1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Manipulim dhe kaos zgjedhor

Daniel Scheschkewitz29 Tetor 2004

OSBE-ja vëzhgon zgjedhjet presidenciale në SHBA

https://p.dw.com/p/ArRp
Punonjëse zgjedhore në Broward County, Florida
Punonjëse zgjedhore në Broward County, FloridaFotografi: AP

Florida ishte qendra e disputit gjatë zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vitit 2000. Atëherë e fitoi presidenti Bush këtë shtet federal me një epërsi prej vetëm 537 votash. Edhe këtë herë Florida është e papërcaktuar. Presidenti Bush dhe senatori Kerry kanë të dy shpresa për të fituar 27 votat e delegatëve të shtetit më jugor amerikan.

Që prej zgjedhjeve të katër vjetëve më parë atje janë hequr kartat e biruara dhe janë zëvendësuar nga aparate votimi elektronike; por probleme ka edhe këtë herë. Pikërisht në qarkun "Broward County", i cili u bë i njohur në zgjedhjet e katër vjetëve më parë, janë zhdukur pa gjurmë thuajse 60.000 vota me postë. Posta amerikane dhe autoriteti zgjedhor po fajësojnë njëri-tjetrin për këtë.

Në Ohio, një tjetër shtet kyç ku po dyluftohet ashpër, ka plasur një grindje juridike për atë se si do të numërohen votimet provizore të lejuara së fundi nga ligjvënësi, e që nuk shfaqen në listat zgjedhore. Vetëm në qarkun zgjedhor ku banon zgjedhësi, apo kudo ku mund të hidhet vota provizore?

Në SHBA nuk ka as detyrim për regjistrim as detyrim për paraqitje letërnjoftimi në votim, gjë që e vështirëson verifikimin e regjistrave zgjedhore. Nga përfundimi i këtij konflikti juridik mund të preken deri në 400.000 vota vetëm në Ohio.

Partia Republikane druhet se me anë të manipulimit të listave zgjedhore mund të votonin padrejtësisht persona që nuk kanë të drejtë për të votuar. Kryetari i partisë Ed Gillespie:

"Ne e dimë që në lista janë regjistruar njerëz me identitete të rreme duke ofruar në këmbim të këtij favori kokainë. Njerëz me emra fantastikë si Mary Poppins shfaqen në listat zgjedhore dhe në New Mexiko 13-15 vjeçarë kanë marrë dokumenta, megjithëse nuk i kanë kërkuar."

Ndryshe gjykon Partia Demokratike. Ajo ka dërguar 10.000 avokatë në qarqet e ndryshme zgjejdhore për të garantuar që secili që kërkon të votojë edhe të mund të votojë. Chat Culver, ministër i brendshëm demokrat në shtetin Iowa:

"Në vitin 2000 kishim në SHBA katër deri në gjshtë milionë persona me të drejtë vote, të cilëve ju hoq e drejta e votës. Kjo nuk lejohet të ndodhë edhe një herë."

Përveç ministrisë së drejtësisë, e cila po dërgon 1.000 nëpunës për të vëzhguar zgjedhjet në 50 shtete, këtë herë kanë ardhur edhe vëzhgues të pavarur. Me ftesë të ministrisë së jashtme amerikane "Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim" në Evropë ka dërguar 100 vëzhgues zgjedhorë në Amerikë. Njëra prej tyre është ish-kryetarja e parlamentit gjerman Rita Süssmuth. Ajo i spjegoi Deutsche Welles se ku do të përqendrohet vëmendja e vëzhguesve të OSBE-së gjatë zgjedhjeve presidenciale:

"A e kanë shtetasit mundësinë që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës? Sa i sigurt është procesi zgjedhor dhe ai i numërimit të votave? Kjo do të thotë: a mund të jetë i sigurt zgjedhësi që vota e tij do të merret parasysh? Këtu bën pjesë edhe pyetja, nëse mund të kontrollohet rezultati i dalë?"

Pyetje pas pyetjesh, që mund të preokuponin pas ditës së zgjedhjeve jo vetëm vëzhguesit e OSBE-së.