1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas votimeve parazgjedhore në SHBA

Kristina Bergman/ Uashington4 Qershor 2008

Partia Demokrate në SHBA përfundoi fushatën parazgjedhore. Barack Obama ka arritur numrin e duhur të votave të delegatëve, që e bëjnë kandidatin demokrat për president. Hillary Clinton ka pohuar se do ta urojë Obamën

https://p.dw.com/p/EDY7
Obama mban fjalimin e fitores së kandidaturës për president në Ilinois
Obama mban fjalimin e fitores së kandidaturës për president në IlinoisFotografi: AP

Gara ndërmjet Barak Obamës dhe Hillari Klintonit përfundoi. Që ajo nuk e ka pranuar zyrtarisht humbjen, nuk luan ndonjë rol. Se kush ka fituar dihet dhe senatori nga lllinois ka festuar mbrëmë. Askush nuk beson, se super-delegatët, të cilët kaluan në numër të madh në kampin e Obamës do ta ndryshojnë mendimin edhe një herë.

Hillari Klintoni, siç duket e ka kuptuar këtë tani. Por reagimi i saj tregon se ajo nuk do që t´ia diktojë njeri momentin e tërheqjes . Ajo do ta përfundojë fushatën e saj zgjedhore me kokën lart. Dhe pse jo. Por tani duhet të nxjerrë përfundime nga rezultati. Ajo duhet të pushojë së kërkuari metoda llogaritjeje, që ta tregojnë si fitimtare. Barak Obama ka shumicën e delegatëve, dhe kjo është ajo që vlen. Të martën në mbrëmje ai u tregua bujar dhe lëvdoi meritat e rivales së tij. Në fakt ata të dy bënë, që 35 milionë amerikanë të jepnin votat në votimet parazgjedhore. Dhe kjo meriton respekt.

Por Klintoni nuk duhet ta stërmundojë durimin e Obamës dhe të partisë demokrate. Nëse Hillari Klintoni këmbëngul për një votim garë në kongresin e emërimit në gusht në Denver, nuk do të shkatërronte vetëm reputacionin e saj. Historia e ka treguar, një votim garë dëmton partinë dhe rrezikon fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Radhët duhen ngjeshur shpejt dhe Klintoni duhet ta bëjë këtë. Ajo duhet të bindë simpatizantët e saj se interesat e tyre përfaqësohen po aq mirë nga Barak Obama. Sepse për këtë nuk ka dyshim. Në tema pak gjë i ndan ata të dy. Ata duan t´i japin fund luftës në Irak, të kujdesen për shërbime më të mira shëndetësore dhe për arsimim më të mirë për amerikanët, t´i japin përsëri hov ekonomisë dhe të përmirësojnë imazhin e SHBA-ve në botë.

Që Barak Obama nuk ka nevojë të fshihet nga rivali i tij Xhon MakKein, e ka treguar këtë mbrëmje. Në një fjalim të mrekullueshëm ai bëri apel për unitetin e amerikanëve, se janë të domosdoshme përpjekjet e përbashkëta, për të kapërcyer problemet. Por akoma Obama nuk është presidnet. Fitoret e Hillari Klinton-it në Ohio dhe Pensilvani, në Kentaki, në Florida dhe në Sauth Dakota i kanë treguar atij, se ka akoma punë për të bërë, nqs do t´i bindë shtresat e zgjedhësve, të cilët deri tani janë ndjerë më të sigurtë tek Hillari Klinton: gratë, punëtorët, të moshuarit, dhe njerëzit me orgjinë latinoamerikane.

Por e qartë është, se për herë të parë në histori një afroamerikan ka shansin, për t´u bërë president i SHBA-ve. Vetëm për këtë amerikanët e kanë merituar, që bota pas shumë vitesh t´i vështrojë përsëri me respekt.