″Po″ reformës së sistemit federal | Gjermania | DW | 06.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Po" reformës së sistemit federal

Të hënën reforma e federalizmit u miratua parimisht nga kabineti qeveritar i Angela Merkelit, kryeministrat e landeve, si edhe nga fraksionet e Unionit dhe Socialdemokratëve në Bundestag ku rreth saj do të debatohet të premten.

Arsimi shkon në kompetencë të landeve

Arsimi shkon në kompetencë të landeve

Reforma e federalizmit në Gjermani parashikon të ndërrojë me themel të drejtat bazë të federatës dhe landeve. Ajo do të shënonte reformën më të madhe kushtetuese që nga krijimi i Gjermanisë në vitin 1949. Por çfarë parasheh reforma?

Reforma parasheh, më shumë kompetenca për Bundestagun, gjë që do të rriste shpejtësinë e ligjvënies dhe reformave. Një numër i madh ligjesh nuk do të ketë nevojë të kalojnë në Këshillin Federal, pra Dhomën e Landeve, siç ka qenë më parë. "Por kjo reformë është shumë e rëndësishme edhe për qytetarët, sepse në bazë të saj ata do ta dinë më mirë se kush do të jetë përgjegjës për çfarë," – ka sqaruar të hënën në Berlin Angela Merkel mbas mbledhjes së posaçme të kabinetit.

Gjithashtu reforma premton mbrojtje të komunave: Ligjet që do të merren në rang federate nuk duhet të kenë pasoja financiare ndaj tyre. Nga ristrukturimi i kompetencave në arsim do të përfitojnë landet. Ky është çmimi që duhet të paguajë federata për rritjen e kompetencave të Bundestagut. Ky ndërrim ka qenë që në fillim molla e sherrit. Federatës do t’i mbetet vetëm përcaktimi planprogramit të mësimdhënies për arsimin profesional.

Kompetencat e landeve rriten edhe në lidhje me përcaktimin e pagave dhe vendeve të punës për nëpunësit. Landet e varfra kanë rrefuzuar ta pranojnë këtë nga frika se mos nëpunësit më të mirë mund të blihen nga lande më të pasura.

Landet do t'i vendosin vetë rregullat për zhvillimin e demonstratave, të burgimit, të shërbimeve notariale, të banimit të personave që kanë nevojë për përkujdesje dhe të afërmve të tyre, si edhe do ta caktojnë vetë orarin e mbylljes së dyqaneve dhe pijetoreve.

Federata do të marrë më shumë kompetenca në çështjen e mbrojtjes nga terrorizimi ndërkombëtar.

Edhe kompetencat për mjedisin do të përcaktohen sërish. Federata do të jetë më shumë përgjegjëse për mbrojtjen e pasurive natyrore, të pejsazhit dhe të burimeve ujore. Kjo krijon mundësinë për të hartuar legjilsacionin e parë për mbrojtjen e mjedisit.

Federata do të ketë më shumë kompetenca edhe sa u përket regjistrimeve policore, mbrojtjes së të mirave kulturore gjermane jashtë shtetit, armëve dhe lëndëve shpërthyese si edhe pasojave të luftës dhe të energjisë bërthamore.

Përmes një neni të ri në kushtetutë do të fiksohet detyrimi i federatës dhe landeve për t'iu përmbajtur buxhetit. Gjobat ndaj Bashkimit Evropian do të ndahen 65 me 35 për qind mes federatës dhe landeve.

Gjithashtu do të kufizohen të drejtat e landeve në Bashkimin Evropian. Këtej e tutje ato do ta përfaqësojnë Gjermaninë vetëm kur të diskutohen çështje të tilla si arsimi shkollor, kultura dhe radiotelevizionet.

Do të forcohet funksioni i Berlinit si kryeqytet që përfaqëson gjithë shtetin, gjë që do ta marrë përsipër financiarisht federata.

Të premten reforma do të debatohet fillimisht në Bundetag dhe pastaj në Këshillin Federal.

  • Data 06.03.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1C
  • Data 06.03.2006
  • Autor Anila Shuka, Berlin
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1C