“Oppenheimer” fituesi i madh i çmimeve Oscar
11 Mars 2024Filmi "Oppenheimer" i Christopher Nolan fitoi Oscarin si filmi më i mirë nga Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave të Filmit. Filmi biografik historik për shpikësin e bombës atomike u nderua kështu me çmimin më të rëndësishëm të festivalit më të njohur të filmit.
Filmi fitoi gjithsej shtatë Oscar. Vetë Nolan mori çmimin për regjinë më të mirë, irlandezi Cillian Murphy, i cili luan fizikantin amerikan Robert Oppenheimer, u vlerësua si aktori më i mirë mashkull, dhe Robert Downey Jr. fitoi çmimin për rolin më të mirë dytësor - ai luan kundërshtarin e Oppenheimer, një politikan Louis Strauss. Filmi pati 13 nominime, më shumë se çdo prodhim tjetër.
Oscar për Emma Stone, si aktorja më e mirë
Çmimi për aktoren më të mirë këtë vit shkoi për Emma Stone për interpretimin e saj në "Më pak Krijesa". Komedia groteske fitoi gjithsej katër çmime, duke përfshirë kostumin dhe grimin.
Gjermania Sandra Hüller, e cila u nominua edhe në kategorinë e aktores më të mirë, mbeti duarbosh sikur edhe filmat e dy regjisorëve gjermanë, "Koleksioni” i Ilker Çatak dhe "Ditët e përsosura” të Wim Wenders gjithashtu nuk morën asnjë çmim.
Çmime për "Zona e interesit" dhe "Anatomia e vjeshtës"
Megjithatë dy filma me Sandra Hüller fituan çmime: drama britanike e Aushvicit "Zona e interesit" fitoi çmimin në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Aktorja gjermane në këtë film luan gruan e komandantit të Aushvicit, Rudolf Hess. Filmi "Anatomia e një rasti”, në të cilën Hiller luan një autore të suksesshme që akuzohet për vrasjen e bashkëshortit të saj, u vlerësua për skenarin më të mirë origjinal.
Aktorja Dwayne Joy Randolph mori çmimin si aktorja më e mirë në rol sekondar në dramën "Barton Academy". Aktorja e përlotur falënderoi publikun.
Dokumentari më i mirë
Filmi më i mirë dokumentar u vlerësua "Njëzet ditë në Mariupol" nga Mstislav Çernov, Michelle Mizner dhe Reni Aronson-Ratha. Ai tregon përvojat e gazetarëve të agjencisë AP, të cilët kaluan rreth tri javë në qytetin port ukrainas në fillim të vitit 2022, në një kohë kur u rrethua nga forcat ruse. Në kushte shmë të rënda dhe të rrezikuar për jetën ata regjistronin pasojat katastrofike të rrethimit ndaj populsisë civile. Dokumentari i krijuar në bashkëpunim me SWR-në gjermane tashmë ka fituar çmime të shumta.
Lufta në Gaza nuk kaloi pa u vënë re edhe gjatë ceremonisë. Drejtori i "Zonës së Interesit", Jonathan Glazer, tha: "Pavarësisht nëse janë viktimat e 7 tetorit në Izrael apo sulmit aktual në Gaza, të gjithë janë viktimë e këtij dehumanizimi".
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, e cila zgjati gati tri orë e gjysmë, u drejtua nga Jimmy Kimmel. Për shumëkënd, kulmi ishte performanca e aktorit Ryan Gosling, i cili këndoi këngën "I'm Just Ken" nga filmi "Barbie".