171209 Piraten Bundeswehr Afrika
18 Dhjetor 2009240 ushtarët gjermanë në fregatën 'Bremen' do t'i kalojnë sivjet krishtlindjet në temperaturë prej 30 grad Celzius në Oqeanin Indian. Ata janë pjesë e misionit të BE-së "Atalanta", i cili ka për qëllim të bëjë më të sigurta rrugët detare në Kepin e Afrikës. Një vit pas fillimit të këtij misioni, shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle (FDP), bëri një bilanc pozitiv në Bundestag. Janë zbrapsur disa sulme të piratëve ndaj anijeve tregtare, përveç kësaj anijet e Programit Botëror të Ushqimit arritën që të padëmtuara të dërgojnë ndihmat e tyre në Somali.
"Bëhet fjalë për mbrojtjen tonë, bëhet fjalë për mbrojtjen e anijeve tona, vijave tona tregtare, por bëhet fjalë po aq për mbrojtjen e njerëzve në Somali, që ndihmat humanitare të mbërrijnë deri tek ata".
Këto ndihma humanitare kanë qenë baza jetësore për mbi tre milionë njerëz në Somali, tha Thomas Kossendey (CDU), sekretar i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes.
"Prej fillimit të operacionit njësitë e misionit Atalanta kanë zbrapsur me sukses më shumë se 120 sulme të piratëve. Mbi 70 piratë janë dorëzuar për ndjekje të mëtejshme penale në Kenia. Dhe unë besoj që rënia e numrit të sulmeve, që përfundojnë me sukses, është një dëshmi se ne kemi punuar atje si duhet".
Megjithatë nuk mund të pritet ndonjë çudi e madhe nga vetëm 30 anije, ka theksuar politikani kristiandemokrat. Zona e misionit në Kepin e Afrikës është aq e madhe, saqë nuk mund të vëzhgohet çdo pjesë e saj, kështu që piratët ndërkohë operojnë në largësi më të mëdha nga bregdeti somalez. Për Partinë 'E Majta' kjo dëshmon se misioni është i padobishëm. Niema Movassat e arsyetoi me këto fjalë 'jo-në' e grupimit të tij parlamentar:
"Sipas Zyrës ndërkombëtare për lundrimin e anijeve është rritur numri i sulmeve të piratëve megjithë praninë ushtarake. Piratët i kanë zgjeruar sulmet e tyre në rajon dhe janë bërë edhe më të dhunshëm. Spiralja e dhunës zgjerohet me rritjen e pranisë ushtarake".
Tek kjo prani ushtarake bën pjesë edhe kontributi gjerman në kuadër të operacionit Enduring Freedom - (Liria e Qëndrueshme), një mision tjetër i marinës po ashtu në Kepin e Afrikës. Në marrëveshjen e koalicionit qeveria e re gjermane premton se do të shqyrtojë paralelisht këto mandate dhe mundësisht do të pakësojë numrin e tyre. Megjithatë aktualisht nuk bëhet fjalë për kurrfarë reduktimi për çka edhe kritikojnë ekologjistët. Folësit nga të gjitha grupimet parlamentare theksuan edhe nevojën e luftimit të shkaqeve të piraterisë, jostabilitetin politik dhe dhunën në Somali si dhe gjendjen e rëndë të popullsisë.
Autor: Nina Werkhäuser/Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica