1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Majorkë: Frikë nga shitjet pa masë të imobiljeve

26 Janar 2023

Pasuritë e patundshme të Majorkës po blihen gjithnjë e më shumë nga të huajt e pasur. Banorët e ishullit mendojnë se kupa është mbushur. Ata kanë mbetur me gisht në gojë dhe diskutojnë për t’i vënë kufi këtij tregu.

https://p.dw.com/p/4MLQI
Playa de Palma, plazhi i frekunetuar në Majorkë
Playa de Palma, plazhi i frekunetuar në MajorkëFotografi: Augst/Eibner-Pressefoto/picture alliance

Një e treta e gjithë vilave dhe apartamenteve të ishullit që ndryshuan pronarin në vitin 2022, janë blerë nga të huajt e interesuar, bëhet e ditur nga autoritetet. Në vitin 2021, më shumë se gjysma e blerësve të pasurive të patundshme kishin pasaportë të huaj. Statistikat kryesohen nga europianët e kamur, sidomos të hapësirës gjermanofolëse. Sipas vlerësimeve të sektorit të brokerave, parashikohet që ky sulm mbi pasuritë e patundshme të Majorkës të vazhdojë edhe në vitin 2023.

Vrulli i të interesuarve nga vendet e tjera për t'u bërë pronar toke majorkeze ka marrë përmasa aq të mëdha, saqë presioni që ushtrohet mbi qeverinë e ishullit, të përbërë nga socialdemokratët dhe dy parti të vogla të majta, po shtohet për të vendosur limite për shitjet e pasurive të patundshme të huajve që nuk janë rezidentë. E njëjta gjë po ndodh në Kanada, ku të huajt nuk do të lejohen dy vitet e ardhshme të blejnë pasuri të patundshme. 

Pamje nga rruga për në plazhin e frekuentuar Playa de Palma të Majorkës
Pamje nga rruga për në plazhin e frekuentuar Playa de Palma të MajorkësFotografi: Augst/Eibner-Pressefoto/picture alliance

Edhe marrja me qira është shumë e shtrenjtë 

Arsyeja ka të bëjë me faktin që për banorët e Majorkës dhe ishujve të tjerë Baleare (Ibica, Formentera, Menorca) është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë gjetja e hapësirës së pagueshme të banimit për përdorim vetjak. Edhe banesat me qira janë shtrenjtuar aq shumë saqë shumë vendas nuk janë më në gjendje t'i përballojnë.

Sipas statistikave, në vitin 2022, çmimi i pasurive të patundshme të ishullit u rrit tetë përqind. Çmimet e qirave u rritën madje me 14,5 përqind, bën të ditur portali Idealista, portal i këtij sektori.

"Balearet nuk duhet të kthehen në ishuj ku banorët nuk kanë më vend për vete,” tha Iago Negueruela, ministër Ekonomie nga socialdemokratët, duke folur para parlamentit rajonal të ishujve baleare. Rregullimi i sektorit të pasurive të patundshme është një temë për të cilën duhet folur hapur për shkak të rritjes së tensionit të popullsisë, deklaroi Negueruela. Megjithatë për qytetarët europianë kufizimet janë në kundërshtim me të drejtën e BE-së, e cila garanton liri lëvizjeje për të gjithë qytetarët europianë.

Qendra historike e qytetit Manacor në ishullin e Baleareve Majorkë
Qendra historike e qytetit Manacor në ishullin e Baleareve MajorkëFotografi: H. Blossey/blickwinkel/picture alliance

Shitje spektakolare

"Blerja masive e pasurive të dyta të patundshme në vendet turistike, ua  vështirëson banorëve vendas përballimin e një rezidence primare,” thotë deputeti i parlamentit balear, Josep Castells nga partia e majtë, Més. "Për vendasit shpesh nuk është më e mundur të mbajnë hapin me të huajt, kur bëhet fjalë për çmimet e pasurive të patundshme,” shpjegon Castells për gazetën Mallorca Zeitung, gazetë në gjuhën gjermane,

Ka muaj që shitjet spektakolare të bëra në ishull nxisin trazirat dhe presionin dhe krijimin e përshtypjes se pjesa më e madhe e Majorkës ka kaluar në duart e të huajve. Shumë njerëz të famshëm nga Gjermania, Austria apo Zvicra ka kohë që janë në Majorkë si në shtëpinë e tyre.

Tani ishullin e ëndërrave janë duke e zbuluar edhe të huajt nga pjesa tjetër e botës. "Në garën për blerjen e perlave të Majorkës, të huajt luftojnë njeri-tjetrin duke bërë oferta më të mira se pararendësi,” shkruan gazeta Diario de Mallorca, gazetë në gjuhën spanjolle.

Sensasioni i fundit ishte shitja e kështjellës, Palastes Sa Fortalesa. Ajo ndodhet në një gadishull magjepsës të komunës veriore, në Pollença. Gadishulli, bashkë me pallatin dhe portin, është blerë nga multimiliarderi norvegjez Ivar Erik Tollefsen, konfirmon bashkia e Pollençës. Sipas të dhënave të gazetës ekonomike norvegjeze, Kapital, çmimi i blerjes ka qenë 62 milionë euro. 61 vjeçari është pronar i koncernit të investimeve Fredensborg, koncern që nga ana e tij kontrollon gjigandin ndërkombëtar të pasurive të patundshme, Heimstaden. Heimstaden është një nga pronarët më të mëdhenj europianë të banesave. Sipas të dhënave të veta, Heimstaden ka aktualisht 155 mijë banesa në gjithë Europën, prej të cilave 26.500 në Gjermani dhe 53.000 në Skandinavi.

Në të ardhmen ishull i miliarderëve?

Porti i jahteve në Majorkë
Porti i jahteve në MajorkëFotografi: AP

Disa kilometra larg pallatit të ëndërrave të Tollefsenit, një investitor tjetër i huaj bleu po ashtu shumë: Për 165 milionë euro, miliarderi meksikanas Fernando Chico Pardo bleu nëpërmjet fondit të tij të investimeve Emin Capital, hotelin majorkez plot tradita, Hoteli Formentor, i cili rrethohet nga parqe të mëdha dhe toka gjuetie.

Indinjatë shkaktoi fakti që investitori nuk respektoi planin që kishte për ta mbajtur dhe restauruar hotelin 100 vjeçar të ishullit. Por dërgoi eskavatorët për ta shkatërruar atë dhe për të hapur vend për një hotel të ri luksoz.

Edhe blerja e fundit e vëllezërve miliarderë britanikë, Reuben, nuk u prit mirë në ishull: David dhe Simon Reuben bëjnë pjesë prej kohësh në latifondistët e Majorkës. Sipas të dhënave nga disa media të ishullit, ata i shtuan pronat e tyre me dy sipërfaqe të mëdha toke, në Pollençan veriore dhe në Adratx, në jugperëndim të ishullit.

Ndërkohë vëllezërit kanë në Majorkë më shumë se 1300 hektarë tokë, që është 13 kilometra katrorë ose dyfishi i sipërfaqes së Gjibraldarit. Po ashtu, më shumë se dhjetë kilometra bregdet u ka kaluar miliarderëve si pronë private.