1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pa maska e distancë: Protesta të mëdha në Berlin

29 Gusht 2020

Dhjetëra mijëra vetë u grumbulluan në Berlin në një demonstratë kundër kufizimeve të vendosura për zbutjen e pandemisë së Coronës, pa respektim të masave për mbajtjen e protestës. Një demonstratë u shpërbë nga policia.

https://p.dw.com/p/3hkLE
Deutschland Berlin Protest gegen Corona-Maßnahmen
Fotografi: Reuters/A. Schmidt

Të shtunën (29.08) protestuan dhjetëra mijëra vetë në Berlin kundër kufizimeve të Coronës. Në masë të madhe protestuesit nuk respektonin masat mbrojtëse kundër pandemisë. Në demonstratë morën pjesë shumë më tepër persona, se sa ishte menduar, një sfidë për autoritetet e sigurisë në Berlin, shkruan dpa.

Deutschland Berlin Protest gegen Corona-Maßnahmen
Fotografi: Reuters/A. Schmidt

Përreth zonës qeveritare në Berlin u grumbulluan tre grupime të madhe njerëzish dhe mitingje. Shumë demonstrues, ngjitur me njëri-tjetrin dhe pa maska, vazhduan rrugën nga Porta e Brandenburgut drejt Friedrichsstraße në Berlin, deri kur policia për shkak të mos respektimit të masave mbrojtëse, e deklaroi të përfunduar demonstratën. Kurse një protestë në monumentin e fitores dhe një miting i ekstremistëve të djathtë dhe nacionalistëve para ndërtesës së Bundestagut zgjati deri në orët e pasdites.

Përplasje të dhunshme

Sipas të dhënave të policisë, në momentin e shpërbërjes së demonstratës ka pasur përplasje të dhunshme me policinë. Një zëdhënës i tha agjencisë së lajmeve, epd, se para ambasadës ruse, jo larg Portës së Brandenburgut, janë hedhur shishe kundër policëve. Ka pasur edhe disa ndalime nga policia.

Berlin Querdenken Demonstration
Fotografi: Reuters/A. Schmidt

Vetëm në demonstratën në Friedrichstraße morën pjesë sipas të dhënave të policisë rreth 18.000 vetë. Në mbrëmjen e së dielës, senatori i Berlinit për çështjet e brendshme, Andreas Geisel (SPD) bëri fjalë për disa dhjetëra mijëra demonstrues, nga 35.000-38.000 vetë.

Një pjesë e demonstratave u organizua nga lëvizja e Shtutgartit"Querdenken 711”, e cila e kreu mitingun e saj para Portës së Brandenburgut. Aty u grumbulluan edhe të rinj e të moshuar, me tollombace si edhe familje me fëmijë. Por edhe ekstremistët e djathtë bënë thirrje për demonstrata dhe u mblodhën para ndërtesës së Bundestagut në Berlin. Gjatë mitingut ata kërkuan rrëzimin e qeverisë. Mes demonstruesve shiheshin edhe simbole të lëvizjes konspirative, „Qanon". Shumë sllogane mohonin ekzistencën e virusit Corona. Herë pas here protestuesit thërrisnin "Rezistencë”.

 

 

la/afp/dpa/epd