1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefat e shërbimeve sekrete amerikane mbrohen

E. Xhani (afp, rtr, dpa)30 Tetor 2013

Pas kritikash të ashpra nga Evropa, shefat e shërbimeve sekrete në SHBA janë hedhur në ofensivë. Ata shpjeguan pse survejimi i kryetarëve të shteteve të huaja është praktikë e punës së këtyre shërbimeve.

https://p.dw.com/p/1A8w6
Keith Alexander dhe James Clapper
Fotografi: Reuters

"Qëkurse punoj në shërbimin e fshehtë, prej 50 vjetësh, pikëpamjet e drejtuesve politikë, pavarësisht se në çfarë forme shprehen, janë një element themelor i asaj që ne mbledhim dhe analizojmë", tha drejtori i shërbimit të fshehtë të SHBA-së James Clapper, para komisionit për shërbimet sekrete, të Dhomës së Përfaqësueve. Njohja e orientimit politik të një vendi "ka vlerë të paçmueshme", tha Clapper. Pyetjes së kryetarit të komisionit Mike Rogers, nëse vlerësimi i komunikacionit të politikanëve të lartë të huaj, është rruga më e mirë për mbledhjen e këtyre informacioneve, Clapper iu përgjigj: "Po, kështu është."

Shërbimi i fshehtë amerikan NSA thuhet se ka përgjuar rreth 35 politikanë të lartë ndërkombëtarë, ndër të cilët edhe Kancelaren gjermane Angela Merkel. Me sa duket NSA ka përgjuar telefonin celular të Merkelit që prej vitit 2002 dhe e ka ndërprerë survejimin vetëm verën e këtij viti, pasi zbulimet e ish punonjësit të shërbimit sekret Edëard Snowden shkaktuan shumë zhurmë. Javën e kaluar hulumtime të revistës "Spiegel" nxorrën në dritë përgjimin e dyshuar të Kancelares, e cila pas kësaj u ankua në një telefonatë me Presidentin e SHBA, Obama.

Ndihmë evropiane për NSA-në?

Edhe shefi i NSA-së Keith Alexander e mbrojti punën e shërbimeve sekrete të SHBA-së ndaj kritikave në rritje. Autoriteti për Sigurinë Kombëtare punon nën mbikqyrje të rreptë dhe përqendrohet në pengimin e sulmeve ndaj amerikanëve dhe aleatëve të tyre, tha gjenerali para komisionit për shërbimet e fshehta të Dhomës së Përfaqësuesve. "Për këtë vend është shumë më e rëndësishme që ne të mbrojmë këtë komb dhe të pranojmë kritikën, se sa të heqim dorë nga një program i tillë, çka do të çonte në sulme kundër këtij kombi."

Njoftimet në medie sipas të cilave NSA ka mbledhur miliona të dhëna nga telefonata në Francë, Spanjë dhe Itali, janë "plotësisht të gabuara". Kanë qenë shërbimet evropianë ata që kanë mbledhur këto të dhëna dhe i kanë përcjellë edhe tek NSA. Dokumentet e vëna në dispozicion nga Snowden janë interpretuar gabim nga gazetarët, tha Alexander. "Ata dhe personi që ka vjedhur të dhënat sekrete, nuk e kanë kuptuar përmbajtjen e tyre", tha ai.

Në të njëjtën kohë ai dhe Clapper gjatë seancës së pyetjeve para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve u shprehën të bindur se edhe Evropa nga ana e saj përgjon SHBA dhe politikanët amerikanë. Shërbimi informativ gjerman BND i hodhi poshtë menjëherë këto pretendime. "Nga ambasada gjermane në Uashington nuk kryhet përgjim telefonatash", theksoi Gerhard Schindler, President i BND-së.

Delegacion gjerman në Shtëpinë e Bardhë

Këtë të mërkurë (30.10.'13) zyrtarë të lartë nga zyra e Kancelares do të takohen në Uashington me përfaqësues të qeverisë dhe shërbimeve sekrete të SHBA-së. Nga takimi shpresohet sqarim i mëtejshëm për aferën e përgjimeve, u tha në Berlin. Në delegacionin gjerman bëjnë pjesë ndër të tjera Christoph Heusgen, këshilltar i Kancelares për politikën e jashtme si dhe koordinatori i shërbimit informativ Günter Heiß.