehtësosh sanksionet pa ndryshuar vërtet asgjë, do të kishte pasoja negative për interesat e SHBA në rajon".

USA Washington | Kapitol in Washington
Kapitoli, Qendra e Kongresit AmerikanFotografi: picture-alliance/AP Photo/J. Cortez

Kina: A mund të fillojë një luftë tregtare?

Një komb tjetër i madh, që do të jetë lart në axhendën e Trumpit në vitin 2020, është Kina. Që nga viti 2018 Uashingtoni dhe Pekini kanë mosmarrëveshje tregtare. Sipas mendimit të tij, Republika Popullore e Kinës përmes pagave të ulëta dhe praktikës së saj tregtare po dëmton kompanitë amerikane. Të dy vendet kanë vendosur tarifa ndëshkuese për produktet e njëri-tjetrit – në vlerë prej qindra miliarda dollarësh. Në nëntor 2019 qeveria e SHBA njoftoi një afrim të rëndësishëm në bisedimet për një marrëveshje tregtare.

Por pasi SHBA miratuan ligje të reja në mbështetje të lëvizjes demokratike në Hong Kong, Kina kërcënoi me pasoja. Prandaj marrëveshja ka ngrirë. Kjo është kritike për Trumpin, sepse ai ka nevojë për mbështetjen e fermerëve në shtetet rurale në Midwest për të fituar zgjedhjet. Dhe ata vuajnë nga tarifat që Kina ka vendosur për produktet e tyre në kuadër konfliktit. Ndoshta kjo është arsyeja pse negociatorët amerikanë në mes të dhjetorit ndryshuan qendrim dhe njoftuan për një projekt-marrëveshje të parë tregtare. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të reduktojnë tarifat për mallrat kineze në vlerën e 375 miliardë dollarëve. Por vallja me fuqinë ekonomike Kinën nuk ka marrë fund ende.

Afganistan: Tërheqja e trupave si synim

Në fillim të dhjetorit qeveria amerikane rifilloi negociatat me talebanët. Milicët duhet të dorëzonin armët dhe të pranonin të negocionin me qeverinë afgane. Pastaj, kështu shpresohet, do të stabilizohej situata e sigurisë në Afganistan dhe SHBA mund të tërhiqnin trupat nga vendi, me përjashtim të një kontigjenti të vogël. "Presioni nga opinioni dhe nga Kongresi për të arritur tërheqjen e shpejtë është i madh", thotë Marvin Weinbaum, drejtues i programit për  Afganistanin në institutin Middle East në bisedë me DW.

USA | Nordkorea | Entmilitarisierte Zone | Donald Trump | Kim Jong Un
Ka pasur disa takime Trump-Kim, por pa rezultate konkreteFotografi: Getty Images/AFP/B. Smialowski

Që nga fillimi i presidencës së tij Trump ka punuar për të reduktuar fort numrin e ushtarëve amerikanë në Hindukush. Në vitin e zgjedhjeve për të do të ishte shumë e rëndësishme arritja e një suksesi të tillë. "Ne nuk e dimë saktësisht, se sa do të zgjaste një tërheqje e tillë e trupave, por mendoj se shumica e ushtarëve para zgjedhjeve duhet të jenë jashtë Afganistanit, thotë Weinbaum. Atëherë Trump mund të thotë: "Kur të filloj mandatin tim të dytë, ata do të dalin që andej.”

Koreja e Veriut: Shumë e pakët perspektiva për ndryshime

Në njërën ditë Trump dhe sundimtari i Koresë së Veriut Kim Jong Un festojnë miqësinë e tyre politike, ditën tjetër shkëmbejnë fyerje dhe kërcënime. "Shtetet e Bashkuara me këtë takim kanë bërë një marrëzi, që do t'u kthehet si një bumerang", u tha nga Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut në mesin e dhjetorit, pasi Shtetet e Bashkuara kritikuan në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara testet e raketave të Koresë së Veriut.

Ecejaket do të vazhdojë në vitin 2020. Trump është takuar disa herë me Kim dhe dëshiron që Koreja e Veriut t'i japë fund programit të saj bërthamor. Në rrugën drejt këtij synimi SHBA do të hasin pengesa gjatë vitit të ardhshëm. Pheniani kishte vendosur një afat deri në fund të vitit 2019. Nëse qeveria amerikane deri atëherë nuk do të tregohet fleksibël, ata do të zgjedhin "një rrugë tjetër”.