Merkel: Mbështesim çdo dialog që sjell rezultate | Ballkani | DW | 29.08.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Merkel: Mbështesim çdo dialog që sjell rezultate

Kancelarja gjermane Angela Merkel flet në konferencën e shtypit me ministrin kroat, Andrej Plenkovic, për bisedën e saj me presidentin amerikan, Donald Trump. Kroacia është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, përkrahin çdo dialog që sjell rezultate në çështjen e Kosovës. Merkel tha pas një takimi me homologun e saj kroat, Andrej Plenkovic, të martën, 28.08.18, në Berlin se kishte telefonuar me Trumpin një ditë më parë: Ne mbështesim çdo dialog që sjell rezultate, por themi njëherazi edhe se integriteti territorial, siç ekziston sot, është një dimension i rëndësishëm, tha kancelarja gjermane.

Paralajmërim për pasojat

Ajo kujtoi deklaratën e saj të dhënë gati dy javë më parë në Berlin gjatë vizitës së homologëve të saj nga Bosnja-Hercegovina dhe Mali i Zi, ku kishte paralajmëruar që të kihet kujdes nga pasojat e bisedimeve për rajonin: Duhet të kujdesemi që veprimet në një vend të mos kene  efekte të kundërta në një vend tjetër," tha ajo dhe shtoi: "Por unë kam shpresë te bisedat ndërmjet palëve, përfundoi Merkel.

Deklarata e kancelares gjermane dy javë më parë kishte qenë më refuzuese ndaj idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkan. Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është krijuar dhe nuk ndryshohet më, pat thënë Merkel atëherë. 

Kritikë nga shumë ekspertë

Ideja e ndryshimit ose korrigjimit të kufijve Serbi-Kosovë, fillimisht e hedhur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Thaçi dhe Vuçiq, më pas përforcuar nga këshilltari i presidentit amerikan, John Bolton, dhe së fundi edhe nga deklaratat e komisionerit të zgjerimit Johannes Hahn pas takimit joformal të organizuar këtë javë nga Instituti  Alpbach në Austri duket se nuk është më tabu. 

Por opinoni i përgjithshëm duket se e rrefuzon. Edhe eksperti i Evropës Juglindore, Ruben Dieckhoff, nga dega serbe e fondacionit gjerman Friedrich Neumann shprehet skeptik në një artikull në portalin freiheit.org. Ai mendon se jo vetëm që kjo ide është një lëndë eksplozive për konflikte të reja territoriale në Ballkan, por edhe se këmbimi i territoreve nuk do ta zgjidhte problemin e serbëve, duke pasur parasysh se më shumë se gjysma e tyre jeton në enklava në jug të Mitrovicës. Ai sugjeron se rruga më e vështirë, por edhe më e suksesshme është njohja e realitetit ekzistues dhe bashkëjetesa me të drejta të garantuara për pakicat.

Në një artikull të përbashkët, të botuar të martën në Euractiv, Filip MIlacic, studiues nga Rijeka dhe Podgorica, dhe Valeska Esch, drejtore programi në Institutin Aspen në Berlin, mendojnë gjithashtu se diskutimet për ndryshime territoriale vetëm sa ngjallin nacionalizëm dhe largojnë vëmendjen nga problemet ekonomike në rajon. Popullsisë serbe i duhet bërë e qartë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është vërtet një kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për të hyrë në BE, thuhet ndër të tjera në artikull.

Kroacia kundër ndryshimit të kufijve

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, i cili u pyet të martën (28.08)nga gazetarët në Berlin, e rrefuzoi opsionin e ndryshimit të kufijve dhe kërkoi respektin e tyre, ashtu siç ka përcaktuar Komisioni i Badinternit për ish-republikat e Jugosllavisë, në vitin 1991. Plenkovic paralajmëroi se: Ndryshimet e kufijve në Evropën Juglindore mund të kenë pasoja në vende të tjera, prandaj ne jemi shumë të kujdesshëm dhe nuk jemi të parët që kërkojmë ndryshime kufijsh.

Ishte vizita e dytë e punës së kryeministrit kroat në Gjermani.  Dy vendet i lidhin jo vetëm marrëdhëniet e shumta politiko ekonomike që nga pavarësia e Kroacisë në vitin 1991, 2,5 milionë turistët gjermanë që vizitojnë çdo vit Kroacinë dhe 350 mijë kroatët që jetojnë në Gjermani, por edhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian.

Angela Merkel lavdëroi kontributin e shtetit më të ri të BE-së që aspiron për anëtarësim në Schengen në përballjen me sfidën e migracionit ilegal, por edhe rolin konstruktiv në rajonin e Ballkanit, i cili, siç tha kancelarja gjermane, megjithë procesin e Berlinit vazhdon të jetë i komplikukar. Këtë kontribut Kroacia synon ta përforcojë në vitin  2020, kur do të jetë kryetare e radhës e BE-së dhe planifikon të organizojë një samit me vendet e BE-së dhe Ballkanin Perënimdor.  Në vitin 2020 pas Kroacisë, kryesinë e BE-së e ka Gjermania.