1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maas për coronavirusin: Ballkani ka nevojë për ndihmën tonë

24 Mars 2020

Ministri gjerman i punëve të Jashtme, Heiko Maas, ka përshëndetur vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai shton se Ballkani ka nevojë për ndihmën tonë për përballimin e virusit.

https://p.dw.com/p/3Zxs2
Deutschland Coronavirus - Pk Außenminister Heiko Maas
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Në një deklaratë për media, ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, tha sot (24 mars) për vendimin e Këshillit të  Ministrave për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut: "Evropa e mban fjalën. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po fillojnë fazën tjetër në rrugën e tyre drejt BE-së. Kjo është njohja e vonuar e përpjekjeve të tyre për reforma. Dhe është një inkurajim për të vazhduar këtë kurs me vendosmëri", ka thënë Maas. "Të dy vendet kanë bërë përparime të dukshme në reformimin e  sistemeve të tyre gjyqësore dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa historikë drejt pajtimit në rajon me marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe marrëveshjen e miqësisë me Bullgarinë", shkruan më tej ministri gjerman i Punëve të Jashtme. 

Maas me këtë rast bën thirrje për më shumë ndihmë për përballjen me korona virusin: 

"Pikërisht tani këto vende kanë nevojë për mbështetjen dhe solidaritetin e BE-së. Sistemet e dobëta shëndetësore të tyre nuk i bëjnë dot ballë virusit. Ne duhet ta luftojmë këtë betejë së bashku - transmetimi nuk ndalet në kufij", përmbyll Maas deklaratën.

Ministrat e Evropës të vendeve anëtare të BE-së ranë dakord (24.03) në video konferencë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisionit të BE-së iu kërkua të hartojë një kornizë negociuese. Kjo bëhet në bazë të një metodologjie të re të pranimit që vendos një përqendrim edhe më të fortë në fushat e demokracisë dhe sundimit të ligjit. 

Kushte të reja për Shqipërinë 

Para se të fillojnë negociatat, Shqipëria duhet të bëjë përparime të mëtejshme konkrete. Sipas informacioneve të DW, janë shtuar kushtet:  Përveç dy  kushteve të vendosura nga Bundestagu, pra, reforma zgjedhore dhe funksionimi i gjykatës kushtetuese dhe gjykatës së lartë, deri në fillimin e konferencës ndërqeveritare Shqipëria duhet të plotesojë edhe kushte të tejra, ndër të tjera edhe riatdhesimin e azilkërkusve. 

"Para konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODHIR, duke siguruar financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën përkatëse ndërkombëtare, përfshirë edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe të përmbyllë krijimin e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria gjithashtu duhet të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe përmes bashkëpunimit me Shtetet anëtare të BE-së dhe përmes planit të veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Force të Veprimit Financiar (FATF). Trajtimi i aplikimeve të pabazuara për azil dhe sigurimi i riatdhesimeve dhe ndryshimi i ligjit të medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbeten prioritete të rëndësishme," thuhet ndër të tjera në draftin e konkluzioneve, që do t'u paraqitet të enjten kryetarëve të qevereive dhe të shteteve të BE-së, një kopje të të cilit e ka edhe DW. 

Marrëveshja e sotme politike duhet të konfirmohet zyrtarisht nga shtetet anëtare të BE-së në një procedurë me shkrim. 

Komisioni i BE-së kishte rekomanduar fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut qysh në vitin  2018, por vendimi ishte shtyrë për shkak të rezervave që kishte presidenti francez Macron për metodologjinë e zgjerimit, si edhe për shkak të rezervave të disa vendeve të tjera, sidomos Vendeve të Ulëta,  ndaj Shqipërisë. 

Më 2 Mars 2020, Komisioni i BE-së paraqiti një raport të ri të përparimit të reformave në të dy vendet dhe konfirmoi sërish rekomandimin e tij për çeljen e negociatave. 

Fillimi i bisedimeve të pranimit është fillimi i një procesi disavjeçar, kishte thene me pare ministri  gjerman i Evropes Michael Roth.  Vetëm nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut zbatojnë axhendën ambicioze të reformave, ato mund të bëhen përfundimisht anëtare te Bashkimit Evropian. (ash)