051211 Euro Merkel Sarkozy
6 Dhjetor 2011Pra tani, pas ombrellave të shpëtimit dhe fondit të monedhës, vjen marrëveshja e re e BE-së. Në takimin e tyre të hënën (5.12.) në Paris kancelarja gjermane dhe presidenti francez përpiluan pikat konkrete të kësaj marrëveshjeje. Presidentit të Këshillit të BE-së Herman Van Rompuy projekti do t'i dorëzohet të mërkurën, një ditë më vonë shefat e qeverive do të këshillohen për të në Bruksel. "Shumë njerëz kanë shqetësimin nëse mund të na besojnë, prandaj para së gjithash me Këshillin e BE-së duhet rifituar të enjten dhe të premten besueshmëri për të forcuar detyrueshmërinë e marrëveshjeve tona." - tha Angela Merkel.
Presidenti francez e quajti fazën që vjen një marshim të detyrueshëm për të rivendosur besimin te euroja. Që gjatë samitit do të bëhet e qartë nëse të gjitha 27 vendet e BE-së do të jenë pro, apo vetëm 17 vendet e euros, thanë Merkel dhe Sarkozy. Marrëveshja e re do të miratohet pastaj në mars.
Franca thekson rëndësinë e aleancës me Gjermaninë
Meqenëse në Francë u diskutua ditët e kaluara intensivisht gjoja trysnia gjermane mbi BE-në, dy politikanët u morën pas takimit të tyre më gjatë me marrëdhëniet gjermano-franceze. Ka një detyrim për ujdi mes dy vendeve, tha Nicolas Sarkozy. Dhe ai theksoi: "Në këtë kohë shumë të trazuar, në këtë krizë tejet të rëndë, Franca mendon më shumë se kurrë, që aleanca me Gjermaninë dhe me kancelaren është një element strategjik dhe thelbësor."
Në dokumentin, që Merkel dhe Sarkozy do t'u shpjegojnë të enjten (8.12.) kolegëve të tyre, bëhet fjalë para së gjithash për një fren huash të sanksionuar në ligj dhe të njësuar, pra për ndalimin e hyrjes në hua për buxhetin me më shumë se tre për qind. Vendet që nuk e respektojnë këtë, ndëshkohen automatikisht. Ndalimi i deficitit duhet të kthehet veç kësaj në ligj në çdo vend, Gjykata Evropiane do të jetë në gjendje ta verifikojë këtë.
Rëndësia e Gjykatës Evropiane rritet
Kësisoj takimi midis Merkel-it dhe Sarkozy-së arriti më shumë sesa pritej nga vëzhguesit. Te sanksionet automatike Franca i është afruar shumë qëndrimit gjerman. "Ne i afrohemi së bashku një Evrope të njësuar, një Evrope të qeverive dhe një Evrope që nuk bën përsëri gabimet e së kaluarës." - tha Sarkozy.
Kancelarja nga ana e saj nuk ka bërë shumë përpara me sa duket në hapësirën e manovrimit të Gjykatës Evropiane: "Kjo do të thotë, Gjykata Evropiane nuk verifikon çdo buxhet, por verifikon nëse freni i huave është kthyer në mënyrë të tillë në ligj kombëtar që prej tij të burojë një respektim i detyrueshëm i paktit të stabilitetit dhe të rritjes ekonomike."
Autor: Johannes Duchrow / Elert Ajazaj
Redaktoi: E. Xhani