1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Proceset e montuara në "rishikim sistematik"

Katerina Blazevska
13 Janar 2021

Në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në procedurë parlamentare një projektligj për të mundësuar rishikimin e fakteve dhe provave të përdorura në procedurat gjyqësore, që janë perceptuar si të motivuara politikisht..

https://p.dw.com/p/3nqI6
Symbolbild Deutschland Justiz
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Projektligji i propozuar nga deputeti nga Bashkimi Demokratik për Maqedoninë, Pavle Trajanov, i cili ka hyrë në procedurë parlamentare, nëse miratohet do të mundësonte rishikimin e të paktën 30 rasteve nga periudha 2007-2017. Këto gjykime në opinion u perceptuan si të motivuara politikisht. Në kohën kur po përgatitet një proces i rishikimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, projektligji mund të jetë edhe si provë për të parë, nëse ekziston vullnet i vërtetë për të rishikuar situatën dhe për të rivendosur besimin në sistemin e drejtësisë. Nëse ky ligj miratohet, procedura gjyqësore mund të përsëritet . "Për herë të parë po kërkohet që të shqyrtohen faktet dhe provat e përdorura në procedurat gjyqësore duke përsëritur procedurat. Kështu që nuk kërkohet amnisti, shfuqizim ose falje, por gjykim i drejtë, thotë Pavle Trajanov.

"Përmes këtyre proceseve, është e mundur të korrigjohet padrejtësia, të hapet një procedurë për të kërkuar përgjegjësi në gjykimet e montuara nga udhëheqësit politikë, anëtarëve të shërbimit sekret UBK-së dhe nëpunësve të Ministrisë së Brendshme, prokurorëve dhe gjykatësve. Analiza e 12 çështjeve gjyqësore nga "Transparency International Macedonia” konfirmon, se vendimet e gjykatave janë marrë pa fakte dhe prova reale, dhe në kundërshtim me ligjin. Rasti i gazetarit Kezarovski, i cili u dënua në vitin 2013, për publikimin e të dhënave të një dëshmitari të rremë të mbrojtur, tregon mjaft mirë se si eliminohen ata që thonë të vërtetën për qeverinë", numëron disa raste Trajanov.

Pavle Trajanov
Pavle TrajanovFotografi: DW

Monopol mbi hetimet

Ka vërejtje për veprime të tilla për disa raste, ndër më të njohurit janë: "Detonatori", "Syri i Gjarpërit 1", " Syri i Gjarpërit 2", "Metastaza", "Spiun", "Agjent", "Likuidimi", "Kaldrma", "Rover" , "Muzeu i Maqedonisë", "Rrjeta e Merimangës", "Falanga 1" dhe "Falanga 2","PMF", "Mbeturina","Migrantët", çështja e kirurgut të syve Stavriç, por edhe disa raste më të vogla të ndjekjes penale dhe procedura gjyqësore me motive dhe interesa politike", thuhet në një informimin nga Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave. Komiteti përbëhet nga shoqatat e qytetarëve të prekur, të cilët për një kohë të gjatë kërkojnë që të përsëriten procedurat gjyqësore, vendimet e të cilave u morën në kundërshtim me ligjin, me vlerësim selektiv, të njëanshëm, të pasaktë në fakte dhe prova dhe në shkelje të të drejtave të të dënuarve.

Nordmazedonien | Skopje | Sitzung des neuen Parlaments
Fotografi: DW/F. Musliu

"Sipas disa studimeve të tjera krahasuese, situata në institucionet kryesore që përbëjnë sektorin e drejtësisë është si vijon: statistikat dhe analizat tregojnë se policia jo vetëm që ka de facto monopol mbi hetimet, por është lojtari kyç në të gjithë sistemin e drejtësisë penale, ku vendoset nëse dhe kush do të mbajë përgjegjësi për krimin e kryer. Shumica e autorëve nuk janë identifikuar kurrë, dhe pothuajse të gjithë ata që janë raportuar më vonë janë akuzuar dhe dënuar. Nënshtrimi i prokurorëve publikë dhe gjykatave dhe dështimi i tyre për të vepruar si mbrojtës të shtetit ligjor, të lirive dhe të drejtave, rrezikon seriozisht legjitimitetin e tyre. Për shkak të stafit të pamjaftueshëm, por edhe për shkak të problemeve serioze të pavarësisë së tyre nga ekzekutivi", thuhet më tej nga Komitetiti për Mbrojtjen e të Drejtave.

Kushte për gjykim të drejtë

Sipas projektligjit, përsëritja e procedurave gjyqësore nënkupton revokimin e gjykimeve përfundimtare dhe veprimet e organeve të tjera shtetërore të marra në bazë të atyre aktgjykimeve, dhe rivendosjen e gjendjes origjinale të të drejtave dhe pronave të personave të dënuar para se ata të privohen nga liria, jeta dhe të drejtat e tjera. Për personat që kanë vdekur gjatë procedurës ose gjatë vuajtjes së dënimit, kërkesa për përsëritjen e procedurës mund të paraqitet nga bashkëshorti ose trashëgimtarët e brezit të parë, dhe për një person juridik kërkesa mund të paraqitet nga një person i autorizuar prej tij. E drejta për të paraqitur kërkesën për përsëritjen e procedurës gjyqësore do të zgjasë një vit, pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Nëse ligji miratohet, qindra qytetarë që ndihen të dëmtuar nga veprimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve do të shpresojnë të kenë mundësinë për të provuar pafajësinë e tyre. Sidoqoftë, disa prej tyre tashmë kanë humbur shpresën, pasi kanë probleme shëndetësore, kanë humbur punën e tyre dhe për shkak të gjendjes së tyre kanë humbur edhe familjet.

Lidhur me projektligjin, Trajanov pret konsensus midis të gjithë deputetëve, pavarësisht se cilës partie i përkasin, sepse sundimi i ligjit është vendimtar.

"Askush nuk duhet të gjykohet dhe të dënohet për interesa politike dhe hakmarrje. Rinisja e procedurave do të krijojë kushte për gjykim të drejtë dhe puna e policisë, e prokurorisë dhe e gjykatës do të rishikohet. Është një numër i madh i çështjeve, por rreth 30 janë më specifike, ku mund të shihet qartazi  se këto janë çështje të trilluara nga politika dhe policia. Unë pres mendime pozitive për këtë propozim nga qeveria dhe ekspertët", thotë me plotë bindje Trajanov.