1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pak para dhe shpresë

Sabine Kinkartz30 Gusht 2006

UNICEF-i shoqata gjermane për mbrojtjen e fëmijëve dhe shoqata për fëmijët kanë kërkuar nga qeveria gjermane një plan aksion kundër varfërisë së fëmijëve

https://p.dw.com/p/Aqzc
Fotografi: AP
Disa lajme duhet t´i shohësh dy herë për t´i kuptuar. Në Gjermani, njërin nga vendet më të pasura të botës jetojnë gjithnjë e më shumë fëmijë në varfëri. Pasojat janë befasuese. Ofertat për kohën e lirë janë shumë të shtrenjta. Vizita në kopshtin zoologjik të Këlnit përshembull kushton për një familje me dy fëmijë 36 euro, dhe vizita nuk bëhet dot, nëqoftëse prinderit jetojnë nga ndihma sociale. Edhe më keq. Shanset për arsimim të mirë bien me prejardhjen shoqërore të fëmijëve. UNICEF-i shoqata gjermane për mbrojtjen e fëmijëve dhe shoqata për fëmijët kanë kërkuar nga qeveria gjermane një plan aksion kundër varfërisë së fëmijëve. "Dikur kam shkuar me qejf të notoj, por tani nuk është më e mundur, sepse bën shtrenjtë të shkosh në pishinë." "Mamaja mund të na ushqejë për dy javë me 20 euro, kjo ka më shumë rëndësi se sa të luash volejboll." Para nuk ka për sport, për udhëtimin me klasën, apo për dhuratën, kur ftohen në ditelindjet e fëmijëve. Xhinset e vetme thahen gjatë natës pranë kaloriferit për t´u veshur sërish mengjezin tjetër. Për mesditë makarona, apo ndonjë qebab sepse atë mund ta blesh edhe për një euro. Për 2,5 milionë fëmijë në Gjermani kjo është e përditshmja, ata jetojnë me ndihmë sociale. 207 euro janë në dispozicion për një fëmijë, nëqoftëse prindërit marrin Hartz IV, mbështetje nga shteti. Kancelarja Angela Merkel e mbron këtë shumë. "Gjermania është një vend, që e ka të sanksionuar minimumin e ekzistencës për fëmijët. Për nivelin mund të diskutohet. Ne kemi 207 euro në muaj për fëmijët deri në 13 vjeç. Sigurisht që është e vështirë për prindërit të përballojnë presionin nën të cilin ndodhen, sidomos me rendësinë që u kushtohet markave të veshjeve. Nga ana tjetër është një minimum, që u është siguruar fëmijëve." Por vetëm në rast se paratë mbërrijnë te fëmijet. Sepse nuk është gjithnjë kështu, askush nuk kontrollon se për se i shpenzojnë paratë prindërit. Për Heinz Hilgers presidentin e shoqatës për mbrojtjen e fëmijeve, situata është vështirësuar, që kur janë hequr disa ndihma sociale. Prandaj ai është i mendimit se :"Duhet të mendojmë edhe një herë, në se ishte e drejtë, që përmes ngritjes me 15 euro në muaj të ndihmës sociale të hiqen të gjitha ndihmat e tjera anësore, si për veshje, mjete shkollore, udhëtimin për në shkollë. Besoj se është më reale, sikur t´i fusim përsëri këto ndihma, që nga këto të holla të përfitojnë fëmijët, edhe në familjet e vështira." Familje të vështira janë ata, ku prindërit kanë rënë nga gjendja, sepse për vite me rradhë nuk kanë gjetur punë dhe nuk ia dalin dot mbanë me jetën e tyre. Duke patur parasysh rrethana të tilla Heide Simonis, kryetarja e Unicefit për Gjermaninë kërkon kontroll me të fortë të shtetit në favor të fëmijëve. "Fillimisht duhet të përpiqemi të gjithë, që të mos përdoret argumentimi, se shteti nuk duhet të përzihet në politikën familjare, sepse kjo është detyrë e prindërve dhe askush nuk mund të përzihet. Shteti është i detyruar dhe e ka marrë përsipër me konventat për të drejtat e fëmijeve, se çfarë duhet të bëjë. Dhe kur shikon se sa kollaj trajtohet kjo temë përshembull në Danimarkë, se ndihmësit vijnë në shtepi. Atje kjo nuk shihet si kontroll për të varfërit, por si ofertë për ndihmë, për të cilën një ditë nuk do të kenë nevojë." Masat sigurojnë edhe parandalimin e sëmundjeve për fëmijet. Ai nuk kryhet si duhet në familjet e varfëra në Gjemrani, thotë presidenti i shoqatës për mbrojtjen e fëmijëve Hilgers."Nuk duhet të ndodhë, që në lagjet e pasura 100 për qind e fëmijëve t´i kryejnë kontrollet profilaktike dhe në ata lagje që janë të varfra vetëm 40 për qind. Dhe kjo vlen sigurisht edhe për vaksinimet. Prandaj jemi për masa të detyrueshme, që ne rast nevoje të kontrollohet, nëse një fëmijë shkon në kontrollin profilaktik." Presidenti i mëparshëm Roman Hercog mendon që të drejtat e fëmijëve të sanksionohen në kushtetutë. Fëmijet pa shanse janë të papunët e së nesërmes, thotë Hercog. Këtë e di edhe kancelarja Angela Merkel, e cila mbështet kërkesën e Hercogut për sanksionomin në kushtetutë. Kancelarja mendon, që kopshti në Gjermani të jetë së shpejti falas. Kjo po arrihet gradualisht në lande. Kopshti është i rëndësishëm për gjuhën dhe komunikimin e fëmijëve, thotë Merkel. Përveç kësaj do të niveloheshin dallimet sociale. Presidenti i shoqatës së fëmijeve Hilgers sheh edhe avantazhe të tjera. "Sidomos fëmijët, që jetojnë në varfëri, kanë nevojë për shkollim dhe edukim gjithë ditën, sepse atëherë kanë një ambjent më stimulues. Atëherë sporti dhe muzika mund të bëhet në shkollë, ku të jenë në dispozicion edhe interneti dhe kompjuteri. Gjithçka që për 10 milionë fëmijë të tjerë në Gjermani është e vetëkuptueshme." Për një gjë janë të gjithë dakord. Lufta kunder varfërisë të fëmijeve është një detyrë e gjithë shoqërisë.