Nuk ka arsye për vetëkënaqësi në krizën e borxheve
25 Dhjetor 2011Disa institute të rëndësishme kërkimore në fushën ekonomike nuk shohin asnjë arsye për vetëkënaqësi në krizën e borxheve të eurozonës. Drejtori i Institutit të Hamburgut për Ekonominë Ndërkombëtare (HWWI), Thomas Straubhaar, paralajmëroi të dielën (25.12.) se kriza nuk është kapërcyer, përkundrazi, ajo edhe mund të "përshkallëzohet më tej".
Presidenti i Institutit për Kërkime Ekonomike (RWI) në Essen, Christoph M. Schmidt, kërkoi zbatimin e shpejtë të vendimeve të takimit të fundit të BE-së. Por sipas tij nuk duhet: "të lihet pa vënë re se masat e miratuara vlejnë kryesisht për përmirësimin afatgjatë të kushteve. Ato mund të kenë vërtetë një efekt qetësues në gjendjen e tanishme, por me to nuk janë zgjidhur problemet akute të disa shteteve." Schmidt kërkoi prej qeverisë federale që ajo "t'u sinjalizojë bindshëm partnerëve të saj evropiane se këmbëngulja gjermane për parimet nuk e rrezikon të tërë projektin evropian."
Ish-presidenti i Institutit për Kërkime Ekonomike Halle (IWH), Ulrich Blum, i kërkoi qeverisë federale një kurs të qartë kursimesh. Aktualisht, Gjermania nuk është "model" për vendet e tjera të euros, kritikoi Blum në një intervistë për agjencinë e lajmeve DAPD. Ai tha se huamarrja duhet të reduktohet.
Blum shtoi se të ashtuquajturat euro-obligacione ose blerja e obligacioneve shtetërore nga Banka Qendrore Evropiane duhet "të mbeten në rastin më të mirë një fenomen kalimtar."
Sipas Straubhaar, Drejtori i Institutit të Hamburgut për Ekonominë Ndërkombëtare, edhe në rastin e një bashkimi fiskal arka do të jetë e përbashkët, pra edhe në këtë rast vendeve më të dobta apo atyre të zhytura në borxhe do t'u jepen kredi dhe në këtë rast nuk ka shumë rëndësi nëse ato quhen "fonde për shpëtimin apo euro-obligacione."
Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) pret në fillim të vitit të ri një rënie "të lehtë të ecurisë ekonomike" në Gjermani. Më pas pritet që gjendja të qetësohet tha kryetari i këshillit drejtues të DIW-it Gert Wagner. Parakusht është megjithatë "që politika ta vërë shpejt nën kontrroll krizën e euros". Wagner kritikoi në të njëjtën kohë, tregjet financiare në të cilat "vazhdon ende të ketë mungesë arsyeje dhe shumë histeri". Mbetet të "shpresojmë se së shpejti do të kthehet më shumë seriozitet dhe qartësi." - tha Gert Wagner kryetari i këshillit drejtues të DIW-it.
Autor: Jörg Säuberlich
Redaktor: Pandeli Pani