1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale

Bekim Shehu
13 Nëntor 2021

Në 21 komuna të Kosovës zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Në garë janë nga dy kandidatë për kryetar komune.

https://p.dw.com/p/42x7X
Kommunalwahlen in Mitrovica, Kosovo
Fotografi: DW/M. Andrić-Rakić

Fushata zgjedhore për raundin e dytë ishte vetëm një javë. Në këtë raund zgjedhje për kryetar komunash zhvillohen në 21 komuna, përfshirë këtu Prishtinën, Prizrenin, Gjilanin, Gjakovën, Podujevën, Drenasin, Kaçanikun, Istogun, Dragashin, Fushë Kosovën, Obiliqin, Klinën, Kamenicën, Rahovecin, Junikun, Vitinë, Malishevën, Vushtrrinë, Shtimen, Kllokotin dhe Mamushën. Në të gjitha këto komuna në zgjedhjet e 17 tetorit, asnjë kandidatë nuk mori më shumë se 50% të votave të nevojshme për t'u shpallur fitues.

Kommunalwahl im Kosovo
Fotografi: picture-alliance/dpa

Sipas ligjit për zgjedhjet lokale dhe sistemit të aplikuar zgjedhor, postin e kryetarit të komunës e siguron në raundin e parë kandidati që merr 50 për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet, atëherë organizohet raundi i dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota. 

Të drejtë vote kësaj radhe kanë 1,260,571 qytetarë, dhe procesi i votimit do të mbahet në 66% të vendvotimeve apo në 1,638 nga 2,477.

Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve që zhvillohet të dielën, monitorohet nga vazhgues të Bashkimit Evropian. Ky mision raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit e vlerësoi si zgjedhje të organizuara mirë dhe pa telashe të mëdha, përjashtuar këtu komunat me shumicë serbe. Kësaj radhe votohet vetëm në një komunë me shumicë serbe Kllokot. 

Kosovo | EU-Beobachter bei den Kommunalwahlen im Kosovo
Vëzhguesit e Bashkimit Evropian i vlerësoi zgjedhjet si të organizuara mirë dhe pa telashe të mëdha Fotografi: Office of the EU mission/Kosovo

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit që u zhvilluan në Kosovë, kishte një pjesëmarrje në votime prej rreth 43% nga gjithsej 1.9 milion qytetarë me të drejtë vote. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se mbi 776 mijë qytetarë votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj të komunave dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës. Në 17 komuna, tashmë ka kryetarë të zgjedhur, ndonëse akoma nuk është çertifikuar rezultati i zgjedhjeve, ndërsa, 21 komuna tashmë garojnë nga dy kandidatë.

Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit, që udhëheq qeverinë, nuk arriti të fitojë pa balotazh në raundin e parë të zgjedhjeve asnjë komunë, dhe garon këtë të diel, 14 nëntor, në 12 komuna.