1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni e Veriut:procesi zgjedhor po rrjedh pa probleme

5 Maj 2019

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 13.00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 20.73 për qind e qytetarëve.

https://p.dw.com/p/3HxSD
Stichwahl in Nord-Mazedonien Wahllokal
Fotografi: Reuters/M. Djurica

 

Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet raundi i dytë zgjedhjeve presidenciale, ku në garë janë dy kandidatë Stevo Pendarovski i mbështetur nga  partit e koalicionit qeveritar dhe Gordana Siljanovska-Davkova, kandidate e mbështetur nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE.

Votimet janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes. Të drejtën e votës e kanë rreth 1.8 milionë persona, të cilët mund ta realizojnë në 3512 vendvotime. Zgjedhjet do të jenë të vlefshme nëse në votime dalin mbi 40 për qind e zgjedhësve.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur  se deri në orën 13.00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 20.73 për qind e qytetarëve. Dalja më e lartë është regjistruar në Kriva Pallankë dhe Krushevë me rreth 39 përqind, ndërsa më e ulët në komunat me popullatë shqiptare si në Bogovinë, Zhelinë, Saraj e komuna tjera, ku nuk arrin as 10 për qind. Gjithnjë sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve procesi i votimit po zhvillohen në atmoferë të rregullt pa incidente që mund të prishin procesin votues.

Stichwahl in Nord-Mazedonien Kandidat Stevo Pendarovski t
Fotografi: Reuters/O. Teofilovski

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë votimit të sotëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale deri në mesditë nuk ka regjistruar asnjë shkelje të rendit dhe qetësisë publike.Votimi zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa probleme ka thënë  zëdhënësi i MPB-së Toni Angelovski.

"Çdo përpjekje për prishjen e procesin zgjedhor do të sanksionohet pa kompromis”, ka deklaruar Angelovski. MPB apelon tek qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.

Liderët partiakë me apele që qytetarët të dalin në vendvotime

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev pasi ka realizuar të drejtën e votës ka theksuar se sot më e rëndësishmja është që të arrihet censusi dhe Maqedonia e Veriut të fitojë presidentin e ri të shtetit. Sipas tij nga votimi dhe rezultati përfundimtar do të varet se kah do të orientohet shteti.

Stichwahl in Nord-Mazedonien Wahllokal - Gordana Siljanovska Davkova
Fotografi: picture alliance/AP Photo/B. Grdanoski

"Unë besoj se me një dinamikë të përshpejtuar do të vazhdojmë të ecim krahë për krahë me botën perëndimore. Shpresoj që zgjedhjet e sotme të jenë të suksesshme dhe do të ecim përpara ashtu siç na ka hije”, ka theksuar kryeministri Zoran Zaev.

Lideri i opozitës maqedonase kryetari i VMRO-DPMNE-së  Hristian Mickoski pasi ka votuar ka folur për disa parregullsive që janë shënuar në teren.

"Siç duket karakteri i pushtetmbajtësve të Zoran Zaevit nuk rri qetë. Ata duan që përmes rrugës së dhunës të zgjedhet presidenti i ri i shtetit. Kemi disa raste në Maqedoninë Lindore për të cilat VMRO DPMNE-ja do ta njoftojë përmes konferencave për shtyp opinionin për parregullsitë e shënuara", ka deklaruar Hristijan Micevski kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti procesin e sotëm zgjedhor e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Ai u ka bërë thirrje qytetareve që sa më masovisht të dalin për të votuar.

"Është një moment shumë i rëndësishëm që vendi ynë të jap një porosi për rajonin, por në veçanti për komunitetin ndërkombëtar se është një shoqëri e pjekur e përgatitur për procese të rëndësishme", ka thënë Ali Ahmeti kryetari BDI-së.

Vendvotimet mbyllen në ora 19 ndërsa rezultatet e para jopreliminare pritet të kumtohen diku nga ora 20 e mbrëmjes së sotme.