Pak optimizëm megjithë Omikron | Bota | DW | 23.12.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Pak optimizëm megjithë Omikron

Varianti i ri Omikron po kthehet në variantin sundues të Coronës. Tani sipas një studimi nga Afrika e Jugut duket se ky variant shkakton ecuri më të lehtë të sëmundjes, krahasuar me variantet e tjera.

Mesazhi që vjen pas katër javësh përhapjeje të variantit Omikron është optimist. "Në Afrikën e Jugut, Omikron sillet në një mënyrë të tillë që shkakton më pak ecuri të rëndë të sëmundjes", u shpreh Cheryl Cohen, një nga autoret e studimit në një konferencë shtypi virtuale të Institutit Kombëtar për Sëmundjet Infektive, NICD. Studiuesit për këtë krahasuan rastet e konfirmuara me Omikron dhe me Delta nga fillimi i tetorit deri në fund të nëntorit. "Në këtë periudhë mundësia për të përfunduar në spital me Omikron ishte 80% më e ulët, se në rastin pa Omikron", citon ARD, studiuesen Cheryl Cohen.

Cheryl Cohen, Zweli Mkhize und Joe Phaahla

Cheryl Cohen nga e majta, dhe ministri i Shëndetësisë së Afrikës së Jugut, Zweli Mkhize para mediave (foto ilustruese, 5 Mars 2020)

Më pak raste të rënda, përqindje më e ulët vdekjeje

Edhe numri i pacientëve me ecuri të rëndë të sëmundjes ishte më i vogël, se në variantet e mëparshme të Coronës, thanë studiuesit. Pacientet e pacientët duhet të trajtoheshin më pak në kohë, më pak persona duhet të intuboheshin, e po ashtu më pak persona ndërruan jetë. Nëse në valën e dytë dhe të tretë të pandemisë në klinikat afrikano-jugore kishte më shumë se 20% të rasteve të vdekjeve me Covid-19, rastet e vdekjeve me Omikron janë vetëm 6%.

"Përqindja e vdekjes është aktualisht shumë e ulët", u shpreh Waasila Jassat për NICD- "Në spitalet shtetërore ajo është disi më e lartë, se në klinika privtae, por kudo ajo është më e ulët se në çdo kohë tjetër të pandemisë."

Arsyet duhet të studiohen

Është ende enigmatike për studiuesit, se pse po ndodh kjo në Afrikën e Jugut. Arsye të mundshme, sipas Jassat, mund të jenë "që shumë njerëz kanë imunitet, sepse janë vaksinuar, ose kanë qenë njëherë të infektuar. Por mund të lidhet edhe me atë, që Omikron është më pak agresiv. Kemi nevojë për më shumë studime për ta gjetur këtë."

Sipas të dhënave deri në 70% e njerëzve në Afrikën Jugore janë shëruar nga Corona. E qartë është që Omikron ndërkohë në Afrikën Jugore është variant sundues. 98% e testeve pozitive të para në laborator janë me Omikron. Shumë vende kanë shtrënguar masat pas përhapjes së variantit të ri, Omikron.

la/ag