1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romë në Gjermani

31 Janar 2012

Në vitin 2011 rreth 4.600 serbë paraqitën kërkesën për azil, 90 përqind prej tyre romë nga jugu i varfër i Serbisë. Ata zgjedhin Gjermaninë, për tolerancën e veçantë ndaj refugjatëve romë.

https://p.dw.com/p/13tk3
Pamje nga një lagje rome në Leskovc
Pamje nga një lagje rome në LeskovcFotografi: DW

Afro 46.000 vetë kanë kërkuar vitin e kaluar azil në Gjermani. Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme numri i kërkesave u rrit qartë në të katërtin vit me rradhë. Pas refugjatëve nga Afganistani dhe Iraku grupi i tretë i azilkërkuesve është nga Serbia.

Sipas shoqatë së romëve nga Serbia e Jugut numri më i madh i azilkërkuesve romë në Gjermani vjen nga  Leskovc-i, një qytet i vogël në jug të vendit me rreth 70.000 banorë. Jo larg qytetit ndodhen tri lagje rome, ku jetojnë më shumë se 10.000 vetë. Presidenti i shoqatës "Rom", Aca Demiroviq (51), vajza e të cili ka shkuar para tre muajsh në Gjermani së bashku me familjen, thotë se Gjermania është një destinacion shumë i preferuar, sepse gjermanët kanë simpati për romët."Gjermania është vendi më i përshtatshëm, njerëzit e kuptojnë popullin tonë. Dhe si rast social, si azilkërkues në Gjermani merr më shumë para se po të punosh në Serbi."

Banorë të Podvorçës - lagje rome në Leskovc
Banorë të Podvorçës - lagje rome në LeskovcFotografi: DW

Për Zoran Muratoviqin (46) dhe familjen e tij shtatëanëtarëshe nga Gjermania, ku ai ka kaluar një muaj e gjysëm ishte mënyra e vetme për të kaluar dimrin. Ata ishin vendosur në afërsi të Stuttgartit, dhe ata u kthyen që andej me 4.000 euro në xhep."Na kanë ofruar 500 euro për njeri, në qoftë se tërheqim kërkesën për azil. Unë thashë ok, po nënshkruaj. Kështu jemi kthyer me paratë në shtëpi, dhe transporti për në Leskovc ka qenë falas", tregon Zoran Muratoviq. Që prej 19 dhjetorit 2009 është hequr kërkesa për vizë për të hyrë nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi në BE. Kjo ka bërë që në Evropën Perëndimore të ketë një rritje të hovshme të azilkërkuesve, sidomos në Belgjikë, Suedi dhe Gjermani, kështu që në pranverë 2010 në kryeqytetet  evropiane është menduar që ky lehtësim i vizave të merret mbrapsht.

Një pjesë e madhe e azilkërkuesve kanë qenë shqiptarë dhe romë nga komunat e varfra të Serbisë së Jugut pranë Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo valë refugjatësh u pengua krejtësisht nga bashkëpini i autoriteteve evropiane me ato serbe. Nga njëra anë u futën kontrolle më të rrepta në kufi, për të penguar që azilkërkuesit e kthyer të niseshin përsëri. Nga ana tjetër është shkurtuar shumë koha e përpunimit të kërkesave në vendet e synuara. Në vend të 15 apo 18 muajve, që ishin më parë, tani procedura është një deri në dy muaj.

Zoran Amedoviq (46) ka jetuar me gruan e tij Nevena tetë muaj në një kamp refugjatësh në Hanover. Ata kanë ardhur si të thuash të organizuar në Gjermani, si një grup udhëtarësh. Një autobus kaloi përmes lagjes dhe mblodhi romët, që donin të shkonin në Gjermani. "Gruaja ime dhe unë kemi qarë çdo ditë. Nuk ka vend më të mirë se shtëpia jote, qyteti yt, vendi yt. Unë kam thënë, se do të puth betonin, kur të arrij përsëri kufirin", kujton Amedoviq. Për romët në Leskovc rrallë përsekutimi politik është shkak i kërkesës për azil, më shumë janë vështirësitë ekonomike dhe sociale. Në Serbi ka shumë të papunë, sidomos në jug të Serbisë dhe kriteret për marrjen e ndihmës sociale janë shumë të rrepta. Dhe kur është fjala për romët, është edhe më e vështirë. Në Leskovc ndër 6000 romë në moshë pune vetëm rreth 300 kanë punë. Nga 1500 personat në qytet, që marrin ndihmë sociale rreth 60 përqind janë romë.

Djemtë e Maksut Demiroviqit (61) nuk kanë as punë dhe as marrin ndihmë sociale. Momentalisht jetojnë nga të hollat, që kanë marrë si azilkërkues në Gjermani. Ky është realiteti i hidhur. Perspektivë nuk ka, thotë Maksut Demiroviq: "Unë kam dy djem. Janë të rinj dhe të shëndetshëm, në gjendje për të punuar. Atyre duhet t'u jepet një rrogë prej 400 deri 500 eurosh në Serbi - përse të shkojnë atëherë në Gjermani?", pyet Demiroviq.

Pamje nga lagjeja rome në Leskovc
Pamje nga lagjeja rome në LeskovcFotografi: DW

Autor: Milica Ivanovic / Angjelina Verbica
Redaktoi: Esat Ahmeti