1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e informacionit për COVID-19 në kulmin e saj

18 Maj 2020

Keqkuptim, Fake News, tymnajë e qëllimshme? Qëkur nga fillimi i majit u shfaq një „dokument sekret“ për prejardhjen e virusit Corona dhe komportimit të Kinës lidhur me përhapjen e sëmundjes, lajmet nuk kanë të rreshtur.

https://p.dw.com/p/3cJoq
Konferenz für Nationale Cybersicherheit
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Hirschberger

Informacionet e „dokumentit sekret" prej 15 faqesh po bëhen gjithnjë e më shumë kontradiktore: Në deklaratat e para të shtypit në Gjermani bëhej fjalë për një dokument të përbashkët të shërbimeve sekrete të ashtuquajtura "Five Eyes"- të shteteve SHBA, Britani e Madhe, Kanada, Australi dhe Zelanda e Re, ku akuzohet Kina, se e ka penguar dhe vonuar luftën mbarëbotërore kundër virusit. Presidenti i SHBA-së Trump dhe ministri i Jashtëm Mike Pompeo, ish-shefi i CIA-s, u shprehën madje për „dëshmi të shumta" për prejardhjen e virusit nga një laborator në Vuhan.

Shërbimi Informativ Gjerman, BND, në të kundërt informoi anëtarët e Bundestagut, që nuk ekziston një dokument i tillë sekret – dhe njëkohësisht bënte fjalë për një vonesë me vetëdije të Kinës në luftën kundër Coronas. Por çfarë është fakt dhe çfarë është spekulim? Kemi të bëjmë me njoftime të rreme apo edhe më keq: a po përhapet ndërkohë disinformim në mënyrë të qëllimshme?

Më e rëndësishmja - që duhet theksuar parreshtur - është, se nuk ka kurrësesi dëshmi, se SARS-CoV-2 është një virus i prodhuar në mënyrë artificiale! Ky është edhe pozicioni i të gjitha qeverive dhe shërbimeve të tyre sekrete. Koordinatori i shërbimeve sekrete kombëtare të SHBA-së dhe ambasador në Gjermani, Richard Grenell, dha madje për këtë një deklaratë zyrtare shtypi. Ka një dyshim fare të vogël, që qeveria australiane e vlerëson me vetëm 5%, nëse virusi padashje ka dalë si rrjedhojë e një aksidenti nga laboratori në Vuhan. Shumica e të gjithë shkencëtarëve dhe qeverive besojnë që virusi është përçuar prej lakuriqëve të natës tek njeriu.

Çfarë përmban „dokumenti sekret" australian?

Sikurse njoftoi DW, ky dokument i shfaqur në Australi përshkruan kryesisht hulumtimet shumë vjeçare të Dr. Shi Zhengli, drejtor i Qendrës për Shfaqjen e Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Virologjisë në Vuhan. Që nga fillimi i mileniumit Shi me partnerët në Australi dhe SHBA hulumton mbi viruset Corona që shfaqen tek lakuriqët e natës. Më së voni që nga viti 2015 studiuesit paralajmëronin edhe për ekzistencën e viruseve vdekjeprurës Corona, që janë të përçueshme tek njeriu dhe ndaj të cilëve nuk ekziston një medikament. Ndonëse në dokument përmendet „studimi me risk" (ku duhet theksuar, që vështirë se mund të ketë studime me viruset vdekjeprurës që të jenë pa risk), por në fakt dokumenti nuk ofron asnjë dëshmi konkrete dhe asnjë pikë referimi për një prejardhje artificiale të virusit dhe as për një përhapje të tij në mënyrë aksidentale pa dashje.

Në të kundërt dokumenti sjell akuza të qarta ndaj Kinës lidhur me politikën e informimit për transmetimin e virusit nga njeriu tek njeriu, për zhdukjen e mjekëve që paralajmëruan në Vuhan si dhe për censurën në internet. Në dokument nuk ka deklarata, sikurse shkruan gazeta australiane "Saturday Telegraph", që bota ka humbur të paktën një muaj në luftën kundër virusit.

China Peking | Xi Jinping trifft WHO Direktor Tedros Adhanom Ghebreyesus
Takim i Xi Jinping me drejtorin e OBSH, Tedros Adhanom GhebreyesusFotografi: picture-alliance/Photoshot/J. Peng

Dokument studimor me prejardhje të panjohur në vend të „dokumentit sekret"

Kjo akuzë ishte një interpretim nga gazetarët ashtu si edhe hamendësimi, se kemi të bëjmë me një dokument të shërbimeve sekrete të „Five Eyes". Me asnjë fjalë të vetme artikulli i Saturday Telegraph nuk e ka shprehur këtë hamendësim. Në vend të kësaj autorja e artikullit, Sharri Markson, e quan dokumentin një "artikull shkencor" (research paper), që është përpiluar për qeveritë perëndimore. Aleanca e shërbimeve sekrete të vendeve anglosaksone në të kundërt hulumton në fakt lajmet, sipas Markson. Të dyja këto janë të vërteta. Vetëm përmes lajmeve në media – madje edhe në Gjermani – ky artikull u konsiderua si raport i shërbimeve sekrete. Pra kemi të bëjmë me gabime gazetareske dhe interpretime të gabuara nga mediat perëndimore, që këtë „artikull shkencor" e shndërruan në një raport të shërbimeve sekrete të shteteve "Five Eyes".

Edhe DW përpara dhjetë ditësh ende mendonte, se autorësia e dokumentit i përkiste shërbimit sekret australian ASIS, pra me sa duket ky një gabim. Ajo që dihej ishte, se i gjithë dokumenti bazohej vetëm në burime të hapura publike, nuk kishte informacione sekrete dhe për këtë arësye as nuk ishte i klasifikuar si sekret. Pas publikimit të artikullit në Australi nëpunës të qeverisë britanike deklaruan, se nuk kanë dijeni për ekzistencën e një raporti të tillë të shërbimeve sekrete. Të njëjtin informacion mori edhe Shërbimi Gjerman i Informimit BND prej partnerëve të vet, sikurse njoftoi vet ky shërbim javën e shkuar deputetët e Bundestagut. I mundur është një ngatërrim ose edhe një lajm i rremë i përhapur me qëllim, sipas BND.

Deri këtu ende asgjë nuk është e qartë. Sepse nëse ky ka qenë një lajm i rremë i qëllimshëm, atëherë shtrohet pyetja: Kush ka njoftuar në mënyrë të rreme dhe përse? Sidoqoftë autori i artikullit studimor është i panjohur. Mbetet po ashtu e paqartë, nëse gazeta australiane Saturday Telegraph e njeh autorin apo burimin e raportit, apo nëse ky raport i ka rënë në dorë në mënyrë anonime kësaj gazete. Operacionet e disinformimit, përmes të cilave pështjellohen të vërteta, gjysmë të vërteta dhe informacione të rreme në mënyrë manipulative e që pastaj marrin udhë anonime në media, kanë prej kohësh traditë. Kryesisht shërbimet sekrete sovjetike, por edhe ato amerikane, e kanë përdorur me preferencë këtë mënyrë, për të ushtruar influencë. Që të jetë një operacion i tillë sekret edhe rasti i dokumentit australian, për këtë mungojnë provat.

Hamendësimet mund të shkojnë në shumë drejtime. Por edhe pyetja, se kujt mund t'i shërbente një operacion i tillë nuk ka përgjigje: mos vallë presidentit të SHBA-së Trump dhe ministrit të Jashtëm Pompeo që deklarojnë bujshëm linjën e origjinës së virusit nga një laborator. Por nëse është kështu atëherë shtrohet pyetja, se përse dokumenti u shfaq në Australi dhe jo në SHBA. E pavarësisht kryeartikujve në mbarë botën as qeveritë dhe as shërbimet sekrete apo mediet nuk e pranojnë pozicionin e Trump dhe Pompeos.

Një telefonatë e përgjuar e OBSH dhe politika kineze e informimit

Ndryshe qëndron puna me vlerësimin e politikës kineze të informimit lidhur me përhapjen e virusit. Presioni ndaj Kinës në këtë drejtim po rritet, e kjo qysh përpara shfaqjes së këtij dokumenti. Me sa duket në të njëjtën seancë të komisionit të jashtëm të Bundestagut, ku BND informoi deputetët për informacionet që posedon, nënpresidenti i BND-së, Werner Sczesny zbuloi edhe më shumë lidhur me një telefonatë sekrete mes presidentit të Kinës Xi Jinping dhe sekretarit të përgjithshëm të OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus më 21 janar 2020.

Gjatë bisedës Xi duket se e ka imponuar OBSH-në që ta shtyjë paralajmërimin botëror për pandeminë. Duket se agjentët gjermanë ose një prej shërbimeve partnere të tyre e kanë përgjuar telefonatën, megjithatë OBSH e mohon, që të jetë zhvilluar një bisedë e tillë. Tërheq vëmendjen gjithashtu edhe, se përmbajtja e informacioneve të tilla sekrete mund të jetë bërë publike prej pjesëmarrësve në mbledhjen e komisionit të jashtëm, që në fakt janë të detyruar të ruajnë strikt informacionin sekret. Pra edhe BND e ka vlerësuar, që përmes politikës restriktive të informimit që ka ndjekur Kina dhe presionit të saj ndaj OBSH-së janë humbur gjashtë javë në luftën kundër virusit.

Christopher Nehring, Historiker, Berlin
Fotografi: Susanne Schleyer/autorenarchiv.de

Në fakt politika e informimit të një vendi komunist monopartiak si Kina duhet parë gjithmonë me dyshim, ashtu si e ka dëshmuar edhe shembulli me havarinë e katastrofës së Çernobilit më 1986 në ish-Bashkimin Sovjetik. Por nga ana tjetër javët e fundit kanë dalë lajme edhe për raste nga Franca, sipas të cilave atje mund të ketë pasur qysh në fund të 2019 infeksione me virusin Corona. Pra në një rast të tillë nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë paralajmërimi i OBSH-së nga janari dhe mundësia e fitimit të kohës si rrjedhojë. Që pas „analizës së riskut në mbrojtjen e popullsisë" realizuar më 2012 nga qeveria gjermane, që analizonte skenarin e një pandemie virusi, ishte e qartë: Gjermania është e përgatitur jo mjaftueshëm ndaj një skenari të tillë. As në fund të janarit asnjë qeveri në Europë apo në SHBA nuk ndërmorri masa. Nëse një tjetër politikë informimi e Kinës do të bënte vërtetë dallimin, nuk është aspak e qartë. Sidoqoftë lufta e informacionit për COVID-19 është në kulmin e saj.