1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrja gjermane e Drejtësisë kundër vaksinimit me detyrim

27 Korrik 2021

Numri në rritje i infeksioneve me korona ka ndezur një debat për më shumë kufizimeve për njerëzit e pavaksinuar. Ministrja gjermane e Drejtësisë e hedh poshtë qartësisht një kërkesë për vaksinim me detyrim.

https://p.dw.com/p/3y61x
Deutschland Coronavirus l Apotheke und Impfausweis
Fotografi: Sascha Steinach/dpa/picture alliance

Në një intervistë për Deutschlandfunk, ministrja gjermane e Drejtësisë Christine Lambrecht, tha se nuk do të ketë vaksinim të detyrueshëm për të gjithë. "Unë mendoj se kjo do të jetë e pamundur," tha ajo. "Nga njëra anë, kjo ka të bëjë me faktin se kjo vaksinë nuk ka kohë që ka dalë në treg, dhe nga ana tjetër se unë nuk mendoj se detyrimi për vaksimin nuk është i nevojshëm."

Deutschland Berlin | Christine Lambrecht (SPD), Bundesfamilienministerin
Ministrja gjermane e Drejtësisë Christine LambrechtFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Ministrja po ashtu është kundër vaksinimit të detyrueshëm edhe për punonjësit e sektorit e shëndetësisë ose të sektorëve të tjerë. Ata që punojnë në spitale ose qendra përkujdesjeje dhe që nuk pranojnë të vaksinohen mund të detyrohet vetëm që të testohen rregullisht, tha Christine Lambrecht.

Nga ana tjetër ministrja gjermane e Drejtësisë tha se nisur nga mundësia dhe oferta gratis për t'u vaksinuar në të ardhmen ata që nuk duan të vaksinohen, duhet që në të ardhmen t'i paguajnë vetë shpenzimet për testimin.

Deutschland Hochwasser Katastrophe Ahrweiler Coronavirus Impfbus
Qendër ambulante vaksinimi në GjermaniFotografi: Christian Mang/REUTERS

Mjaft politikanë gjermanë janë për t'u dhënë më shumë të drejta dhe liri personave të vaksinuar dhe atyre që e kanë kaluar Covid-19.

Edhe Kryetari i Shoqatës së Mjekëve, Weltärztebund, Frank Ulrich Montgomery, mendon se të vaksinuarve duhet t'u jepen më shumë liri në jetën e përditshme. Nuk ka asnjë arsye për t'u kufizuar të drejtat themelore të vaksinuarve dhe atyre që janë imunë "vetëm sepse disa skeptikë të përjetshëm i shmangen vaksinimit", tha Montgomery.

Impfzentrum Krefeld I Impfhero
Fotografi: Martin Wagner/imago images

Deri tani në Gjermani janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit rreth gjysma e banorëve, pra rreth 41.1 milion vetë. 50.6 milion - 60.9 përqind - kanë marrë të paktën një dozë vaksine.