1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nevoja e dialogut Prishtinë-Beograd: BE nuk është e gatshme të marrë brenda vetes një konflikt të ri

18 Tetor 2011

Komisioni Evropian do të rekomandojë fillimin e negociatave të pranimit, sapo të arrihet progresi në dialogun Beograd- Prishtinë. Zgjidhja duhet kërkuar në respektimin e barazisë të të gjithëve në territorin e Kosovës.

https://p.dw.com/p/12uNM
Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Fotolia/shoot4u

Kur bëhet fjalë për vazhdimin e integrimeve evropiane, ndaj Serbisë nuk ka as kërkesa të reja dhe as kushte nga ana e Komisionit Evropian. Ka vetëm një "prioritet kyç" të përcaktuar, e ky është vazhdimi i dialogut me Prishtinën. Statusi i kandidatit është rekomanduar me marrëveshjen për të vazhduar dialogun, ndërsa për fillimin e negociatave për anëtarësim është e domosdoshme të arrihet avancimi i mëtejshëm i dialogut:

"Ne si Komision Europian s'kemi pse të presim një vit për të dhënë rekomandimet tona për hapjen e bisedimeve të pranimit: Nëse Serbia arrin shpejt progresin e duhur dhe të qëndrueshëm për këto bisedime, edhe Komisioni në atë moment do të jetë në gjendje t'u kërkojë vendeve anëtare të aprovojnë rekomandimet për të nisur më pas negociatat", i tha Peter Stano zëdhënësi i Komisionerit të BE-së për zgjerimin Stefan Füle, Deutsche Welle-s në Bruksel.

Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit Füle
Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit FüleFotografi: DW

Konkretisht me progres nënkuptohet respektimi i plotë i bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, i kontratave për energjinë, vendimet për telekomunikacionin dhe njohjen reciproke të diplomave, përmes vazhdimit të zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe bashkëpunimit aktiv me EULEX-in në tërë territorin e Kosovës.

Pa paragjykimin e statusit

Në Komisionin Evropian theksojnë edhe një herë se i referohen Kosovës pa paragjykuar statusin, sipas formulës së Rezolutës 1244. Kjo do të thotë se Komisioni nuk ka ndonjë qëndrim të veçantë ndaj veriut të Kosovës, thekson Stan dhe shton se zgjidhja e përgjithshme duhet të kërkohet në përfshirjen në BE:

"Kjo është një nga vlerat themelore të Bashkimit Europian. Çdo qytetar në çdo shtet kërkon të trajtohet në mënyrë të barabartë. Ai nuk do të ndihet si një qytetar i klasës së dytë, pra të jetë i përjashtuar. Përfshirja dhe trajtimi i barabartë, këto janë vlerat themelore pavarësisht se ku jeton, në Kosovë, në Serbi, në Mal të Zi, në Bosnjë, në Sllovaki, në Austri, apo në Gjermani."

Konfrontim në Jarinje. Pamje nga trazirat në korrik 2011
Konfrontim në Jarinje. Pamje nga trazirat në korrik 2011Fotografi: dapd

Si të arrihet zgjidhja e pranueshme nga të dy palët?

Komisioni Evropian tani pret që të dyja palët t'i kthehen dialogut - përse dhe me çfarë rezultatesh do të bisedohet është në duart e Beogradit dhe Prishtinës. Pyetjes në se njohja e Kosovës do të jetë një ditë kusht i domosdoshëm për Serbinë që të hyjë në BE, në zyrën e komisionerit për zgjerimin i përgjigjen se duhet të kapërcejmë në hapa të mëtejshëm dhe të fokusohemi tek ajo që është për momentin në rendin e ditës, dhe ky është kthimi te dialogu dhe përparimi në këto suaza.

"Bashkimi Europian nuk është i gatshëm të marrë brenda një tjetër konflikt të pazgjidhur. Eshtë një detyrim për të dyja palët që të gjejnë një zgjidhje. Ne e dimë që kjo nuk do të jetë e lehtë dhe as shumë e shpejtë. Por besojmë, se me kalimin e kohës se do të gjendet një zgjidhje dhe ne do të jemi gati të ndihmojmë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët, çka më pas do t'i shtyjë ato drejt Bashkimit Europian."

Autor: Marina Maksimovic/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi