1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ardhmëria e gazetarisë

Peter Hille/Bahri Cani1 Korrik 2014

Në Global Media Forum të DW u debatua për ardhmërinë e gazetarisë. Mendimet ishin të ndara sa i përket influencës së shtetit dhe ardhmërisë së gazetarisë.

https://p.dw.com/p/1CTKt
GMF Global Media Forum 2014
Fotografi: DW/K. Danetzki

Si sillet shefi i një shtëpie të madhe botuese evropiane në kohën e ndryshimeve mediatike? "Si një fëmijë i vogël, i cili shqelmon me këmbë dhe fshihet pas fustanit të edukatores". Me këto fjalë përshkruan eksperti i internetit Jeff Jarvis kryetarin e Bordit drejtues të botuesit Axel-Springer, Mathias Dëpfner. Kërkesat e Dëpfner për shpëtim nga shteti i quan si një model të vjetruar biznesi, në vend që të zhvillojë ide të reja të vetat.

Fitimi nga digjitalizimi

"Firma jonë ka ndryshuar në mënyrë radikale", u përgjigj Dëpfner në forumin e DW Global Media Forum (GMF) në Bonn. "Dy të tretat e fitimeve tona vijnë nga ofertat digjitale. Ndërkohë që ne duam të jemi botuesi kryesues digjital."

Döpfner: "Firma jonë ka ndryshuar radikalisht."
Döpfner: "Firma jonë ka ndryshuar radikalisht."Fotografi: DW/K. Danetzki

Organizatorët e GMF e kanë ulur Dëpfner gjatë diskutimeve në ish sallën e Bundestagut në Bonn, menjëherë pranë Jarvis. Grindjet e tyre përcaktuan edhe debatin për "Ardhmërinë e Gazetarisë".

Rëndësia e Google

Jarvis pohon se ata, që duan të jenë të suksesshëm, duhet të mësojnë historinnë e Google. Ai edhe vet ka aksione të Google dhe e quan këtë koncern si një "Mountain View" në librin e tij “What Would Google do?“ Ndërkohë që shtëpitë tradicionale të mediave si Springer, i quan si një lloj dinozauri, i cili gjithmonë përpiqet të marrë para nga artikujt e botuar online.

"Google nuk sillet si një rojtar, i cili përcakton se çfarë informacionesh duhet të marrin njerëzit. Google është një platformë, ku secili mund të thotë mendimin e vet", pohon Jarvis. Ndërkohë që ai mund të trajtohet si një lloj servisi i klientëve. Dhe pikërisht këtu është e ardhmja e gazetarisë: në shërbimet e caktuara, si për shembull planet e qyteteve të bëra nga Google, që mund t'i shërbejnë secilit.

Dëpfner kishte rezerva, por Jarvis pohon se "është i lumtur, që Google e di se ku banon ai. Ata më japin informacione, të cilat nuk m'i ofron gazeta ime."

I kërcënuar dhe paragjykuar

Moderatori Tim Sebastian e kishte për detyrë të ndërmjetësojë mes kundërshtarëve në mendime. Gazetari i BBC tha se nuk është në rrezik vetëm modeli i udhëheqjes së gazetarisë. Janë të cënuara edhe vetë jeta dhe puna e gazetarëve: nga ushtarët, rebelët, por edhe policia dhe organet juridike. Si për shembull një gazetar i Al-Xhazirës, i cili në Kajro është dënuar me shumë vjet heqje lirie.

Shefi i tij Salah Negm kërkoi më shumë solidaritet mes kolegëve. Së bashku me Jawhar Sircar,drejtor në televizionin e Indisë Prasar Bharati dhe intendanti i DW, Peter Limbourg ata diskutuan në Global Media Forum. "Neve na është imponuar kjo luftë", tha Negm. "Duhet t'i mbrojmë gazetarët tanë si në Egjipt, ashtu edhe në Siri, apo Irak."

Jarvis: "Gazetaria bëhet edhe pa shtëpi të mëdha botuese."
Jarvis: "Gazetaria bëhet edhe pa shtëpi të mëdha botuese."Fotografi: DW/K. Danetzki

Ardhmëria e gazetarisë është, sipas tij, më pak një çështje e teknikës sa "mirëbesimit". "Mirëbesimi duhet të fitohet. Çdo ditë nga e para. Gazetaria nuk është ndonjë profesion, por një mision". Me këtë mendim u pajtua edhe intendati i DW. Gjithandej ku mediat tregojnë vetëm njërën anë të medaljes, mediat ndërkombëtare si Deutsche Welle duhet të tregojnë përgjegjësi. "Ndaj është mirë që ne ndërkohë kemi konkurrencë edhe nga Kina, Rusia, apo vendet e Gjirit“, pohon Limbourg. "Por kjo duhet të vlejë edhe për kahjen tjetër. Ne duam që të jemi prezent në Arabinë Saudite, në Kinë dhe në Rusi."

Gazetari ka nevojë për një qasje të lirë, për lirinë e mendimit, u pajtuan gati të gjithë bashkëbiseduesit. Edhe kjo dëshmon se debatet e tilla për të ardhmen e gazetarisë dhe influencës së shtetit në gazetari janë të mirëseardhura.