Ekspozitë e artistëve shqiptarë që jetojnë në Gjermani
5 Dhjetor 2012Shoqëruar nga tingujt muzikorë të Alban Pengilit (violinë) Albert Ibrahimaj (kitarë) dhe Vigan Kuqit (Piano) në qytetin Emmendigen është hapur ekspozita e artistëve shqiptarë që jetojnë në Gjermani. Veprat e artistëve Mal Myrtaj, Dan Gashi, Augustin Pergega, Bukurije Dalladaku dhe Habib Shashivari ngjallën një interesim të madh tek vizitorët e kësaj ekspozite. Ekspozita qe pjesë e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisënë Gjermani.
Në hapje të saj, përfaqësuesi në landin e Baden-Würtembergut i qytetit Emmendingen, Hanno Hurth, duke folur për Shqipërinë dhe shqiptarët tha se: "Shqipëria është atdheu i nobelistes së paqës, Nënë Tereza. Shqipëria është një vend i tolerancës ndërfetare ku myslimanët, ortodoksët dhe të krishterët katolikë jetojnë në paqë së bashku dhe ne të gjithë e dimë se kjo nuk është e vetkuptueshme. Sot në Gjermani jetojnë mbi 300 mijë shqiptarë, shumica e tyre vijnë nga Kosova por ka edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia. Në qarkun e landit pas italianëve dhe turqëve, shqiptarët përbëjnë komunitetin e tretë më të madh. Në qarkun e landit Emmendigen banojnë 830 shqiptarë, dhe nga përvoja ime mund të them se ata duan të integrohen, ata duan të marrin pjesë në jetën shoqërore."
Për të marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nga kryeqyteti gjerman, Berlin kishte udhëtuar edhe deputeti kristiandemokrat (CDU) dhe njëkohësisht drejtues i grupit parlamentar për marrëdhënie me EJL, Peter Weiß. "Në Berlin, nganjëherë edhe në Shtutgart jemi mësuar që të kemi në të njëjtën kohë një numër të madh të mysafirëve të huaj dhe përfaqësues të lartë diplomatikë. Por që diçka e tillë të ndodh në Emmendigen, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë dhe për këtë duhet t'i falendërohemi zotit Shabani dhe Shoqatës "Yjet e Kosovës".
Weiß: Përmes artit dhe kulturës të zbulojmë njëri-tjetrin
Weiß në cilësinë e kryesuesit të grupit parlamentar për marrdhëniet me EJL ka folur pastaj për historikun e themelimit të shtetit shqiptar dhe rrugëtimin e tij deri në ditët e sotme. Ndërkaq duke folur për ekspozitën e krijuesve shqiptarë ai tha: "është një ide e shkëlqyer që ditën e sotmë (edhe pse po i mbajmë disa fjalime) ta shënojmë me një ekspozitë dhe një festë. Çka është si të themi: europiane? Ose çka mund të tregojë më shumë Europë se ne përmes artit dhe kulturës të zbulojmë njëri-tjetrin. Cilat janë dallimet dhe cilat janë të përbashkëtat. Prandaj edhe në kuptimin politik është një ide bindëse që këtë ditë ta hapim me një ekspozitë në të cilën artistet me origjinë shqiptare prezantojnë para nesh krijimet e tyre."
Ngjashëm me z. Weiß është shprehur edhe kryebashkiaku i Emmendingenit Stefan Schlaterer: "Unë besoj që të gjithë jemi të mendimit se arti dhe kultura janë diçka që lidhin njerëzit përtej kufijve prandaj sot është një rast i mirë që këtë e bëjmë së bashku me hapjen e një ekspozitë të tillë."
Për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës nga Prishtina kishte ardhur edhe ministri i Diasporës në qeverinë e Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli. "Më lejoni që t'iu përgëzoj të gjithë juve dhe t'iu uroj për këtë ditë të bekuar për kombin tonë. Po ashu një falënderim i veçantë vlen për artistët që na kanë ofruar këtë dhuratë shumë të mirë në këtë 100 vjetor, t'i falendëroj sepse ata me të vërtetë janë ambasadorë të artit dhe të kulturës gjithandej ku veprojnë."
Ambasadori Xhakaliu falënderon shtetin dhe popullin gjerman
Pas Makollit të pranishmëve i është drejtuar edhe ambasadori i Repulikës së Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu: "Një falendërim të madh në këtë ditë e shpreh për Republikën Federale të Gjermanisë dhe popullin gjerman që u tregua mik dhe ndihmës atëherë kur ne kishim më së shumti nevojë për ta."
Me interesim të madh të pranishmit kanë përcjellë edhe fjalimin e europarlamentarit dhe anëtar i delegacionit të Parlamentit Evropian për Europën Juglindore, Bernd Posselt. "Aty ku janë shqiptarët, aty ka kulturë, aty ka muzikë, aty ka piktura, ka poezi... Unë erdha sot këtu me shumë kënaqësi sepse këtu kam shumë miq personal....Dhe kur ne sot festojmë edhe ditën e flamurit të Skënderbeut atëherë duhet të kujtojmë se ky nuk është vetëm flamur i Republikës së Shqipërisë por edhe një flamur i një personaliteti të historisë mesjetare që ka mbledhur shumë popuj për të mbrojtur Evropën në një kohë shumë të vështirë".
Në përfundim të aktivitetit kryetari i Shoqatës "Yjet e Kosovës", Tahir Shabani në një prononcim për DW-në shprehu kënaqësinë e tij që: "100 vjetori i themelimit të shtetit shqiptar nuk u festua vetëm nga shqiptarët por edhe nga përfaqësuesit e komuniteteve të tjera që jetojnë këtu në landin e Baden-Würtmmebrgut. Prania e tyre e bëri këtë festë edhe më madhështore."