Më shumë pjesëmarrje qytetare në politikë përmes internetit
30 Nëntor 2013Salla është e mbushur plot. Pjesëmarrësit shohin me kuriozitet në ekranin e madh, ku po shpjegohet se si mediat digjitale mund t'i bashkojnë qytetarët dhe politikanët. "Në qoftë se njerëzit nuk mund të merrnin më pjesë drejtpërdrejt në proceset e vendimmarrjes politike, atëherë ata nuk kanë më asnjë interes për politikën," thotë Jens Seipenbusch. Ai është bashkëthemelues i Partisë Pirate gjermane dhe është një nga folësit e ftuar në Forumin Botëror për Demokraci në Strasburg. Tema e këtij viti demokracia në epokën digjitale. Për tri ditë përfaqësues ndërkombëtarë nga politika, shkenca dhe biznesi po diskutojnë se si mund të reduktohet ngopja në rritje e popullsisë me politikën që vihet re në mbarë botën. "Liquid Democracy" quhet zgjidhja, pra demokracia e lëngshme.
Seipenbusch mendon se pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në vendimet politike bëhet edhe më e mundshme përmes internetit. Interneti duhet të bëhet më i hapur dhe transparent dhe një vend ku qytetarët t'i gjejnë informacionet në çdo kohë që u duhet. E drejta për t'u informuar është kusht për një demokraci funksionuese dhe të gjallë mendon Seipenbusch.
"Demokracia 2.0"
Përvojë me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve ka kryetari i bashkisë së Lisbonës, Antonio Costa. Të gjithë qytetarët e kryeqytetit portugez kanë që nga viti 2008 mundësi që të bëjnë përmes internetit sugjerime për projekte lokale që do të zhvillohen në qytet. Ata gjithashtu mund të votojnë për përdorimin praktik të buxhetit. "Në Lisbonë kemi rezervuar një pjesë të madhe të parave për këtë qëllim. Këtë vit në marrjen e vendimeve ishin të përfshirë më shumë se 35 000 persona. Qytetari është i kënaqur në qoftë se ka mundësi zgjedhjeje. Çdo vit ne kemi më shumë pjesëmarrës dhe më shumë projekte të ndryshme." Costa tregon se ky komunikim transparent dhe i hapur u vjen në ndihmë qytetarëve dhe se meqë qytetarët mund të informohet direkt nuk ka aq shumë nevojë për përhapjen e informacioneve përmes mediave.
Problem me votimet e hapura
Yannick Harel, profesor në Shkollën e Lartë Ekonomike ISEG në Paris sheh në të tilla votime të hapura dhe të drejtpërdrejta një problem: Disa mund të dëgjohen më shumë se të tjerët. Kështu sistemi është i hapur për manipulime politike dhe populizëm. Në këtë fushë mungojnë krejtësisht mekanizmat e mbrojtjes dhe a mund të ketë në një votim transparent edhe anonimitet?
Jens Seipenbusch sheh vështirësi të tjera: qytetarët normale zakonisht nuk kanë njohuri të mjaftueshme teknike dhe ekspertizë në të gjitha fushat e politikave, por vetëm në mënyrë sporadike për ato që u interesojnë personalisht. Prandaj është shumë e rëndësishme që përmbajtje komplekse të thjeshtohen dhe të përshkruhen në mënyrë të tillë që vendimet të mund të merren me kohë prej popullsisë.
Ögmundur Jonasson, anëtar i Parlamentit të Islandës, mendon se "Liquid Democracy" është një metodë nga e cila mund të mësojnë partitë ekzistuese. "Partitë politike do të duhet të jenë më të hapura, meqenëse vendimet e rëndësishme do të merren me plebishit apo referendum." Demokracia transparente do ta nxiste më tepër demokracinë. Por shumë çështje janë ende të hapura dhe "Liquid Democracy" gjendet në fazën eksperimentale dhe qytetarët mund të shprehen në platforma të ndryshme on-line.