Mbyllet incidenti diplomatik mes Tiranës dhe Athinës
3 Nëntor 2005Athina e konsideron “çështje të mbyllur” incidentin diplomatik të anulimit të vizitës së presidentit grek në Sarandë pas shpjegimeve që u dhanë dhe në takimin e djeshëm të posaçëm të ambasadorit grek në Tiranë me ministrin e jashtëm Besnik Mustafaj. Kështu deklaroi në mënyrë të përsëritur zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Jorgos Kumuçakos, duke anashkaluar si jo të nevojshëm edhe “fajesimin e njerës apo tjetres palë”. I vënë bile përballë një sërë pyetjesh rreth mënyrës së kapërcimit të kërkesave të “demostruesve camë” të Sarandës, zëdhenësi i ministrisë së jashtme greke evitoi formulimin e përjashtimit kategorik të ditëve më parë për “pretendime inegzistente”. Indirekt tregoi dhe kuadrin ligjor brenda të cilit mund të fillojë zgjidhja e konfliktit dhe konkretisht nenin 17 të Paktit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 1996. Neni në fjalë përcakton mundësinë e “rregullimit të problemeve pezull të pronësisë në të dy anët e kufirit”, duke përfshirë sigurisht dhe pronat e çamëve të dëbuar pas Luftes së Dytë Botërore nga forcat e Napolon Zerves. Kryeministrat e mëparshëm Nano dhe Simitis ranë dakort që të ngrihen dhe komisionet e posaçme të eksperteve, që u vlerësua dhe si hapi më konkret që do të hapte rrugën për zgjidhjen e problemit, qoftë në nivelin teknik, dhe do të sherbente si rrugëdalje dhe për palën greke në një qendrim të saj tabu. Por cili ishte fati i këtyre komisioneve?
“Mendoj -dhe e them me një farë rezerve- se nuk janë aktivizuar dhe nuk di as arësyen konkrete, ka mundësi të jetë gama e gjerë e problemeve” tha zedhenësi grek për të shtuar se “është e madhe edhe gama e problemeve që kanë të bëjnë me palën greke” duke nënkuptuar kështu pretendimet greke për prona në Shqipëri. Pra përgjegjësia u faturohet kështu të dyja palëve, pa evidentuar arësyet e pasivitetit të tyre. Sidoqoftë nga rregullimi në fjalë nuk mund të pritet më shumë se një kompesim për pronat, që presupozon dhe shfuqizimin e legjislacionit grek i cili “ia kalon përdoruesit pronën pas 22 vjetesh shfrytëzimi të vazhdueshëm të saj”. E vërteta është se ka shumë mister rreth këtij problemi që mund të sqarohet dhe të zgjidhet vetëm me vullnetin e mirë të të dyja palëve. Dhe pa shtyrjet e njëpasnjëshme për në kalendat greke.