Libi: Parlamenti merr pushtetin
9 Gusht 2012Në Libi ka nisur zyrtarisht punën parlamenti i ri. "Asambleja kombëtare" prej 200 deputetësh do të zevëndësojë Këshillin e përkohshëm, i cili ka drejtuar vendin qysh prej rënies së pushtetmbajtësit Muamar al Gadafi vitin e kaluar. Në fjalën e tij kryetari i Këshillit të përkohshëm kombëtar, Mustafa Abdul Xhalil deklaroi që forumi nuk ka arritur të rivendosë plotësisht sigurinë në vend. Por këshilli ka reaguar në "kohën e duhur".
Ceremonia në kryeqytetin e Libisë, Tripoli ishte edhe transferimi i parë paqësor në historinë më të re të Libisë. Kjo ceremoni u zhvillua të mërkurën (08.08), në mbrëmje vonë për shkak të muajit të Ramazanit.
Me një gjest simbolik, kryetari i Këshillit të Përkohshëm Kombëtar, Mustafa Abdel-Xhalil i dorëzoi pushtetin parlamentit - një hap i rëndësishëm i Libisë në rrugën drejt demokracisë. Por situata në Libi megjithatë vazhdon të jetë e brishtë. Në fillim të javës kuartieri kryesor i Kryqit të Kuq në qendër të Bengasit është mbyllur, pasi kishte pasur një sulm ndaj zyrës në Misrata.
Prandaj detyra më e rëndësishme në vend është vendosja e sigurisë. Në zgjedhjet e para demokratike në historinë e vendit që u zhvilluan para një muaji, liberalët e ish-kryeministrit Mahmud Xhibril dolën si grupimi politik më i fortë. Por shumica e vendeve në parlament mbahet nga kandidatët e drejtpërdrejtë, që ishin në qendër të vëmendjes gjatë revolucionit të zhvilluar në vend. Javën e ardhëshme 200 deputetët do të formojnë një qeveri të re të përkohshme dhe do të përgatisin zgjedhjen e një Këshilli Kushtetues. Një rrugë e gjatë drejt demokracisë.