Nëntoka shqiptare tërheqëse për investitorët gjermanë | Ekonomia | DW | 26.03.2012
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Nëntoka shqiptare tërheqëse për investitorët gjermanë

Pasuritë minerale me reverva të mëdha në Shqipëri janë bakri, kromi, hekur nikeli si dhe rëra kuarcore. Po kushtet në të cilat punojnë investitorët shqiptarë janë primitive.

Harta e parë gjeologjike e Shqipërisë

Harta e parë gjeologjike e Shqipërisë

90 vjet më parë me kërkesë të qeverisë shqiptare të asaj kohe gjeologu çeko-austriak Dr.Ernst Nowack nga Universiteti Gjeologo-Minerar Leoben në Austr ndërtoi hartën e parë Gjeologjike të Shqipërisë në shkallë 1:200 000. Kjo hartë ishte baza e të gjitha hartave të mëvonshme për pasuritë minerale të Shqipërisë.

Gjeologu Prof.As.Dr Kujtim Onuzi, specialist i Institutit Gjeoshkencave, në një intervistë për Deutsche Welle e quan mjaft të rëndësishme ndërtimin e Hartës Gjeologjike. „Shqipëria ka qenë e panjohur, prandaj rëndësia e saj ishte e madhe. Nowack evidentoi vendburime të ndryshme minerale për vëninen në përdorim të ekonomisë shqiptare. Mbi bazën e asaj harte janë kryer shumë kërkime, studime dhe ka qenë baza e hartave të tjera,“ thotë Prof. Onuzi.

Ai shton gjithashtu se Dr. Nowack botoi edhe të parin tekst gjeologjik për gjithë Shqipërinë në vitin 1929 në Innsbruck. Teksti u përkthye dhe për shumë kohë shërbeu si teksti bazë për studentët e fushës së gjeologjisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Që prej asaj kohe pasuritë që janë nxjerrë nga nëntoka shqiptare kanë qenë të shumta, por me ndryshimin e sistemit në fillim të viteve 90' minierat pothuajse u harruan.

Kujtim Onuzi

Kujtim Onuzi

Çfarë do t'i kthente minierat në ekonomi prodhuese?

Por tashmë shteti shqiptar ka kthyer sërish sytë nga nëntoka shqiptare, duke e parë si një burim për ekonominë e vendit. Shumë miniera të vogla janë privatizuar nga investitorë shqiptarë dhe ata të huaj. Por që pasuritë minerale të kthehen në një degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare Prof. Onuzi thotë se duhen investime serioze dhe teknologji moderne. „Pasuri minerale ka. Kërkohet teknologji e re, sepse minerat e vogla i'u janë dhënë investitorëve shqiptarë, por ata punojnë akoma me mjete primitive. Investitorët gjermanë për shembull shkojnë atje ku ka burime të mëdha dhe nuk hyjnë në rezerva të vogla. Për këtë pikë dua të theksoj se në mineralet industriale nëntoka shqiptare ka potenciale dhe rezerva të mëdha. Pasuritë që kanë reverva më të mëdha janë bakri, kromi, hekur nikeli si edhe rëra kuarcore.”

Prof. Onuzi thotë se në Shqipëri kanë kryer studime shumë ekspertë nga Gjermania dhe për tërheqjen e investitorëve gjermanë Zyra Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar (GIZ) do të organizojë në muajt në vijim një seminar, për evidentimin e pasurive minerale të Shqipërisë në bashkëpunim me bizneset gjermane. „Qeveria gjermane ka interes që specialistët gjermanë të studiojnë vendet e Ballkanit dhe Shqipërinë gjithashtu.

Zyra Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar organizon muajt e ardhshëm një seminar për Shqipërinë

Zyra Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar organizon muajt e ardhshëm një seminar për Shqipërinë

Në Tetor kanë ata vënë kontakt me institucionet që mbulojnë këto fusha në Shqipëri, sepse do të bëjnë studime dhe më pas të investojnë. Këtë vit është bërë një hartë e re dhe në bashkëpunim me Shërbimin Gjeologjik Gjerman do të mund ta botojmë këtë hartë dhe t'u ofrojmë investitorëve gjermanë potencialet që ofron nëntoka shqiptare,” thotë për Detsche Welle Prof. Onuzi.

Sipas tij interes të madh për të investuar ka treguar edhe kompania gjermane “SIBELCO”, për ngritjen e industrise së qelqit me ngjyra në Shqipëri, por për shkak të situatës politike pak më shumë se një vit më parë kompania u tremb dhe nuk erdhi, ndaj tani me qetësimin e situatës, Prof . Ouzi shpreson që kompania të kthehet për të vazhduar projektin e saj.

Autor: Amarildo Topi

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 26.03.2012
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/14S8t
  • Data 26.03.2012
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/14S8t