Planet e Trumpit për të rrëzuar qeverinë në Venezuelë | Bota | DW | 03.04.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Planet e Trumpit për të rrëzuar qeverinë në Venezuelë

Në mes të krizës së Coronës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërgojnë anije luftarake dhe aeroplanë zbulimit në Detin e Karaibeve. Presidenti Trump po shfrytëzon momentin për të rritur presionin ndaj regjimit të Maduros.

Fjalimet e përditshme të Presidentit Trump janë bërë pjesë përbërëse e ditëve të karantinës për familjet amerikane. Deri në tetë milion amerikanë i ndjekin përditë para ekranit Presidentin Donald Trump dhe ekipin e tij të ekspertëve, kur paraqesin shifrat dhe zhvillimet e fundit në krizën e Coronës.

Por të mërkurën shumë amerikanë u habitën, kur në vend që të fliste për infeksionet Trumpi dhe ministri i Mbrojtjes Mark Esper njoftuan se një nga operacionet më të mëdha ushtarake amerikane të viteve të fundit në Karaibe – një mision antidrogë me anije luftarake dhe avionë zbulimi – si dhe prania ushtarake në rajon do të dyfishohen.

CNN e ndërpreu transmetimin e konferencës për shtyp vetëm pas disa minutash, sepse sipas ekspertëve Presidenti po shpërdoronte skenën në selinë e shtypit të Shtëpisë së Bardhë për manovra elektorale.

Paralele me pushtimin e Panamasë

Qeveria e SHBA-së natyrisht jep një shpjegim të ndryshëm duke cituar Trumpin, që tha në konferencën për shtyp se do të "mbrojë Amerikën nga kthetrat vdekjeprurëse të drogave të paligjshme". Kurse ministri i Mbrojtjes Esper e bëri të qartë se qeveria amerikane ka në shënjestër edhe sundimtarin e Venezuelës, Nicolas Maduro, regjimi i të cilit varet nga shitjet e drogës. Sipas Esper njerëzit vuajnë jashtëzakonisht shumë si rezultat i "sundimit kriminal të Maduros ".

Manovra e tanishme sjell në kujtesë ndërhyrjen e SHBA-së në Panama në 1989, për rrëzimin e sundimtarit të atëhershëm Manuel Noriega. SHBA e akuzuan edhe atë për kontrabandë droge dhe më pas e vunë në bankën e të akuzuarve.

Gjykata e Nju-Jorkut e akuzon edhe Manduron si dhe 14 politikanë të tjerë venezuelianë për "narko-terrorizëm, korrupsion, kontrabandë drogash dhe vepra të tjera penale" dhe kanë shpallur një shpërblim prej 55 milion dollarësh për kapjen e tyre.

Hipokrizi e Shtëpisë së Bardhë

Eksperti i Venezuelës, Geoff Ramsey, pranë Zyrës së Uashingtonit për Amerikën Latine (WOLA) paralajmëron në një koment për "Washington Post", se edhe pse sasia e kokainës që vjen në Shtetet e Bashkuara nga Kolumbia përmes Venezuelës është "domethënëse", kjo është vetëm një pjesë e kokainës që kontrabandohet në SHBA me mënyra të tjera. Venezuela "nuk është një vend i madh tranziti për drogat e kontrabanduara në Shtetet e Bashkuara", shkruan Ramsey, duke iu referuar të dhënave të fundit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Sipas Ramsey, pas aksionit ushtarak ndaj Venezuelës fshihet shumë më tepër sesa dëshira e SHBA-së për të ndaluar kontrabandistët e drogës.

Manovër e Trumpit

Disa e shohin shtimin e pranisë ushtarake në Detin e Karaibeve si një manovër klasike për të tërhequr vëmendjen nga vështirësitë e Trumpit në politikën brendshme, pasi ai e mohoi për një kohë të gjatë problemin e Coronës, masat filluan të merren me mjaft vonesë dhe pasojat për SHBA-në tani janë të rënda.

Kurse korrespondenti i DW José Briseño, i cili po ndjek situatën në Venezuelë nga Uashingtoni, beson se Shtëpia e Bardhë sheh tani një mundësi për të rritur presionin ndaj regjimit të Maduros në përpjekjet e saj që synojnë ndryshimin e regjimit në Venezuelë.

Nga ana tjetër sipas Briseños Venezuela ka rreth dhjetë vjet që luan një rol të rëndësishëm në kontrabandën e drogës dhe për këtë shkak shtrohet edhe më tepër pyetja, se përse SHBA po nis një operacion kaq të vështirë pikërisht në mes të krizës së Coronës.

Pasojat e pandemisë për Venezuelën janë katastrofale jo vetëm në sektorin ekonomik, por edhe atë shëndetësor. Virusi i jep presidentit Trump mundësinë për ta zgjidhur konfliktin e vjetër me regjimin e Manduros dhe për të sjellë në pushtet një qeveri të përkohëshme.

Manduron e mbështesin sot vetëm Rusia dhe Kina. Por gjendja në vend është tejet e rëndë, një ndër tre venezuelianë nuk ka ushqim të mjaftueshëm dhe në disa pjesë të vendit është shpërbërë sistemi i furnizimit me ujë.

Autor: Oliver Sallet