Metodë e diskutueshme për nxjerrjen e gazit
7 Shtator 2012Ekspertët mendojnë se nëntoka gjermane ka sasi të mëdha gazi natyror. Ato mund të plotësojnë për 13 vjet konsumin gjerman të gazit. Megjithatë ato nuk janë të lehta për t'u arritur, sepse gjenden në vezikula të vogla në shkëmbinj apo në sedimente qymyri, shpesh në disa mijë metra thellësi. Me ndihmën e teknologjisë Fracking ky thesar mund të shfrytëzohet. Por ekspertët e Ministrisë së Ambientit janë ende skeptikë.
Teknologjia Fracking konsiston në një përzierje rëre, uji dhe kimikatesh që pompohen me presion të lartë në shkëmb. Prej kësaj shkaktohen çarje të vogla përmes të cilave gazi mund të dalë lart. Metoda Fracking përdoret tashmë në shkallë të gjerë në SHBA.
Por për të realizuar shpime me anë të kësaj metode, për çdo kilometër katror është e nevojshme të "përdoren disa mijë ton kimikatesh pjesërisht të rrezikshme për shëndetin dhe ambientin." Kështu thuhet në një raport, të Ministrisë Federale të Mjedisit dhe Agjencisë Federale të Mjedisit në Berlin. Ekspertë nga disiplina të shumta që kanë shqyrtuar me kujdes efektet e metodës fracking për ujërat nëntokësore erdhën në përfundimin se faktet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme dhe të bazuara në njohuri shkencore për të "vlerësuar përfundimisht rreziqet e mundshme."
Ekspertët kërkojnë rregulla të forta
Për ministrin federal të Mjedisit Peter Altmaier është e qartë që: "Përpara se të përdoret fracking ,duhet të përjashtohen të gjitha dyshimet." Ekspertët nuk kërkojnë një ndalim të teknologjisë fracking në Gjermani, por kushte strikte dhe një përdorim gradual e të "shoqëruar me një analizë zyrtare dhe shkencore të secilit projekt ."
Ata kërkojnë që duhet "të ketë informacion të plotë" rreth kimikateve të përdorura, sasisë dhe vetive. Për secilin projekt duhet të bëhet një vlerësim rreth ndikimit të tij ndaj mjedisit duke përfshirë edhe publikun. Në zonat ku ka burime uji të pijshëm apo ujëra minerale metoda fracking për nxjerrjen e gazit duhet të ndalohet plotësisht.
Deri tani asnjë leje
Deri tani autoritetet gjermane të landeve dhe të federatës po tregohen të rezervuara sa u përket lejeve për përdorimin e kësaj teknologjie. Vërtet që disa koncerneve u është dhënë gjatë viteve të fundit mundësia të zhvillojnë ekspedita gjeologjike, p.sh. në landin e Renanisë Veriore - Vestfalisë (NRW) është analizuar rreth 60% e territorit të landit. Por këto leje nuk janë të lidhura me lejen për të bërë shpime për nxjerrjen e gazit.