Ministri i Shëndetësisë Spahn: Përhapja e virusit është bërë e menaxhueshme | Gjermania | DW | 17.04.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Ministri i Shëndetësisë Spahn: Përhapja e virusit është bërë e menaxhueshme

Ministri i Shëndetësisë Spahn konsideron se masat në Gjermani janë të suksesshme. Në Gjermani, nga mesi i gushtit do të prodhohen çdo javë miliona maska mbrojtëse.

Gjermania është e hapur për pranimin e pacientëve të tjerë të huaj me COVID-19. Sipas Ministrit të Shëndetësisë Jens Spahn, ai do të flasë me kolegët jashtë vendit për përmasat në të cilat do të trajtohen në Gjermani pacientët e rinj të huaj. Spahn-i më parë kishte deklaruar se afro 10.000 shtretër të kujdesit intensiv falas janë bosh dhe ato mund të përdoren nga të tjerë, minus një rezervë prej 25-30 përqind.

Jens Spahn bëri më tej të ditur se janë lidhur marrëveshjet e para për prodhimin e maskave mbrojtëse mjekësore në Gjermani, në luftën kundër virusit të koronës. Pas një tenderi të parë, kontratat iu dhanë rreth 50 ndërmarrjeve, thotë politikani i CDU-së. Me to do të prodhohen që prej mesit të gushtit, dhjetë milion maska speciale FFP2 dhe 40 milion maska kirurgjike në javë. Kjo do të mbulojë kërkesat bazë për sistemin shëndetësor.

Ministri Federal i Shëndetësisë Jens Spahn pret gjithashtu që në javët e ardhshme të dalë një aplikacion i celularëve inteligjentë, për të gjurmuar kontaktet e atyre të infektuar me viruse. Parë nga perspektiva e sotme, "mund të flitet më tepër për katër javë sesa dy javë" derisa të jetë në dispozicion një program funksional që i plotëson të gjitha kërkesat, tha Spahn. Aplikacioni duhet të garantojë sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave, si dhe të përmbushë përfitimin epidemiologjik.

Në konferencën e shtypit me ministrin Spahn, presidenti i Institutit Paul Ehrlich, Klaus Cichutek, njoftoi se edhe në Gjermani do të fillojnë së shpejti provat klinike për një vaksinë. Në të gjithë botën kanë nisur katër prova klinike, tha Cichutek. Ai që zgjat shumë nuk është licensimi i një vaksine, por zhvillimi për të arritur një vaksinë efektive, por edhe të tolerueshme, tha ai.

aud (dpa, dw)