Nën kritikë | Politika | DW | 08.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Nën kritikë

Portret i kryeministrit bavarez Stoiber

Edmund Stoiber, kryetari i Partisë Kristiansociale Gjermane

Edmund Stoiber, kryetari i Partisë Kristiansociale Gjermane

Kjo është muzika bavareze, e vendit me fusha të blerta, me liqenj blu dhe me male të larta. Por Bavaria është edhe ajo që nga një land agrar u kthye në një land të teknologjisë së lartë në Gjermani. Me laptop dhe me pantallona lëkure: kjo është motoja me të cilën qeveris Bavarinë kryeministri Edmund Stoiber që nga viti 1993.

Edhe për këtë arsye konsiderohej Stoiberi në Bavari si simbol i politikës bavareze, sepse atje shumë njerëz e ndiejnë veten në radhë të parë bavarezë dhe pastaj gjermanë. Stoiberit i jep të drejtë para së gjithash suksesi ekonomik i landit jugor. Prandaj ai e sheh veten edhe në të ardhmen në krye të Bavarisë si kryetar qeverie.

Por një kryetare rrethi në qytetin e Fürth-it ka nisur kryengritjen dhe kërkon hapur që pas 15 vjetësh si kryeministër Stoiberi të mos kandidojë sërish. Kërkesa e saj është që për numrin një të votojnë anëtarët e Partisë Kristiansociale.

Në të njëjtën kohë Gabriele Pauli e akuzon Edmund Stoiberin se zyra e tij ka dashur të shtjerë në dorë informacione delikate mbi Paulin. Drejtori i zyrës së Stoiberit u desh të largohej për arsye të akuzave, ndërsa vetë Stoiberi i përgënjeshtron akuzat e spiunimit. Por kritika ndaj Stoiberit po shtohet, sipas sondazheve 60 për qind e bavarezëve janë kundër rikandidimit të Stoiberit.

Karriera e tij filloi para më shumë se 30 vjetësh si deputet në parlamentin bavarez, vetëm katër vjet më vonë ai u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Kristiansociale. Dhe lidhja e tij e ngushtë me kryetarin e atëhershëm Franz-Josef Strauß nuk e dëmtoi ngjitjen e tij. Pas vdekjes së Strauß-it Stoiberi u bë ministër i brendshëm dhe fitoi profil si konservator i vijës së ashpër. Suksesi ekonomik bëri që pyetjet se çfarë ka bërë Stoiberi për Bavarinë të dalin gjithnjë në plan të dytë. Madje ai u bën ballë edhe skandaleve pa u kontestuar. Në janar 2002 ai shpall: "E pranoj përgjegjësinë, qëndroj në dispozicion si kancelar i Republikës Federale Gjermane."

Kjo duhet të bëhej kryevepra e tij, por sa e lehtë u duk ngjitja e tij në Bavari aq e vështirë dhe me pengesa ishte ekskursioni i tij në politikën kombëtare. Gjatë fushatës u qesh shumë për rrëshqitjet e tij retorike dhe në atë kohë Stoiberi u kthye vetëm në yll komedie.

Në ditën e zgjedhjeve Stoiberi e kujtoi veten në Berlin: "Një gjë dihet që tani: Partia Kristiansociale, Partia Kristiandemokrate, bashkimi kristiandemokrat-kristiansocial - ne i kemi fituar zgjedhjet."

Por ky rezultoi iluzion. Gerhard Schröderi mbeti kancelar. Stoiberi donte të ishte pjesë aktive në Berlin edhe në zgjedhjet kombëtare të 2005-ës, megjithëse kandidate e konservatorëve ishte tani Angela Merkel. Ai u bë pjesë e ekipit të saj të kompetencës. U konsiderua superministër, që më pas, në sekondën e fundit, të tërhiqej në Bavari.

Bavarezët nuk ishin të lumtur, por ata u qetësuan përsëri. Kryeministri bavarez Stoiber bëri një turne nëpër provincë dhe u bë përsëri numri 1 në Bavari. Nga ky pozicion zëri i tij u bë përsëri më i lartë në Berlin: "Jo-ja" e tij ndaj anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian apo edhe ndaj reformës shëndetësore jehoi qartë nga Mynihu.

Vitin e ardhshëm ka zgjedhje për parlamentin e landit në Bavari dhe që Edmund Stoiberi do të kandidojë sërish për CSU-në, kjo për atë vetë është e padiskutueshme. Por ai mund të gabohet këtë herë.

Megjithatë, ndoshta ai dëshmohet edhe një herë si njeri me njëqind shpirtëra dhe ëndrra e rebelëve të CSU-së merr fund shpejt. Tubimi me dyer të mbyllura në Wildbad-Kreuth do ta tregojë.

  • Data 08.01.2007
  • Autor Sabine Faber
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqnT
  • Data 08.01.2007
  • Autor Sabine Faber
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqnT