1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pavarësia dhe vetoja

Bahri Cani11 Qershor 2007

Mbështetja e hapur e pavarsisë së Kosovës prej presidentit amerikan Xhorxh Bush, është kundërshtuar ashpër në Beograd

https://p.dw.com/p/ArUM
Fotografi: AP

Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica tha se presidenti Bush dhe Amerika nuk mund t'ia falin askujt tokat serbe. Ndërkohë politikanë të tjerë thonë se çështja e Kosovës nuk varet prej SHBA, por prej Këshillit të Sigurimit.

Çfarë mendojnë analistët dhe ekspertët serbë?

Presidenti amerikan Xhorxh Bush në Romë, Tiranë dhe së fundi në Sofje, nuk la asnjë dilemë: SHBA mbështesin pavarësinë e Kosovës. Kryetari i Forumit për raporte etnike në Beograd, Dushan Janjiq thotë se në deklaratat e presidentit Bush kishte disa mesazhe. "Së pari ai i drejtohet nikoqirëve dhe popullit shqiptar, si popullit më dashamirës në Ballkan. E dyta, rifreskon premtimet e veta për pavarësinë, sepse shqiptarëve u është premtuar se pavarësia e Kosovës do të vijë vitin e kaluar. Bush në këtë mënyrë i drejtohet edhe opinionit të brendshëm. Para disa muajve ai ka vendosur që t'ua marrë demokratëve nga dora letrën për pavarsinë e Kosovës, pas kritikave se nuk është në gjendje të vazhdojë politikën e sukseseve ushtarake në Ballkan" mendon Janjiq.

Dilema e vetme në këtë moment është nëse SHBA janë të gatshme ta njohin pavarësinë e Kosovës pa vendimin e Këshillit e Sigurimit të OKB, mendon bashkëpuntori i Fondacionit për shkencë dhe politikë në Berlin, Dushan Reliq.
"Nuk ka asnjë dilemë që në Tiranë presidenti amerikan Xhorxh Bush ka mbështetur pa rezervë pavarësinë e Kosovës. Mirëpo nuk ka caktuar afate të sakta, ndonëse u angazhua për zgjidhjen e shpejt të statusit. Bush nuk e tha saktësisht se është i gatshëm ta pranojë pavarësinë e Kosovës, në qoftë se dështojnë përpjekjet për miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB. Një rol të veçantë këtu luan fakti që BE nuk do të mund të marrte përsipër misionin në Kosovë, pa vendimin e KS. Me njohjen e pavarësisë pa vendimin e Këshillit të Sigurimit, Bush do të dëmtonte BE dhe do t'i sillte partnerët evropian në një situatë shumë të vështirë. Prandaj mendoj se Uashingtoni do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje politike në bisedimet me partnerët evropianë dhe Rusinë", thekson Reliq.

Deklaratat e presidentit amerikan erdhën vetëm pak kohë pasi që presidentët Bush dhe Putin nuk u dakorduan në Hajligendam për Kosovën dhe vetëm një ditë pas premtimit të Putinit dhënë kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica, se Moska do t'i mbrojë interesat e Beogradit. Pas samiti të G8 u fitua përshtypja se ekziston gatishmëria për marrëveshje, ndërsa disa ditë më vonë se marrveshja është më larg se kurrë më parë. "Mendoj se Bush dhe Putin kanë ardhur në një periudhë konfliktesh të hapura për çështjen e Kosovës. Kjo shihet edhe nga fakti se presidenti Bush mbështeti pavarësinë e Kosovës, vetëm një ditë pasi Presidenti Putin i tha Koshtunicës në Shën Peterburg se nuk do të heqë dorë nga parimet e veta. Mirëpo Kosova është vetëm një problem i vogël në këto raporte, sepse kemi të bëjmë me një varg problemesh tjera më të rëndësishme, siç janë Iraku, Afganistani, Irani dhe ngritja e sistemeve raketore", pohon Reliq i cili është i bindur se presidenti Putin në këtë momënt është i gatshëm të përdor veton kundër pavarsisë së Kosovës.

"Shkaku është shumë i thjesht: Rusia nuk do të fitonte asgjë në qoftë se pajtohet me politikën amerikane dhe perëndimore ndaj Kosovës. Përkundrazi, Putin i cili së shpejti përfundon mandatin e fundit si president, dëshiron që në histori të futet si një politikan i fuqishëm, i cili Rusinë e ka rikthyer në skenën ndërkombëtare, si partner të barabartë me Amerikën", thotë Dushan Reliq.