1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirëkuptim pas negociatash disavjeçare

Britta Kleymann28 Mars 2007

Rusia dhe Letonia nënshkruajnë marrëveshjen e përbashkët kufitare

https://p.dw.com/p/Ar8U

Kryeministri letonez Aigars Kalvitis dhe homologu i tij rus Mihail Fradkov nënshkruan për vendet e tyre në Moskë një marrëveshje kufitare. Për vijën kufitare ka pasur vazhdimisht grindje që prej pavarësisë së Letonisë. Me këtë marrëveshje përcaktohet edhe një segment tjetër i kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja e nënshkruar tani është rezultat i negociatave të ndërlikuara disavjeçare midis Letonisë dhe Rusisë. Në dhjetë vitet e kaluara të dyja palët janë gjendur shpesh përpara arritjes së një marrëveshjeje. U hartuan, nënshkruan dhe ndryshuan marrëveshje, por në fund nuk u ratifikuan.

Nënshkrimi i marrëveshjes aktuale u bë i mundur pasi pala letoneze hoqi dorë nga një formulim i diskutueshëm. Në thelb bëhej fjalë për një qark, i cili dikur i përkiste Letonisë, por që prej Luftës II Botërore është rus. Rusia druante pretendime territoriale të palës letoneze, nga të cilat Riga hoqi dorë tani.

Por pretendimet e mundshme territoriale përbëjnë vetëm një aspekt të marrëdhënieve të vështira midis Letonisë dhe Rusisë. Në qendër të debateve disavjeçare midis dy vendeve qëndron një thurje ndjeshmërie historike shpjegon Ralph Tuchtenhagen, professor për histori evropianoveriore dhe -lindore në Universitetin e Hamburgut.

"Qeveria letoneze ose populli letonez ndien kërcënim. Natyrisht problemi është që si shtet i vogël je detyrimisht në pozitë mbrojtëse kundrejt Rusisë së madhe. Nga ana tjetër kur e shikon nga këndvështrimi rus shtete të tilla si Letonia sidoqoftë kanë pak legjitimitet."

Pak të drejtë për shembull për të ngritur pretendime për qarkun e diskutueshëm; ose për të vlerësuar si 'pushtim të kundërligjshëm' kohën sovjetike midis viteve 1944/1991, siç bëjnë letonezët. Këtu dallohen qëndrimet krejt të ndryshme të të dyja palëve për historinë letonezo-ruse. Pasi rusët nuk e shohin veten si pushtues, por si çlirues të shteteve baltike. Këto divergjenca nuk janë eliminuar as tani, por janë lënë jashtë marrëveshjes për kufirin.

Mirëkuptimi parimor midis Letonisë dhe Rusisë do të bëjë që t'u çelin fytyrat edhe në Bashkimin Evropian në Bruksel. Sepse me anëtarësimin e Letonisë në BE në vitin 2004 problemi letonezo-rus u kthye në një problem evropian. Kufiri 217 kilometra i gjatë midis Letonisë dhe Rusisë ishte kthyer në kufi të jashtëm të Bashkimit Evropian. Megjithatë Bashkimi Evropian ishte gjithmonë e tërhequr me komente apo rekomandime në këtë çështje. Dhe ai ka pasur asrye të fortë për këtë, mendon Iris Kempe, eksperte për Evropën Lindore në qendrën për kërkime politike në Mynih.

"Kjo temë gjithnjë është minimizuar shumë, sepse këtu luajnë rol marrëdhëniet evropiano-ruse. Prandaj ajo nuk është kthyer në një temë të mirëfilltë evropiane, pra që Brukseli të kishte thënë: duhet nënshkruar doemos, le të ushtrojmë trysni mbi Moskën."

Pajtimi u arrit. Tani është me rëndësi miratimi prej të dy parlamenteve. Duhet llogaritur me kundërshtime, mendon historiani për Evropën lindore Ralph Tuchtenhagen.

"Politikisht, në rrafshin formal, kjo përbën sigurisht një mbyllje kapitulli. Por natyrisht ndjeshmëritë në popull do të vazhdojnë të ekzistojnë në të dy krahët. Ndaj tema do të mbetet e vështirë, edhe për dy qeveritë, të cilat duhet të shohin në të gjitha drejtimet, në mënyrë që edhe ta legjitimojnë dhe mbrojnë hapin e hedhur me marrëveshjen kufitare."

Të dyja palët vetëm mund të mësojnë nga e kaluara: Një marrëveshje kufitare e nënshkruar ka dështuar një herë, sepse parlamenti letonez miratoi më vonë një deklaratë shtesë. Pikërisht presidentja letoneze Vaira Vike-Freiberga shpreson që historia të mos përsëritet. Mirëkuptimi përfundimtar me Rusinë do të ishte kurorëzimi i kohës së saj në detyrë, e cila përfundon në qershor të këtij viti.