1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letrat e dëgjuesve

4 Qershor 2011

Dëgjuesit kanë shkruar këto letra ose e-mail në adresë të redaksisë:

https://p.dw.com/p/OFt8
  • "Protesta drejtohet kundër pushtetarëve dhe elitave, të cilat kanë vënë në shërbimin e tyre personal ekonominë dhe politikën. Këta zotërinj për dekada me radhë kanë jetuar në mirëqënie në rrethin e tyre familjar, në kolltukët e rehatshëm të pushtetit, dhe pallatet u pengonin të shihnin popullin". Kjo e vërtetë e thënë në artikull është një "hartë e rrugës", në muajt e vitet në vazhdim, madje jo shume e largët. Bota do të tronditet, për të gjetur një qetësi relative pas kësaj, shkruan Leonard Qyteza nga Shqipëria.

  • "Do të shtoja edhe diçka më tepër për temen në fjale se n.q.s. Hitleri (nazizmi) luftonte për hegjemoni d.m.th. kundër popujve të tjerë, komunizmi luftonte kundër popullit te tij (natyrisht këtu flitet kundër atyre që nuk e mbështesnin në vijen që ai ndiqte). Pra këtu dua të them se komunizmi është treguar më i keq për popullin e tij. Europa nuk duhet të bëjë dallim midis nazizmit dhe komunizmit, sepse janë krime që i kanë bërë që të dyja, por me përmasa të ndryshme. Si shqiptar dhe si ish i persekutuar politik (kam lindur në internim në moçalishtet e Myzeqesë pas daljes nga burgu komunist i babait tim) shpreh indinjatën time që qeveritë shqiptare këto 20 vjet nuk kanë bërë atë që duhet të bënin për demaskimin e ish persekutorëve komunistë (dhe për këtë jam i bindur se një pjesë e tyre janë akoma në karrike të ndryshme të pushtetit shqiptar). Moshapja e dosjeve e vërteton thënien time pa asnjë koment tjetër. Është pikërisht kjo që shumë nga ne ish të persekutuarit politikë e ndjejmë veten "të internuar" për së dyti, sepse rrugët tona kanë qenë të mbyllura në vendin tonë." shkruan Fiçor Hoxhaj nag Italia.

  • "Sa i përket gazetarisë Kosovare ajo çka për çdo ditë lexoi mendoj se në pjesën dërrmuese të saj, është në funksion te politikës respektivisht te pushtetit. Uniteti i gazetarëve kosovarë është shumë i brishtë, për shkak të arsyes së cekur me lartë. Lëvizjet e fundit tregojnë më së miri se me çfarë gazetarë kemi të bëjmë. Shprehja e mendimit te lirë duhet të marrë pëlqimin e politikës e pastaj edhe te kryeredaksisë. fundi pyetemi cili ishte mendimi i lirë, rasti i gazetares Shala është një nga një mijë rastet, gazetarja ne fjalë ka pyetur dhe publikuar diçka që është argumentuar. kjo nuk do te duhej te kishte kurfar pasoje ne veprimtarin dhe jeten e saj, sepse ne radhë te parë brenda redaksisë ku punon nuk ka perkrahje e me pastaj as ne shoqata e unione tjera gazetareske kosovare," shkruan Haki Beli nga Kosova.

  • "Në Bashkimin Evropian rregullat janë të ndryshme ose ndryshohen për vende të ndryshme. Për shembull fermerët gjermanë marrin 300 euro për çdo hektar toke të mbjelleëkurse ata nga Lituania marrin 100 euro. Një tjetër shembull ose rast padrejtësie evropiane është se grekët paguanin një interes më të lartë për kredinë e marrë nga BE-ja se sa gjermanët. Atëherë jo vetem unë por dhe shumë njerëz të tjerë janë skeptikë ndaj të ardhmes së BE-së. Jugosllavia u shkatërrua sepse shtetet anëtare nuk kishin të drejta të barabarta. Dua të them se në qoftë se shtetet anëtare të BE-së nuk trajtohen njësoj, atëhere shumë shpejt BE-ja do të ketë fatin e Jugosllavisë. Mendoj se tani për tani BE-ja funksionon vetëm për shtetet e fuqishme, ndërsa ato që janë të dobta jane mbuluar me borxhe. Mendoj se do te ishte më mirë për Shqipërinë që të priste dhe një periudhë kohe para se të bëhet anëtare e BE-së, " shkruan Sali Shaho nga SHBA.

  • "Unë shpesh herë rri dhe mendohem kush mund të jetë rruga që në Shqipëri të mos ketë RYSHFET!? Dhe të gjitha mendimet më çojnë tek kultura shqiptare, ajo nuk çrrënjoset, shumë mendojnë se bëjnë të zgjuarin sepse marrin shërbimet më shpejt, por në fund të fundit të gjitha rrugët e administratës publike të çojnë tek RYSHFETI, sepse i tillë është problemi, që nuk matet dot, për t'a çuar në gjykatë!!!Bashkia Tiranë deri diku ka instaluar një sistem (përveç Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave) ku secili bën detyrën për hir të detyrës, dhe sipas meje është i vetmi institucion në Republikën e Shqipërisë që të kthen përgjigje zyrtare nëpërmjet e-mail-it, që mbaron me .gov.al. Institucionet e tjera këtë e-mail .gov.al e kanë inekzistent për publikun. Kurse çdo institucion tjetër që të të sherbeje si fillim të pyet "nga je ti!", "pse e do" "çfare të duhet" deri sa të lodhin," shkruan Renaldo Bregu nga Shqipëria.

  • "E lexova intervistën e ish-ambasadorit gjerman në Shqipëri në vitet 87'-90', Mr. Werner Daum, e si në një film pa ngjyra m'u kujtuan të gjitha ato ditë të mrekullushme të thyerjes së heshtjes e të guximit të një populli të shumëvuajtur për të sfiduar diktaturen më të egër, që na mori rininë, na vrau shpresen, na uli dinjitetin, na nëpërkëmbi si asnjë tjetër popull i Evropës. Çdo iluzion për atë sistem asht një marrëzi. Por sfidat për shqiptaret nuk kanë të sosur, e ardhmja jonë në Evropë asht,...fatkeqsisht ende shumë larg, shumë larg,...mjerisht," shkruan Leonard Qyteza nga Shqipëria.

  • "Mendoj se hapja e dosjeve të sigurimit në Shqipëri duhet bërë e plotë. Sot, megjithëse kanë kaluar 20 vjet nga rënia e regjimit komunist, askush nuk është i qartë se në cilat përmasa ka qenë rrjeti i sigurimit shqiptar. Spiunimi si ves dhe si akt është shumë i poshtër dhe një shoqëri që dëshiron të ecë përpara në rrugën e prosperitetit së paku duhet ta luftojë. Lufta më e mirë është që të hapen dosjet, që së paku njerëzit ta njohin njeri tjetrin dhe kontigjentet e spiunëve dhe të pinjollëve të tyre të mos kenë mundësi që të debutojnë me një "kapital" kaq të fëlliqët, veprim që aktualisht po ndodh në Shqipëri. Ky është dhe detyrimi minimal ndaj viktimave të kësaj veprimtarie që së paku të mësojnë se kush ishte instrumeti dhe personat, që u mori jetën dhe u shkaktoi këto vuajtje të tmerrshme," shkruan Rudin Deda nga Shqipëria.

  • Edhe një fakt, si të gjithë marksistët edhe Titoja nuk ka qenë aq i shkolluar. Ai nuk ka patur fakultetin e kryer dhe siç dihet pushtetin e ka mbajtuar me shantazhe, frikë, kanosje, likuidime, burgosje, internime etj,etj. Pra në mënyrë jodemokratike por në mënyrë të dhunshme. Sa për shqiptarëët i ka shtypur patriotët dhe i ka shpërblyer antikombëtarët," shkruan Ramadan Bajrami nga Maqedonia.

  • Hapja e dosjeve sekrete të komunizmit në Shqipëri tani është e vështirë sepse plagët e lëna prej tyre janë shumë tëë thella por me kohë është mirë që edhe shqiptarët më së fundi ta dinë se çfarë na kanë punuar, shkruan Agroni nga Italia.

  • Mua më pëlqen që dikush po shkruan për hallet e të diplomuarve në IRJM, sepse dhe vetë jam si këta pak të anketuar. Por, ne jemi shumë, jemi me qindra ndoshta edhe mijëra të diplomuar shqiptarë që jemi detyruar bile edhe të shpërngulemi (emigrojmë) në vende të ndryshme të Evropës dhe botës nga pamundësia e punësimit dhe unë personalisht nga arsyeja që fëmijët e mi të kenë një jetë më të mirë se unë dhe të paktën, kur të kryejnë studime të mos mendojnë emigrimin, si babai i tyre. Unë erdha para shumë viteve në Danimarkë për mungesë punësimi dhe mundësie për një jetë normale. Unë personalisht njoh edhe shumë të tjerë që kanë diplomuar në universitetet tona me mesatare 10, por nga shumë përpjekje për punësim më në fund është dorëzuar. Dhe tani meqë është femër ka vendosur për shembull të vejë shami në kokë dhe t`i kthehet lutjeve te zoti për një jetë dhe mirëqenie fetare...ky është rezultat i politikanëve të korruptuar dhe mafiozëve," shkruan Imer Memishi nga Danimarka.

  • "Kosova është shtet laik dhe në një shtet të tillë rreziku më i madh vjen nga feja, sidomos nga mungesa e tolerancës së islamistëve. Shikoni përshembull Iranin," shkruan Shaqiri nga Austria.

  • "Po ju shkruaj për një temë që është shumë aktuale tek ne në Kosovë. Gruaja e fshatit s'ka me çfarë të merret dhe s'ka si t'i tregojë aftësitë e saj. Arsyeja e mosinteresimit të shoqërisë por edhe instancave qeveritare për ta inkuadruar, e bënë edhe më të pa gojë gruan e fshatit në Kosovë. Kjo është mjaft brengosje, ato janë gjeneratat më të prekura të viteve të fundit, i humbën të gjitha shkollimin e tutje. Mbes me shpresë që një ditë të hapen shkolla edhe për to, qoftë edhe shkolla zejesh, sepse vërtetë gratë e fshatrave të Kosovës po mbesin të distancuara nga koha," shkruan Fatimja.

  • Unë jam plotësisht dakord me hapjen e dosjeve në Shqipëri. Hapja e dosjeve të ish sigurimit të shtetit , do të bëjë të mundur pastrimin e shoqërise shqiptare nga ish sigurimsat e shtetit. Por nga ana tjetër do të thosha se hapja e dosjeve duhet të shoqërohet edhe me diferencimin e fajit për gjithsecilin. Nuk ka shumë rëndësi të dënohen ata që kane spiunuar, por më shumë rëndëësi ka që të mos u lejohet te jenë në nivele drejtuese të vendit .. !! shkruan Partizan Cene nga Greqia.

  • "Dhuna ndaj grave në Shqipëri është një gjë që edhe sot vazhdon, por mund të ndalohet," shkruan Ana Dervishi nga Shqipëria.

  • "Si shkon korrupsioni në një shtet tregon se si është jetesa aty. Konkretisht unë them që në krahasim me vitet e para 2005-ës është bërë një ndryshim shumë i madh sepse në këtë pikë ndikon edhe rritja e pagave nga qeveria e shtetit shqiptar për administratën në të gjitha rangjet e saj. Fakt, i cili vërtetohet më se qartazi dhe në rast se do ketë rritj pagash sipas pretendimeve të bera atëherë edhe shkalla e korrupsionit do të jetë gjithnjë në ulje. Por unë mendoj se është një klimë krejt e ndryshme sot në krahasim me vitet para 2005-ës ku që të të kryhej një shërbim duhej të paguaje. Ka ende punë për të bërë por unë mendoj se me finalizimin e masave të marra, për hir të së vërtetës duhet kohë për përfundimin e tyre, do të ketë një jetesë shumë herë më të këndshme në Shqipëri," shkruan Erald Gaspri nga Shqipëria.

  • Gani Ademi nga Shqipëria e quan padrejtësi faktin që shqiptarët dhe boshnjakët nuk marrin të drejtën e lëvizjes së lirë, kurse serbët e marrin.

  • "Mendimi im është që sa më shpejtë që të hapen dosjet aq më shpejt do të ecë procesi demokrat sepse ka ende shumë politikanë që drejtojnë institucione të larta të vendit, parti politike etj., dhe hiqen sikur janë shenjtorë kur duar i kane me gjakun e populli. Figurat duhet të pastrohen, " shkruan Nosh Vukaj nga USA.

  • Në 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, më vjen në kujtesë ajo kohë që për ne shqiptarët, ka përmasat e një ndryshimi epokal. Pothuajse çdo popull ka mure përpara vetes , që ose duhet t'i shembë ose duhet t'i kapërcejë. Por ne, shqiptarët e kishim murin tonë deri në qiell dhe as diellin nuk e shikonim. Personalisht e kam përjetuar rënien e murit, në datat 20 deri me 30 Tetor 1989, në Drezden e Berlin, gjatë një shërbimi pune. Ishte hera e parë, që kaloja kufirin shtetëror e fati e deshi të gjendem në ish RDGJ-në. Më dukej Gjermania Lindore parajsë në krahasim me ferrin ku jetonim ne në atë kohë. Nuk kuptonim ç'është bota e lirë, ç'është demokracia e kur partnerët gjermanolindorë ankoheshin, ne mendonim për vendin tonë që vuante në agonin e vet. Duke lexuar shkrimin " 9 Nentori-Dita----" kuptoj se populli gjerman ka në çdo kohe vetëdijen për të shembur muret që historia e tij ia ka vënë përpara, siç mund të jetë edhe sfida e bashkimit. Mirenjohje këtij populli të paepur. " shkruan Leonard Qyteza nga Shqipëria.

  • Kancelarja Angela Merkel, që u zgjodh në mandatin e dyte është pa dyshim, rast unikal, bashkë me Presidentin Obama, që duke qenë njerëz të thjeshtë e pa mbështetje të qarqeve të larta, me punë e përkushtim arrijnë deri në majën e suksesit. Ata janë shembull frymëzimi për njerëz të zakonshëm, që tregon se çfarë arrihet me punë e përkushtim. Angela Merkel do të jetë e suksesshme edhe në këtë mandat të dytë dhe shpresoj se do të mbështesë edhe Shqipërinë drejt antarësimit në BE.", shkruan Leonard Qyteza nga Shqipëria.

  • Mendoj se në Shqipëri liria e gazetarëve është e tepruar, sepse gazetarët janë të shitur në partitëë politike dhe nuk shkruajnë realitetin, por vetëm shpifin çfarë t`u thonë eprorët, prandaj njerëzit nuk i blejnë më sepse i kuptuan se çfarë janë," shkruan Niko nga Shqipëria.

  • Thilo Sarrazin -"Me numrin e lartë të lindjeve turqit po e pushtojnë Gjermaninë si kosovarët Kosovën" - Z. Sarrazin duket se nuk e ka lexuar mirë historinë. .... Kushtetuta e Gjermanisë thotë se "Gjermania nuk është vend Imigrimi" pra edhe ligjet dhe politika nuk e kanë favorizuar integrimin e Imigrantëve. Politika ndaj imigrantëve nuk është selektive dhe elastike. Sistemi duhet të ndryshoje duke ju prerë rrugen abuzuesve dhe ju hapur rrugën atyre që duan vërtetë të ndryshojnë vetveten dhe të çojnë përpara Gjermaninë," shkruan Shyqyri Bushati nga USA.

  • Unë mendoj se Shqipëria akoma është larg për ta bërë një gjë të tillë. Ne shqiptarët nuk e respektojmë ligjin, nuk jemi mësuar me të, Kjo është vërtet për të ardhur keq. Por mund të shtoj e sigurt se qoftë se do ta respektonin politikanët të parët edhe njerëzit e thjeshtë do ta bënin patjetër. Politikanët shqiptarë shikojnë vetëm interesin vetjak, " shkruan Alma Kita nga Gjermania.
  • "Rënia e Murit te Berlinit ndikoi shumë tek disidenca shqiptare që vazhdoi të mbushë rruget me parrulla e trakte për përmbysjen e shpejtë të sistemit të diktaturës komunisto - enveriste," shkruan ndër të tjera Davidi nga Shqipëria.

  • "E kaluara nuk harrohet pa u mësuar e vërteta. Është si puna e sëmundjes-ajo nuk shërohet pa u njohur diagnoza," shkruan Ardit Dibra nga SHBA.
  • "Kam lindur në dhjetor të 1973, personalisht nuk kam qenë i përndjekur as unë dhe asnjë nga familja ime, as ndonjë nga fisi im. Nëna ime ka qenë antëare e Partisë së Punës dhe ka punuar në disa institucione shtetërore në Krujë dhe në Shkodër, dhe mendoj se nuk ka qenë pjesëtare e Sigurimit të shtetit. Mendoj se personat që kanë persekutuar dhe kanë abuzuar me pushtetin në vitet e regjimit komunist nuk duhet të kenë poste drejtuese dhe vendimmarrëse në institucionet shtetërore, përfshi dhe ato gjyqësore. Mendoj se është një detyrë e shtetit të rehabilitojë figura që janë mëkëmbur gjatë regjimit komunist, por edhe në këto 20 vjet demokraci tranzitore. Gjithashtu familjet e përndjekura kanë të drejtë të dinë fatin, të vërtetat lidhur me të dashurit e tyre të vrarë pa gjyqe ose pseudogjyqe fallso nën pushtetin komunist e diktatorial. Me pak fjalë, mendoj se dosjet duhet të hapen për të gjithë jo vetëm për një pjesë të ish nomenklaturës komuniste. Përgëzimet e mia për punën që keni bërë në këto 20 vjet tranzicion, përcjelljen e ngjarjeve që ka kaluar vendi im," shkruan Dritan Tahiri nga Italia.