«Për kapërcimin e kufijve, për bashkëpunim më të fortë » | Ballkani | DW | 17.06.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

«Për kapërcimin e kufijve, për bashkëpunim më të fortë »

Kjo ishte motoja e Konferencës së Pestë të Evropës Juglindore, që përfundon sot në Berlin. Ajo synon të joshë investitorët gjermanë drejt rajonit. Për këtë shkak ishin ftuar edhe përfaqësuesit e shumë vendeve.

default

Investitorët gjermanë e kanë të qartë që Evropa Juglindore është një formacion ekonomik shumë kompleks dhe se vendet në rajon nuk mund të «futen të gjitha në një thes», siç u tha me të drejtë në diskutimet e konferencës. Ato mund të ndahen në vija të trasha në dy pjesë: Ballkani Perëndimor, që përbëhet nga vende që duan të hyjnë në BE, dhe Bullgaria e Rumania, të cilat për shkak të problemeve të tyre janë «anëtarë të papërfunduar të BE-së», siç i cilëson ata revista britanike „The Economist“.

Sa për vendet e Ballkanit Perëndimor industria gjermane për një kohë tepër të gjatë ka folur për potenciale. Tani ka ardhur koha që ato të shfrytëzohen, kërkoi drejtuesi i Degës Lindore të Shoqatës Ekonomike Gjermane, Reiner Lindner. Por edhe vendet vetë duhet t'i përmirësojnë kushtet ekonomike për investimet e huaja, thotë ai: «Përmirësime nevojiten në sektorin e blerjes së territorit. Ne duhet të jemi në gjendje të blejmë toka e t'i zotërojmë ato për një kohë të gjatë. Kemi nevojë për garanci investimesh, të cilat mundësojnë procese gjyqësore në raste dëmesh a konfliktesh. Dhe në të gjithë vendet duhet punuar më shumë për të luftuar korrupsionin.»

Komisioni i BE-së paralajmëron prej vitesh Bullgarinë dhe Rumaninë për korrupsion kronik dhe luftë të pamjaftueshme kundër krimit të organizuar. Këtyre u shtohen edhe «mangësitë e reja», si për shembull mungesa e aftësisë për të absorbuar paratë e BE-së. Nga 2007 e gjer më 2011 Rumania ka përdorur vetëm 11% të mjeteve që i takojnë.

Kjo aftësi është e nevojshme për të joshur investitorët e huaj në vend. Sepse nuk mjafton vetëm të ndryshosh ligjet, thotë Marco Walde, drejtues i dhomës tregtare e industriale gjermano-rumune: «Në Rumani dhe Bullgari ne vumë re, se përpjekjet e shumta për reformimin e vendit u ndërprenë me anëtarësimin në BE, më 1 janar 2007. Shumë vetë menduan se aty përfundoi puna. Kjo gjendje për fat të keq vazhdon ende në shumë sektorë.»

Kandidatëve të tjerë që presin të hyjnë në BE Lindner u sugjeron: «Më mirë është që të presin edhe një vit derisa t'i plotësojnë të gjitha kushtet e të jetë stabilizuar ekonomia që të mos kenë të njëjtat probleme si Rumania dhe Bullgaria.»

E megjithë dobësitë e shumta, Ballkani ende ofron një terren të mirë për investim. Michael Pfeiffer, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme, tërheq vëmendjen për sektorët që ofrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor: "Mjafton të shohim se ç'duhet të bëjnë këto vende për të plotësuar kushtet e anëtarësimit në sektoret e ujit, kanalizimit, mënjanimit të mbeturinave. Këtu sipërmarrjet gjermane mund të investojnë me miliona. Dhe e mira e kësaj është se për këto projekte ofrohen shumë ndihma evropiane.»

Një «produkt gjerman» që po bëhet gjithmonë e më atraktiv për shumë vende është sistemi dual i profesionalizimit, në të cilin profesioni mësohet paralelisht në shkollë dhe nëpërmjet praktikës në një ndërmarrje. Dhe ky sistem ka shumë përparësi edhe në aspektin shoqëror, thotë Bertram Rollmann, drejtues i dhomës industriale e tregtare gjermano-bullgare. «Sistemi dual ka edhe një efekt që u jep mundësi grupeve më të dobëta sociale ose pakicave të paintegruara që të marrin pjesë aktive në ekonomin e vendit.»

Edhe një sugjerim i përgjithshëm u përmend nga investitorët gjermanë: Që në zhvillimin ekonomik të tyre vendet e Ballkanit të përqendrohen në dy-tre sektorë të caktuar me të ardhme. E kjo të kuptohet edhe nga të tjerët, ata duhet të përfaqësohen më mirë jashtë shtetit.

Autor: Marinela Liptcheva-Weiss/ Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama