1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut voton për presidentin e ri

24 Prill 2024

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut votojnë sot në zgjedhjet e shtata me radhë për presidentin e ri të vendit. Nuk pritet zgjedhja e presidentit që në raundin e parë.

https://p.dw.com/p/4f8MU
Votime për presidentin e vendit në Maqedoninë e Veriut - pamje e qendrës së votimit
Votime për presidentin e vendit në Maqedoninë e VeriutFotografi: Petr Stojanovski/DW

KSHZ: Procesi zgjedhor zhvillohet pa probleme, të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njoftoi se procesi zgjedhor në Maqedoninë e Veriut vendin po zhvillohet kryesisht i qetë. Kryetari, Aleksandar Dashtevski tha se ka pasur disa probleme të vogla, por ato kanë qenë të natyrës teknike. Sipas tij të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë. "Që dy orë e gjysmë që kur ka filluar votimi, në të gjitha vendvotimet procesi zgjedhor po rrjedh pa parregullsi. Deri në orën 09:00 kanë arritur të dhëna nga 832 vendvotime nga gjithsej 402 748 votues të regjistruar në këto vendvotime kanë votuar 15487 apo 3.85 për qind e votuesve. Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar 12 parashtresa që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtës zgjedhore të cilat janë lëndë e përpunimit”, ka deklaruar Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Votime për presidentin e vendit në Maqedoninë e Veriut -kuti votimi dhe përfaqësuesi i OSBE
Votime për presidentin e vendit në Maqedoninë e VeriutFotografi: Petr Stojanovski/DW

Për probleme teknike kanë njoftuar edhe anëtarët e KSHZ-së në disa vendvotime

"Votimi ka nisur me vonesë për shkak të disa problemeve teknike me materialin votues, por edhe me atë identifikues, por këto probleme i evituam dhe tani gjithçka është në rregull”, shprehet Lidija Takovska kryetare e një vendvotimi në Shkup. "Procesi zgjedhor deri tani po zhvillohet në mënyrë të rregullt. Besoj se në këto zgjedhje gjithçka do të jetë në rregull”, thotë Benjamin Aliti, përfaqësues i KSHZ-së në qendrën e votimit në Shkup.

Tashkovski: Votime të qeta pa incidente

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një prononcim për media tha se deri më tani gjendja e sigurisë është stabile dhe nuk ka asnjë problem sa i përket procesit zgjedhor. "Të gjithë sektorët e policisë janë të pajisur nga ana teknike dhe njerëzore. Ministria e Brendshme po vepron sipas planit dhe po ecën ashtu siç duhet. Mendoj se dita e zgjedhjeve do të kalojë në mënyrën më të mirë”, ka thënë  Toshkovski.

Zgjedhdjet presidenciale vlerësohen si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 8 maj, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Votime për presidentin e vendit në Maqedoninë e Veriut - një grua duke futur fletëvotimin në kuti
Votime për presidentin e vendit Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Në garë për president garojnë shtatë kandidatë, presidenti aktual Stevo Pendarovski i cili është propozuar nga koalicioni për "Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate. Opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja, garon me Gordana Siljanovska Davkovën. Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI garon me Bujar Osmanin, opozita e bashkuar shqiptare që përbën koalicionin VLEN merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin. Pjesë e garës zgjedhore janë edhe Maksim Dimitrievski, Stevçe Jakimovski, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë "E Majta”. Sipas dispozitave ligjore, në raundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve. Zgjedhjet presidenciale po vëzhgohen nga 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues ndërkombëtarë 32 gazetarë të huaj. Për zgjedhjet presidenciale numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut