Largim jo i mirë - Dorëheqja e ministrit të Bujqësisë | Gjermania | DW | 16.02.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Largim jo i mirë - Dorëheqja e ministrit të Bujqësisë

Ministri federal i Bujqësisë Hans-Peter Friedrich jep dorëheqjen. Kështu një ministër i pafat largohet nga skena dhe nuk bën figurë të mirë as në largimin e tij, komenton Julia Bernstorf.

Kur doli para shtypit politikani i CSU-së nuk dukej se kishte ndjenjën e fajit. Në vend të kësaj Friedrich theksoi se është i bindur se ka vepruar drejt. Por presioni ka qenë shumë i madh. Ai tha se nuk ka më mbështetje në politikë, për ta kryer siç duhet detyrën e tij.

Të paktën me këtë vlerësim Friedrich ka me siguri të drejtë, sepse mbështetjen e kancelares Angela Merkel, që ta lerë këtë rast "një herë të pushojë", duket se nuk e ka pasur. Të paktën zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert u përpoq të gjente fjalët e duhura, kur u pyet nga gazetarët, nëse edhe kancelares i duket e rregullt sjellja e Friedriech-ut. Ndonjëherë edhe mungesa e përgjigjes është përgjigje.

Pyetja, nëse Friedrich lejohej ta informonte kryetarin e SPD (Partia Socialdemokrate)Sigmar Gabriel në lidhje me hetimet e mundshme kundër deputetit Sebastian Edathy, nuk shtrohet fare për diskutim. Në atë kohë Friedrich ishte ende ministër i Punëve të Brendshme dhe prandaj u informua nga BAK (Zyra Federale e Kriminalistikës) për shkak të dyshimit ndaj një deputeti. Këtë informacion ai e ka përcjellë më tutje, edhe pse ai duhej ta ruante sekretin. Qëndrimi i tij, se ai e kishte bërë këtë për shkak të "dimensionit politik", nuk është i justifikueshëm. Pikërisht atëherë duhej t'i ishte bërë e qartë, se nuk mund të fliste për këtë çështje. Kjo ishte si një dhuratë nga qielli për opozitën, e cila e ka kërkuar dorëheqjen e tij. Një ministër, i cili nuk mund të heshtë, nuk mund të mbahet. Kjo është e saktë.


Kush foli kur dhe me kë?

E vërtetë është gjithashtu, se në momentin e përfolur zhvilloheshin negociatat e koalicionit. CDU/CSU (Kristiandemokrat/Kristiansocial)në njërën anë, SPD nga ana tjetër. Është e lehtë për të besuar, se Friedrich ka vepruar nga vullneti i mirë: dhënia e një informacioni konfidencial partnerit të ardhshëm, mund të vlerësohej si një sinjal pozitiv në SPD. Për më tepër, pasi Gabriel nuk heshti, por informacionin nga ana e tij ia dha Thomas Oppermannit. Pohimet, se kush informoi kë dhe kur, ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe i japin së tërës një efekt më shpërthyes. Zyra Federale e Kriminalistikës për shembull mohon se ia ka konfirmuar këtë informacion Oppermannit. Përndryshe do të shtrohej pyetja, a e mban vallë aparati i sigurisë në Gjermani sekretin.

Prokuroria shtetërore në Hanover, që heton në rastin Edathy, shpreh shqetësim lidhur me rjedhjen e informacionit. Ende nuk është e qartë, nëse do të hetohet kundër Friedrich për nxjerrje të sekretit. Edhe hetime të mëtejshme, se kush ka folur kur, mund të pasojnë dhe ndoshta do të pasojnë. Nga hetimi i një deputeti u krijua një krizë qeveritare. Dhe kjo shkon në llogari të Friedrich.

Friedrich si kokë turku?

Megjithatë në deklaratën e tij për shtyp ai dukej më shumë sfidues, kur deklaroi: "Unë do të kthehem." Ndoshta ai e sheh veten si viktimë. Sepse vetëm ndarja nga Friedrich është për Merkelin një shok i përballueshëm. Ministri konsiderohej si jo i mprehtë. Në aferën NSA ai i quajti shumë herët akuzat si të tepërta. Në çështjen e emigracionit dhe politikën e refugjatëve, ai shkaktoi irritime. Prandaj pas zgjedhjeve atij iu desh të linte postin e ministrit të Brendshëm. Dhe me sa duket ishte vendim i lehtë, për të mos e mbështetur këtë ministër, duke pritur dorëheqjen e tij.

Por me këtë për Merkelin nuk është zgjidhur gjithçka. Pas gati dy muajsh qeveria duhet të përballet me dorëheqjen e parë. Zevëndësuesin nuk e kishte gati. Hetimet e prokurorisë vazhdojnë. Sekretari i përgjithshëm i CDU Tauber kërkon nga partneri i koalicionit, që të kontribuojë për sqarimin e çështjes. Një kërkesë që, po të vinte vetëm nga opozita, nuk do të ishte e habitshme. Po brenda një koalicioni? E gjitha kjo çon në më shumë se vetëm gërvishtje të lehta të imazhit të një qeverie që sapo e ka nisur punën.

DW.COM