Obama ashpërson tonin kundrejt Iranit
20 Qershor 2009Presidenti amerikan Barack Obama, vazhdon të mbetet i rezervuar me deklaratat e tij. Por për herë të parë, prej tij u dëgjua të sulmohej indirekt udhëheqja iraniane. Pas shumë kritikave për qëndrimin e tij të rezervuar, presidenti amerikan tha në një intervistë në televizion: „Jam shumë i shqetësuar për përmbajtjen dhe tonin e disa deklaratave. Udhëheqja iraniane duhet ta dijë, se bota e ka kthyer vështrimin drejt tyre."
Kur flet për disa deklarata, Obama ka parasysh Ajatollah Ali Chamenein dhe fjalimin e tij gjatë predikimeve të ditës së premte në Teheran. Presidenti amerikan deklaroi se: "Mënyra me të cilën udhëheqja iraniane trajton ata, që kërkojnë të ngrenë zërin me mjete paqësore, është "sinjal i qartë që i tregon komunitetit ndërkombëtar, çfarë është dhe çfarë nuk është Irani", tha Obama.
Shprehjet e Obamës janë më të ashpra se më parë, megjithatë ato janë larg kritikave të ashpra që vijnë nga disa shtete evropiane. Në Shtëpinë e Bardhe thuhet jozyrtarisht se Obama do të flasë me gjuhë më të qartë, nëse udhëheqja iraniane sillet më ashpër me protestuesit, ashtu siç edhe ka paralajmëruar.
Deri tani është menduar se përkrahja e demostruesve do të shpinte ujë në mullirin e kundërshtarëve, sepse udhëheqja iraniane do i akuzonte ata si marioneta të SHBA.
Për këtë kurs të rezervuar, Obama ka marrë shumë kritika, kryesisht prej republikanëve. Por, edhe nga rradhët e partisë së tij, sepse jo të gjithë demokratët janë të kënaqur me trajtimin që i ka bërë ai krizës. Të premten pasdite, të dy Dhomat e Kongresit amerikan aprovuan gati njëzëri një rezolutë, që dënon dhunën kundër demostruesve dhe shkeljen e lirive të shtypit shprehjes së mendimit të lirë.
Autor : Sabine Müller / Aida Cama
Redaktoi : Bahri Cani