1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perspektiva mbetet teori

Carola Hoßfeld8 Shtator 2005

Kongresi i Renovabis për pasurinë dhe varfërinë e re në Evropë

https://p.dw.com/p/Ar2p

Në fundjavën që kaloi në Freising pranë Münihut u mbajt kongresi ndërkombëtar Renovabis. Kështu quhet aksioni solidarizues i katolikëve gjermanë me njerëzit në Evropën Lindore. Ky projekt mbështet projektet fetare dhe sociale dhe përpiqet të krijojë lidhjet ndërmjet iniciativave fetare dhe atyre jofetare në vende të ndryshme. Konferenca e ketij viti, që eshte e nënta me rradhë, titullohej "Pasuri e re, varferi e re". Rreth 340 përfaqësues nga 24 vende diskutuan për zhvillimet në vendet ish komuniste e për perspektivat e një të ardhmeje më të mirë.
Të rinj të kualifikuar ikin në perëndim. Familjet shkatërrohen. Papunësia është e lartë, puna në të zezë lulëzon. Për shkak të transformimeve sociale në Evropën Lindore është i domosdoshëm një angazhim civil, angazhim i secilit për kolektiven. Por e ashtuquajtura shoqëri civile, një arritje e perendimit, është një bimë e njomë në vendet ish komuniste. Kishat perëndimore dhe tani edhe kishat ortodokse përpiqen që përmes projekteve sociale të ndihmojnë për një jetë më të mirë. Ata mundohen të forcojnë vlerat e krishtera që u vënë rëndësi vlerave morale. Kryepeshkopi Ivan Devcic nga Rijeka në Kroaci thotë:
"Kjo tematikë "pasuri e re, varferi e re" eshte e lidhur ngushtë me çështjen e vlerave. Ekziston një indeferentizëm ndaj të varfërve, një qëndrim se tjetri nuk është bota ime, nuk ka rëndësi për mua. Kështu që unë mendoj se problemet evropiane janë më shumë shpirtërore dhe morale. Dhe jo materiale. Evropa i ka materialisht mjetet, që njerezit të jetojnë mirë, por problemi është a jemi të gatshëm të tregohemi solidarë."
Solidariteti dhe ndihma me qëllim që tjetri ta marrë veten, janë tema urgjente.
Diskutimet në podium u dominuan nga problemet thelbesore për Evropën. Dhe këtu në rradhë të parë për Evropën e vjetër. Ish kryeministri i landit Baden Würtemberg, Erwin Teufel, tha se qytetarët nuk janë të kenaqur me një Evropë, si ajo që drejton Brukseli.
"Në jeten e perditshem ata përjetojnë zhgënjime. Fshatari irritohet, se duhet të plotësojnë kërkesa të komplikuara, për të cilat i duhet keshilltar, sepse nuk e ben dot vetë. Ai shqetesohet se duhet të kalojë më shumë kohë para kompjuterit se sa duke punuar në arë."
Përderisa të mos ndryshojë burokracia e Brukselit, do të shtohet pakënaqesia e qytetarëve, tha Teufel. Ai propozoi:
"Evropa shihet nga qytetaret si një krijesë zentraliste, në të cilën nuk dinë se ç´bëhet. Ka një recetë se si mund ta kthejmë për së mbari Evropën, se si ta lidhim unitetin, që është i nevojshem, me shumëllojshmerinë. Kjo eshte e domosdoshme. Cdo gjë uniforme është joevropiane. Receta për këtë është parimi i subsidiaritetit."
Parimi i subsidiaritetit vjen nga filozofia sociale katolike. E thjeshtuar do të thotë se shteti mund të nderhyjë vetem atëherë, kur nuk mund të ndihmosh më vetveten.
Edhe Reinhard Marx, peshkopi i Trierit, u dha një rëndësi të madhe parimeve të subsidiaritetit për Evropën. Cështja kryesore për Evropën është krijimi i drejtësisë sociale. Pikërisht Evropa Lindore ndodhet para detyrës, për të zhvilluar një "kapitalizëm social" një "ekonomi sociale tregu".
"Ekonomi sociale tregu nuk do të thotë të liberalizojmë një here ekonominë e tregut e ajo, që mbetet, t´ua shpërndajmë të varfërve. Kështu nuk ishte ideja. Të mos harrojmë se duhet vënë korniza dhe në këtë kornizë të lëmë të punojë i lirë tregu dhe të mos nderhyjmë në këtë treg."
Ky kombinim nuk është arritur shpesh në Evropën Lindore. Për këtë arsye hendeku të varfër të pasur rritet.

"Kjo nuk ka të bëjë me kapitalizmin, por në kuptimin e gabuar të kapitalizmit dhe të përgjegjësisë për politikën dhe rendin. Drejtesia sociale është një proces i vazhdueshem. Ajo presupozon, që të këtë parti politik, që janë të ndershme, dhe një juridiksion, që është neutral."

Analizat e mprehta të konferencës u aprovuan nga pjesëmarrësit, nder ta edhe shumë përfaqësues të ortodoksisë. Por ndonje ishte i zhgënjyer pas asaj që priste nga takimi. Shumë teori pak shembuj nga praktika, ishte kritika e rezervuar. Teodora Polimenova nga Bullgaria: "Kur degjova, se gjermanët dhe të tjerët mendojnë për projektin Evropa dhe se si mund t´i argumentojnë vlerat e perbashkëta, mendova se është pak e tepert, të flasësh kaq gjatë për "projektin Evropa", kur nuk i njohim ndryshimet strukturore të vendeve të ndryshme. Prandaj jemi ketu për të marrë vesh, se si është gjendja në Evropën Lindore dhe ku janë ndryshimet ndermjet doktrinave tona sociale. Një "projekt i përbashkët Evropa" nuk është i mundur, nqs ne nuk e njohim njëri tjetrin. Mua më mungojnë informacionet konkrete."
Palimova informoi për një projekt për 80 fëmijë jetime, shumica romë në afërsi të Sofies. Puna që bëhet është honorifike.

"Grupe të vogla prej nesh vizitojnë këtë shtepi fëmijësh. Qëndrojmë nga e premtja deri të dielën aty dhe punojmë me fëmijët sipas një programi: Që do të thotë ndihmë për detyrat, gatuajmë së bashku, laujmë së bashku. Dhe se bashku me një prift celebrojmë eukaristinë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe këtu qëndron dallimi nga puna sociale e organizatave të tjera. Ne perpiqemi t´u tregojmë fëmijëve, se pranohen si person nga zoti në eukaristi. Si persona që zoti i do dhe kanë po aq vlerë sa edhe njerëzit e tjerë."

Qëllimi i konferencës së përvitshme renovabis është thellimi i rrugës drejt një Evrope sociale sipas bazave të krishtera. Një rrugë e gjatë dhe e vështirë, siç u dëshmua në Freising. Ndihma materiale, që Renovabis vë në dispozicion për projekte në Evropën Lindore nuk i plotëson nevojat. Megjithatë kryepeshkopi Ivan Devcic nga Kroacia bën një bilanc pozitiv.
"Kjo nuk mund të mbetet pa pasoja për vendet, nga kanë ardhur njerëzit. Ne kthehemi me pershtypje të reja. Njerez nga vende të ndryshme kanë degjuar ketu diçka të perbashkët dhe kanë shkëmbyer pervoja. Keshtu krijohet bashkesia. Ne duhet të mendojmë se diçka që do të zgjasë duhet të vijë nga poshte."