1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta me Iranin dominon samitin e BE në Bruksel

19 Mars 2026

Në samitin e parë të rregullt të BE-së për këtë vit, vëmendja përqendrohet tek lufta në Iran. Pyetja kryesore: si mund të përfundojë lufta - dhe a duhet të ndërhyjë BE apo jo?

https://p.dw.com/p/5Afor
Samiti i BE - flamujt e vendeve anëtare në selinë e BE
Samiti i BE ishte menduar fillimisht të përqendrohej në konkurrueshmërinë e Evropës, por lufta në Iran kthehet në temë kryesoreFotografi: Nicolas Tucat/AFP/Getty Images

(E akt.) Disa krerë shtetesh dhe qeverish të BE-së kanë reaguar me zemërim ndaj rezistencës së Hungarisë për lëshimin e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Para fillimit të samitit të BE-së në Bruksel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas  kritikoi kryeministrin hungarez Viktor Orban se po i bën shantazh BE-së. Si të papranueshëm e kritikoi edhe kryeministri holandez Rob Jetten, qëndrimin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Edhe krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve baltike u shprehën ngjashëm. Megjithatë, Orban këmbëngul, se do të tërhiqej vetëm pasi nafta ruse të rrjedhë përsëri në Hungari. Kancelari Friedrich Merz paralajmëroi se marrëveshja e arritur me BE në dhjetor duhet të respektohet. 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së kishin rënë dakord për një kredi prej 90 miliardë eurosh që Ukrainës i nevojitet për mbrojtjen e saj kundër Rusisë.

Sfondi i mosmarrëveshjes Ukrainë-Hungari lidhet me dëmtimin e një gazsjellësi. Sipas burimeve ukrainase, sulmet ajrore të Rusisë dëmtuan një tubacion përmes të cilit nafta ruse transportohet nëpërmjet Ukrainës në Hungari dhe Sllovaki. Orban akuzon udhëheqjen ukrainase se refuzon të riparojë këtë tubacion. Ukraina ka deklaruar se riparimi do të zgjasë pak kohë.

Viktor Orbán në samit
Sfondi i mosmarrëveshjes Ukrainë-Hungari lidhet me dëmtimin e një gazsjellësi.Fotografi: Yves Herman/REUTERS

BE fokus tek Irani

Samiti i BE ishte menduar fillimisht të përqendrohej në konkurrueshmërinë e Evropës e si ta përgatisim BE për të ardhmen. Por tani kur çmimet e energjisë po rriten ndjeshëm vëmendja i kushtohet një lufte që zhvillohet 5,000 kilometra larg e që përcakton të enjten (19.03.) samitin e BE. Pasojat e luftës së Iranit po ndihen edhe në Bruksel. Në deklaratën e tij qeveritare, kancelari Friedrich Merz bëri thirrje për një përfundim të shpejtë të luftës.  Por si? Kush ka më qasje te presidenti amerikan, Donald Trumo tani që ai ndihet i braktisur nga evropianët? Trump e quajti shokuese mungesën e mbështetjes për luftën e tij kundër Iranit, duke thënë se kjo nuk do të harrohet.

Efektet e luftës të ndjeshme në BE

Krerët e shteteve dhe qeverive evropiane janë të zënë në një dilemë: nga njëra anë, ata duan që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe nga ana tjetër, duan të përfshihen në të sa më pak të jetë e mundur. Në takimin e parë të krerëve të shteteve dhe qeverive që nga fillimi i Luftës Iran-Irak shtrohet pyetja: A do të flasin të gjithë me një zë dhe do të jenë për vetëpërmbajtje, apo do të ketë disa vende të gatshme të marrin pjesë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit?

Flamuri i BE në selinë e BE
Që nga fillimi i Luftës Iran-Irak shtrohet pyetja: A do të flasin të gjithë me një zë në BE?Fotografi: Virginia Mayo/AP Photo/picture alliance/dpa

Efektet ndikojnë pothuajse në të gjitha vendet e BE-së. Çfarë mund të bëhet në lidhje me çmimet e larta të energjisë? A duhet që kompanitë e naftës t'i nënshtrohen një takse mbi fitimin? Dhe cili është rreziku që paraqesin refugjatët nga rajoni? Këto janë të gjitha tema për diskutimet në samit.

Ukraina pret ndihma në miliarda

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky merr pjesë në takim nëpërmjet lidhjes me video dhe do t'u kujtojë krerëve të shteteve dhe qeverive se sulmet kundër vendit të tij vazhdojnë të pandërprera. Ukraina ka nevojë urgjente për para për  jetën e përditshme dhe për të organizuar mbrojtjen. BE-ja kishte premtuar 90 miliardë euro kredi. Hungaria ka bllokuar shpërndarjen.  Viktor Orbán,  i cili njihet për qëndrimin e tij pro-rus, përballet me zgjedhje në vend; ndryshimi i qëndrimit të tij nuk do të jetë i lehtë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duke folur në Palacio de la Moncloa në Madrid
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky merr pjesë në takim nëpërmjet lidhjes me video dhe do t'u kujtojë krerëve të shteteve dhe qeverive se sulmet kundër vendit të tij vazhdojnë të pandërpreraFotografi: Javier Soriano/AFP

Lajm i mirë nga ekonomia

Bashkimi Evropian ndodhet mes dy luftërave e vështirë të gjesh ndonjë lajm pozitiv në një klimë të tillë. Por një lajm i tillë vjen, pikërisht nga sektori i biznesit. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen prezantoi rregullat e thjeshtuara për startup-et në BE pikërisht në kohë. Çdo sipërmarrës mund të krijojë një kompani brenda 48 orëve, nga kudo në BE, dhe për më pak se 100 euro, deklaroi ajo në Bruksel. Të dhënat do të ruhen një herë dhe do të transferohen në të gjitha shtetet anëtare. Pavarësisht shumë temave në axhendë, organizatori, Presidenti i Këshillit Antonio Costas, në letrën e tij të ftesës prej dy faqesh pret që samiti të përfundojë brenda një dite. Nëse kjo nuk ndodh krerët e shteteve dhe qeverive në BE i pret një natë shumë e gjatë.

 

 

la/tgsch/rtr