1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel pranon gabimin në rastin e "Maaßenit"

24 Shtator 2018

Kancelarja gjermane, Angela Merkel pranoi se janë bërë gabime në vlerësimin e rastit "Maaßen" duke shtuar se ajo nuk e mori parasysh aq sa duhet opinionin publik.

https://p.dw.com/p/35OPo
Deutschland Angela Merkel, Bundeskanzlerin | PK zu Maaßen
Fotografi: picture-alliance/dpa/B.v. Jutrczenka

Kancelarja gjermane, Angela Merkel para një takimi të partisë konservatore, CDU në Berlin u shpreh se "nuk mund të të bindte" vendimi i marrë fillimisht për Hans-Georg Maaßen kreun e larguar të Zyrës Federale për Mbrojtjen Kushtetuese, një shërbim sekret gjerman.

Maaßen u largua nga detyra e presidentit të Mbrojtjes Kushtetuese për të marrë fillimisht një post më të lartë e më të mirëpaguar atë të Sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme që drejtohet nga kristiansociali, Horst Sehofer. Por pas reagimeve të forta të bazës së Partisë Socialdemokrate, kryetarja e saj, Andrea Nahles iu drejtua me një letër kancelares Merkel dhe Seehoferit për të rishikuar vendimin e marrë për Hans-Georg Maaßen.

Fillimisht debati për Maaßen shpërtheu pas deklaratave të tij publike që vunë në dyshim vërtetësinë e një videoje ku flitej për gjueti ndaj të huajve. Sipas tij nuk ka pasur një gjueti të tillë në demonstratat e Chemnitz. Rasti „Maaßen“ përçan Gjermaninë

Kancelarja gjermane tha të hënën se në vendimin për kalimin fillimisht të Hans-Georg Maaßenit në Ministrin e Brendshme është orientuar më shumë nga ajo që të mos prishej aftësia e funksionimit të Ministrisë së Brendshme se sa nga "ajo që i prekte më shumë njerëzit." Për këtë ajo shprehu keqardhje të thellë. Vendimi i ri i fundjavës që nuki jep Maaßen-it postin e Sekretarit të Shtetit dhe e lë në pozicionin e një këshilltari të posaçëm, drejtues departamenti në ministri, pa ngritje rroge është "i drejtë dhe i komunikueshëm", tha Merkel.

Deutschland Spitzentreffen zu Maaßen in Berlin
Takimi i fundjavës (23.09) që rivendosi mbi Hans-Georg MaaßenFotografi: Reuters/F. Bensch

Kthim tek puna

Qeveria gjermane duhet tani, sipas Merkelit "të ndryshojë mënyrën e punës dhe të kthehet tërësisht tek puna konkrete". Qeveria duhet që në këto "kohë veçanërisht sfiduese" të kthehet tek problemet e shqetësimet e njerëzve. Ka shumë tema të rëndësishme dhe të komplikuara si ajo e shëndetësisë, përkujdesit shëndetësor, digjitalizimit dhe dalja e Britanisë së Madhe nga BE që e kemi përpara, tha Merkel. "Prandaj është i nevojshëm përqëndrimi i plotë tek puna konkrete."

Grindja për të ardhmen e kreut të Mbrojtjes Kushtetuese, Hans Georg-Maaßen u pa në Gjermani si kriza e dytë e koalicionit me bazë të gjerë brenda gjashtë muajsh. Kriza e parë kaloi në pranverë, kur Merkel dhe Seehofer nuk e gjetën fillimisht gjuhën e përbashkët për kthimin në kufirin gjerman të refugjatëve që kanë kërkuar azil në një vend tjetër të BE-së.

 

la/(afp, dpa)